LAJMI I FUNDIT:

Vërshimet…

Për çdo vit me ankth po presim se si do të jenë ndikimet e dukurive natyrore në jetën tonë të përditshme, sa herë që bien shi, borë apo fryn ndonjë erë ma e fortë. Këtë e potencoj se të gjithë ne jemi dëshmitarë se si po lejohet të veprohet tek ne në fushën e Planifikimit Hapësinor (urban dhe rural), Urbanizmit dhe Ndërtimit.

Vjet ishin ortekët e borës që morën jetën e disa njerëzve në Restelicë të Dragashit, si rezultat i mos respektimit së paku të traditës shekullore të ndërtimit. Kërkesa që të mos ndërtohet në zona potencialisht të rrezikuara nga vërshimet, ortekët e borës, rrëshqitja e dheut, shkrirjes së borës e shumë elementeve tjera të sigurisë së ndërtimeve, nuk është praktikuar e zbatuar në Kosovë.

Këtë javë që lamë pas, ishim dëshmitar të reshjeve të mëdha të shiu të cilat po na përsëriten çdo vit, që së bashku me shkrirjen e borës së pakët, shkaktuan vërshime të mëdha me pasoja e dëme të shumta materiale në të gjitha anët e Kosovës. Pati edhe viktima, u shua një filiz e re, humbi jetën një vajze e re në fshatin Izbicë të Skenderajt. Më duhet të theksoj përgjigjen e një banori i cili kishte pësuar dëme të mëdha nga vërshimet se çka pret tani. Ai u përgjigj: “S’na ka mbetur tjetër, vetëm t’i lutemi Zotit të ndërpres të reshurat e shiut, se përndryshe do të pësojmë edhe ma keq”!


Njeriu, gjithnjë për të mbijetuar, ka tentuar dhe ka punuar që këto dukuri natyrore t’i luftojë që sado pak të zbus dëmet që i kanë shkaktuar këto fatkeqësi natyrore. Gjithnjë ka tentuar t’i shpjegojë këto fenomene me anën e shkencave ekzakte etj. Sinkronizues i të gjitha këtyre dukurive, si dhe elementeve tjera për funksionimin e një shoqërie-shteti, duhej të ishte Planifikimi Hapësinor dhe ai Urban i territorit.

Nuk po kërkohet që menjëherë të zhdukim ato veti të lidhura me shprehin e punës, që me shekuj na kanë imponuar sundimtarët e huaj. Sot kemi dijeni dhe dituri të mjaftueshme që ts trasojmë rrugën për të përmirësuar dhe siguruar mjedisin ku jetojmë, që i mundësojnë të arriturat teknike të shekullit të ri. Një është e sigurt: rehabilitimi i të gjitha atyre hapësirave apo lokacioneve të vërshuara kërkon mjete të mëdha materiale.

Dëmet e shkaktuara nga këto fatkeqësi natyrore janë të mëdha, të papërballueshme nga individët e dëmtuar (Komunat as që parashohin buxhet për këto çështje). Për të evituar këto dukuri, diçka konkrete dhe realiste duhet ndërmarrë pushteti qendror, pasi jemi të vetëdijshëm me nivelin e ulët të trajtimit të kësaj problematike në Kosovë (edhe pse ekspertiza dhe profesionistët e profileve të ndryshme nuk mungojnë). Parandalimi i këtyre dukurive do të ishte preventiva ma e mirë. Është e vërtetë që në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), vepron Agjencia për Menaxhim të Emergjencave (AME), e cila i ka objektivat saktë të definuara, por funksionimit të mirëfilltë të saj i duhet më shumë përkrahje materiale dhe teknike nga të dy nivelet e qeverisjes.

Se si po e planifikojmë hapësirën e shtetit tonë, më së miri po e tregojnë rastet e viteve të fundit që po përfundojnë edhe me raste tragjike, për të cilat askush deri më sot, në vitet e pasluftës, nuk ka dhënë përgjegjësi së paku morale, e për atë penale as që diskutohet.

Ka disa kritere elementare të cilat duhen me qenë obliguese, kur lejohen ndërtime me leje e pa leje në të gjitha vendbanimet e Kosovës. Nuk ndërtohet gjithkund ku t’i teket dikujt. Së pari duhen analiza detale hapësinore dhe urbane, për të vendosur për zgjerimin e vendbanimeve tona, renovimeve të domosdoshme urbane apo ndërtimeve të reja. Ndërtimet e pakontrolluara me leje e pa leje vetëm se po vështirësojnë dhe po e varfërojnë popullin tonë, me pasoja të rënda për gjeneratat e ardhshme. Për ketë, territorin e shtetit duhet planifikuar dhe zbatuar në mënyrë profesionale. Së paku paraprakisht duhet marrë qëndrimet e ekspertëve të fushave adekuate, e jo të bëjmë intervenime të pakontrolluara në hapësirë.

Se si ne ndërtojmë dhe i kontrollojmë (mbikëqyrim) ato, kemi edhe raste konkrete ku janë investuar, shpenzuar, mjete të mëdha materiale me vlera milionëshe, siç është rasti i fundit i “urës së Rakovinës”. Njoftohem se për shkak të rritjes së nivelit të lumit Drini i Bardhë, ura që qëndron mbi këtë lum, në fshatin Rakovinë, mes Klinës dhe Gjakovës, ka lëvizur në mes dhe ka rënë (dy metra?) më poshtë. Për këtë është ndaluar qarkullimin mbi të. Kjo urë është pjesë e një rruge shumë të rëndësishme në aspektin hapësinor. Lshtë ndërtuar në vitet tetëdhjeta të shekullit të kaluar dhe i ka përballuar edhe ngritjes ma të madhe të nivelit të ujit të lumit Drini me vite. Si objekt strategjik është dëmtuar nga bombardimet e NATO-s. Në vitet 2001-2002 është ndërtuar ura e re nga ana e Agjencisë Evropiane të Rindërtimit (EAR), sipas “normave dhe standardeve Evropiane”. Se si është ndërtuar kjo urë, se në cilat të dhëna-parametra janë bazuar projektuesit evropianë, po e tregon realiteti i hidhët i vërshimeve të vitit 2013.

Të vetmen punë që dimë të bëjmë ne janë vizitat në zonat e vërshuara, formimet e “Komisioneve Komunale për vlerësim”, për të kërkuar mjete nga niveli Qendror për të sanuar pasojat. Kjo është qasje tërësisht e gabuar, pasi së pari jemi të obliguar që brenda mundësive reale të shtetit të Kosovës, të përgatisim projekte që duhet të rrjedhin nga Dokumentet Hapësinore dhe Urbane të Komunës, për të evituar në maksimum dëmet të cilat do t’i shkaktonin fatkeqësitë natyrore të pritura në të ardhmen. Kjo qasje është vetëm një ilustrim i tërë asaj se ku jemi duke jetuar, e ku kriteret ndërkombëtare për ndërtime askush nuk i përfillë.

Prapë më duhet të përsërisë një veti të “trashëguar” që moti, se të gjithë ne dimë të ankohemi kur ngjajnë vërshimet, rrëshqitjet e dheut, tërmetet, rrënimet të ndryshme, sa herë që bien shi (rasti i këtyre ditëve në Dardani – Prishtinë), borë apo fryn ndonjë erë ma e fortë. Këso rastesh kemi pa numër, pasi nuk është duke u punuar ashtu si e kërkojnë rregullat teknike dhe ato të Planifikimit Hapësinor dhe Urban-Rural. Dashtë Zoti mos të kemi ndonjë katastrofë ma të madhe se atëherë do të “vetëdijesohemi” se si jemi duke vepruar.

(Autori është Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës – KPHK)