LAJMI I FUNDIT:

Pa kuptim: Uni(mjeri)ver(e)si(i)teti!

Njëzetepesë vite më parë, studentët dalin në protesta me kërkesën që të kthehen në objektet e Universitetit të Prishtinës. 25 vite më vonë, për ironi të fatit, bëhet një kërkesë tjetër: T’i kthehet Universiteti studentëve. Turpi nuk mbaron këtu… Është tek fillimi.

Përveç disa premtimeve të parealizuara kurrë për digjitalizim të Universitetit, zhdukje të nepotizmit, dhe largim të politikës (partive politike) nga Universiteti, si për inat ndodhën të kundërtat. Digjitalizimi nuk u bë kurrë, është utopike të flasësh për zhdukje të nepotizmit, ndërsa ndikimi i partive politike në Universitet vetëm sa u rrit përmes “Organizatave të pavarura studentore” që në fakt ishin marioneta të partive politike që përbënin skenën shqipfolëse në Kosovë. Pati një numër rekord të ndarjes së çmimeve “Honoris Causa”, sa edhe vet çmimin e zhvleftësuan (me gjithë respektin për disa individë të cilët u “nderuan” me atë çmim)!

Volteri thoshte: “Gjithkush që ka pushtetin të të bëjë të besosh absurditete, ka pushtetin të të bëjë të marrësh përsipër padrejtësi”. Mendoj që problemi i gjithë Universitetit, dhe në përgjithësi i sistemit Arsimor në Kosovë, është i rrafshit vertikal: nga lartë poshtë. Hartuesit e politikave arsimore, aprovuesit e tyre dhe implementuesit kanë probleme serioze. Nuk është zinxhir që i është prishur një hallkë. Problemi është vetë zinxhiri. Për t’u rregulluar, duhet ndërruar i tëri. Linja më e lartë udhëheqëse e ka infektuar edhe shtresën e poshtme, që jo rrallëherë merr përsipër gjëra që ndoshta nuk i ka bërë vetë. Mirëpo, serviliteti i bën t’i pranojë mbi kurriz ato gjëra.


Si të rregullohet Universiteti?

Fillimisht Universiteti duhet t’u kthehet studentëve. Disa gjëra janë shumë të thjeshta për t’u rregulluar, nëse ekziston vullneti: përjashtimi i menjëhershëm i të gjithë profesorëve ligjërues që mbajnë poste politike; bashkërendimi dhe bashkëvendimi në çështje delikate në raportin Rektorat – Dekanat – Studentë; zhvillimi i debateve në interes të studentëve; prurjet e reja akademike që do t’i zëvendësonin ligjëruesit (ministra) që s’i panë kurrë studentët – veç në kohë fushatash; ulje e çmimit të semestrit; nxitje për studentët përmes bursave brenda dhe jashtë vendit; si dhe partneritet me Universitete me renome në Botë.

Pagesa e semestrit ka qenë shpeshherë një temë që ka brengosur studentët. Duke pas parasysh gjendjen e vështirësuar ekonomike të shoqërisë në Kosovë, ka pasur tendenca nga Rektorati për rritje të çmimit të pagesës së semestrit dhe reagime te grupimeve të ndryshme studentore, duke kundërshtuar rritjen. Madje, duke shkuar edhe më larg: duke kërkuar heqjen e tërësishme të pagesës semestrale.

Për një problem të atillë mendoj që njëri nga emrat më të mëdhenj të diplomacisë botëror, Winston Churchill, thotë një fjali që mund të ndërlidhet me kontekstin: “Një komb që i vë taksë vetes për prosperitetin, është si një njeri brenda në kovë që përpiqet ta ngrejë veten nga doreza”. Prosperiteti i studentit as nuk shënon progres e as regres nëse do t’ia ulësh çmimin semestral. Problemi është kryekëput te reforma e stafit akademik, te rishikimi i sistemit arsimor universitar dhe te hartimi i politikave që do të ishin në dobi të studentëve.

Është e dhimbshme të mendosh që kërkesa kaq elementare mund të bëhen në një pjesë të Evropës së shekullit XXI. Para se udhëheqësit tanë të diskutojnë çështjet integruese dhe të flasin me aq bujë për to, fillimisht duhet t’i zgjidhin problemet e brendshme, të ofrojnë arsimim më cilësor, i cili do të ishte faktori kryesor në përgatitjen e elitave që do ta sillnin vetvetiu integrimin. Me një arsim si ky dhe aq më keq me një Universitet si ky, Integrimi është larg. Por, edhe nëse vjen, i turpshëm do të jetë!

Në këtë fillim tetori, që për shumë ne ka një domethënie të veçantë, nuk më shkon në mendje që të bëj urim, por t’i bëj ftesë fillimisht të gjithë studentëve, por edhe qytetarëve të Kosovës, që ta ngritin zërin kundër këtyre padrejtësive që na janë bërë aq të shpeshta. Duhet të zgjohemi nga kjo amulli, dhe t’i japim fund të keqes, me të gjitha mjetet, në të gjitha rrethanat, me mundësitë që kemi.