LAJMI I FUNDIT:

Prishtina para Brukselit!

Nuk jam bash i sigurt se cila ngjarje do të trajtohet më historike: marrëveshja e Brukselit apo e marrëveshja e Prishtinës! Se “historike”, po se po, tashmë po dihet kjo punë – edhe e para edhe e dyta! Por, le ta zëmë që historianët tanë, patriotë siç janë, më parë do të përcaktohen për marrëveshjen vendore-kombëtare të Prishtinës se për atë ndërshtetërore-ndërkombëtare të Brukselit. Dhe, plotësisht e arsyeshme…!

Ku mund të krahasohet një marrëveshje e nënshkruar midis dy politikanëve dhe një politikaneje me rezolutën e një parlamenti që e votojnë 89 figura, ndër më të zgjedhurit dhe më të ndriturit e atdheut tonë të lashtë, të hunit dhe të konopit, siç e thotë një fjalë e popullit tonë edhe më të lashtë! Qysh mund të merret më historike një marrëveshje e nënshkruar vetëm prej një dore të një përfaqësuesi të atdheut të shqipeve, qoftë ai edhe kryeministër, para një rezolute të “djersitur” prej jacisë e deri në ferk të sabahit, pa pasur vakt me i mëshelë sytë as për një sekondë! Dhe, nëse shumë herë i ka mashtruar gjumi deputetët tanë në seancat e mëparshme, madje në pikë të ditës, këtë natë “historike” nuk kishte ngjarë kjo!

Por, le të vazhdojmë ku mbetëm me historianët. S’është e mundur kjo dhe nuk ka kurrfarë logjike! Le të bëjnë çfarë të duan historianët e Evropës apo të Amerikës, por ne, me historianët tanë patriotë, kurrë s’do të lejojmë që ta qesin marrëveshjen e Brukselit para kësaj tonës, më falni, para kësaj të deputetëve të popullit tonë, pra të marrëveshjes së Prishtinës! Punë e madhe nëse ajo është arritur disa orë para kësaj tonës, më falni përsëri, para kësaj të deputetëve të popullit tonë, të marrëveshjes së Prishtinës! Nuk ka rëndësi këtu cila është arritur më përpara apo më mbrapa, rëndësi ka pesha historike e ngjarjes! E këtu jemi të pakompromis, nuk lëshojmë pe! Veç ndaluni njëherë, e analizoni se çfarë figurash dhe me çfarë gjuhe ju drejtuan popullit të vet ligjvënësit tanë! Komandantë të luftës, gjeneralë, doktorë shkencash, akademikë, ish të burgosur politikë, kryeministra, zëvendëskryeministra të parë, ministra… e çfarë jo tjetër!


Lum ky popull që i ka! Secili më bylbyl se tjetri! Po duhet lutur Perëndinë pesë herë në ditë që të mos i gjejë ndonjë e keqe dhe t’u jep ymër sa më të gjatë! Që të mund ta presin në të gjallë të tyre ditën e hyrjes në faqet e historisë sonë të “lavdishme”, të shkruar nga historianët tanë të zgjedhur dhe patriotë! Prandaj, marrëveshja e Prishtinës ia tejkalon njëqind herë asaj të Brukselit! S’ka kush që mund të më bindë për të kundërtën!

Ç’është e vërteta, këta deputetët e Vetëvendosjes sikur të mos ishin as fis as farë me shumicën e deputetëve të partive të tjera, qoftë pozitare apo opozitare! Këmbëngulësia dhe vendosmëria e tyre, duke bërë thirrje për të mos e votuar marrëveshjen e “famshme” të arritur në Bruksel, si dhe argumentet e tyre të fuqishme dhe kryeneçe, të bindnin fort se ata kishin të drejtë, se kjo marrëveshje e arritur është me sherr dhe ka bishtin mbrapa, prandaj pranimi i saj do të kishte pasoja të pariparueshme! Dhe, këtë jo që nuk e kuptonin edhe shumica e deputetëve të tjerë!

Mund të thuhet se në heshtje ia pranonin Vetëvendosjes! Dhe mu këtu qëndron misteri i gjithë kësaj fatkeqësie: nuk ka argumente të tjera që do t’i rrëzonte ato të Vetëvendosjes, sepse ato ishin të sakta dhe të pamohueshme. Por, përkundër gjithë kësaj, marrëveshja e Brukselit duhej votuar! Sepse, sipas Thaçit, “kaq na qenka kaçiku jonë”! Nuk shembet muri me kokë! Mirëpo, kur ky kryeministër pati pranuar çështjen e dialogut, ai e pati nisur me pompozitet, sikur ta kishte kaçikun e një luani, kurse tash në përfundim, “kaq ishte kaçiku jonë!”, as sa kaçiku i një bretkose! E tash vjen pyetja: kush u dashka paguar llogaritë e gabimeve në këtë fatkeqësi të kaçikut tonë të vogël?! Dihet, populli dhe atdheu ynë dhe askush tjetër! Mjaft kanë paguar për ne Amerika dhe Evropa!

Dorën në zemër, kishte aty-këtu edhe ndonjë zë nga deputetë të partive të tjera, brenda dhe jashtë koalicionit që u jepte të drejtë dhe i mbështetnin kolegët e Vetëvendosjes, por ishin të paktë dhe kishte ndonjë prej tyre që këtë e bënte më tepër për të mos e njollosur biografinë e vet, se sa që ia thoshte zemra! Dhe, kjo u vërejt më së miri pas verifikimit të atyre që kishin votuar për marrëveshjen e përfolur! Paj “me rrenë nuk shkohet në xhenet!”, thotë një fjalë popullore.

Janë të tjera interesa që ata i motivon të bëjnë të kundërtën e asaj që u dikton arsyeja! Larg ia presin rrugën ata të së ardhshmes. Është kryekëput interesi material! Nuk janë aq të shumtë ata që për interesin e atdheut të flijojnë veten. Përkundrazi, për interesin personal flijojnë fe dhe atdhe! U pa kjo tash fare qartë! Aq më pak mund t’i gjesh në mesin e deputetëve që u ka besuar populli të cilët i ka zgjedhur (nëse i ka zgjedhur)! Siç e flijuan pjesën e veriu të atdheut, ku mall do ta ketë ushtari i Kosovës ta shkelë me uniformë ndonjë cep të asaj ane! Veç n’u baftë tebdil e me i ra një herë tinëzisht, por me kusht që di ta flasë gjuhën e “bashkësisë”, se vaj halli pastaj!

Në trend

Më shumë
Shkencëtari i njohur turk paralajmëron: Mund të goditemi nga një tërmet i fuqishëm prej 7 ballësh të Rihterit

Shkencëtari i njohur turk paralajmëron: Mund të goditemi nga një tërmet i fuqishëm prej 7 ballësh të Rihterit

Turqia
Loredana lexon letrën nga Jozi për Shën Valentin, banorja tejet e zhgënjyer nga fjalët

Loredana lexon letrën nga Jozi për Shën Valentin, banorja tejet e zhgënjyer nga fjalët

Magazina
Koloneli shqiptar, pjesë e qeverisë së re në Siri: Kosova e kërkoi njohjen, por nga nivel shumë i ultë

Koloneli shqiptar, pjesë e qeverisë së re në Siri: Kosova e kërkoi njohjen, por nga nivel shumë i ultë

Lajme
Haradinaj reagon ndaj vendimit të OVL-UÇK-së: Dita e Pavarësisë nuk i takon vetëm veteranëve

Haradinaj reagon ndaj vendimit të OVL-UÇK-së: Dita e Pavarësisë nuk i takon vetëm veteranëve

Lajme
Euronews: Sfidat e tranzicionit të FSK-së në forcë me kapacitete të plota ushtarake

Euronews: Sfidat e tranzicionit të FSK-së në forcë me kapacitete të plota ushtarake

Lajme
“Cili është lojtari më tinzar në shtëpi”, Aldo befason me përgjigjen në “Big Brother Radio”

“Cili është lojtari më tinzar në shtëpi”, Aldo befason me përgjigjen në “Big Brother Radio”

Magazina
Kalo në kategori