LAJMI I FUNDIT:

Sfidat e sigurisë

Një ndër faktorët kyç, që të mbijetojë dhe të ekzistojë edhe me tej një komb, brenda territorit të shtetit të vet sovran, është padyshim çështja e sigurisë kombëtare. Sot shumë shtete të botes ballafaqohen me sfidat dhe cenimin e sigurisë kombëtare, e në vazhdën e kësaj bënë pjesë edhe Republika e Kosovës. Në kontestin e sigurisë kombëtare, Kosova ende nuk ka arritur që të ketë zbatueshmëri të ligjit dhe shtrirjen e efikasitetit të agjencive të zbatimit të ligjit në mbarë meritorin e Republikës së Kosovës. Sot Kosova ka të cenuar integritetin territorial, ruajtjen e sigurisë të rendit juridik dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në pjesën veriore të Kosovës. Ajo është e kanosur seriozisht përmes akteve terroriste të kryera nga ana e grupeve dhe organizatave ekstremiste serbe.

Është kërkesë imediate për të ruajtur mbijetesën e shtetit, nëpërmjet përdorimit të diplomacisë ekonomike, projektimit të energjisë dhe fuqisë politike, pa anashkaluar edhe zbatimin e ligjit në ruajte të rendit dhe qetësisë publike dhe të sigurisë ne nivel kombëtar.

Institucionet kosovare të sigurisë nuk kanë zhvilluar kapacitetet e nevojshme për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, siguria në nivel kombëtar u bë pjesë e politikëbërjes të institucioneve vendore. Mirëpo, rritja e përgjegjësive të institucioneve vendore shtroi dilema mbi vizionin dhe strategjinë që duhej ndjekur për zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve vendore të sigurisë.


Në këtë aspekt duhet të merret parasysh edhe zhvillimi i kapacitetit për vlerësimin gjithëpërfshirës të kërcënimeve dhe rreziqeve ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Por, një gjë e tillë ende nuk ka dhënë rezultat.

Nisur nga kjo vihen në pyetje sfidat e sigurisë kombëtare dhe apriori ballafaqimi me faktorët që po ndikojnë – duke renditur të ashtuquajturit faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.

Faktorët e brendshëm që e kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe po e sfidojnë janë:

1. Korrupsioni që ka përfshirë pothuajse të gjitha institucionet vendore.

2. Trafikimi i narkotikëve, duke e bërë Kosovën një vend transit e shpesh edhe vend ku shitet dhe blihet droga.

3. Kontrabandimi i armëve në sasi të konsiderueshme dhe i llojeve të ndryshme

4. Trafikimi i njerëzve nga Kosova për në vende të ndryshme të Evropës e madje edhe në Lindjen e Mesme.

Si faktor të jashtëm konsiderohen vendosja e organizatave joqeveritare në territorin e Republikës se Kosovës, ku disa nga këto organizata nuk janë në favor të mirëqenies dhe edukimit të qytetarëve të Kosovës dhe paraqesin rol destruktiv.

Hyrja e shtetasve të huaj në mënyrë ilegale brenda territorit të Kosovës dhe akomodimi i tyre është një sfidë në të ardhmen, karshi sigurisë kombëtare, sepse akoma nuk ka kapacitete të mjaftueshme për verifikimin e të kaluarës dhe të tashmes së atyre personave: se nga cili shtet arrijnë, cili ka qenë profesioni i tyre, a kanë qenë të involvuar në grupe kriminale apo në organizata terroriste.

Faktor tjetër i jashtëm konsiderohet edhe infiltrimi i agjentëve të shërbimeve sekrete të instaluara në Kosovë, disa nga të cilat të shteteve që nuk i dëshirojnë të mirën Kosovës.

Ne kuadër te sigurisë kombëtare mund te parashihen edhe rreziqet nga kërcënimet ekonomike dhe shoqërore , përfshirë epidemitë, pandemitë dhe katastrofat natyrore e të papritura tjera.

Sa i përket rrezikimit të sigurisë shëndetësore, shpesh herë ajo është sfiduar në rastin e epidemive. Për një dekadë të tërë pas luftës së vitit 1999, askush nuk u morr me hulumtime dhe analiza të thella dhe trajtimin e mostrave në laboratorë se prej nga u përhapen një seri sëmundjesh, si: ethet e minjve, gripi i shpezëve, pickimi i rriqrave…

Askush nuk doli me raporte konkrete për të treguar qartë se çfarë substancash përmbanin mostrat e derivateve në mauna që hyrën nga Maqedonia ne maj te vitit 2008 dhe qëndruan një kohë të gjatë ne Rahovec, Prizren dhe së fundi në Mitrovicë. A e din ndokush saktë se prej nga e kishte prejardhjen dhe për çfarë nevojitej ajo sasi substance e dyshuar, e paraqitur si produkt i naftës, si vaj solar, që gjoja ka prejardhje nge Irani.

Sfida tjetër e sigurisë kombëtare është edhe kontrollimi i importit të ushqimit nga vendet fqinje. Qytetarët vazhdojnë të konsumojmë ushqim jo kualitativ, me afat të skaduar, madje të përpunuar me lloj-lloj kombinime toksike, sidomos tek artikujt e higjienës.

Cenimi i territorit të republikës se Kosovës nga organizatat ekstreme serbe që operojnë në pjesën veriore të Kosovës., e me shtrirje të mëtejme në enklava, kanë sfiduar në masë institucionet e Kosovës. Veprimtaria ilegale e MUP-it serb dhe të agjencive tjera serbe në Kosovë, për çdo ditë e sfidojnë sigurinë kombëtare me kryerjen e veprave penale si rrahje, zjarrvënie, vrasje, përdorim të mjeteve eksplozive që e formësojnë figurën e akteve terroriste.

Kjo gjë është vështirë të përballohet me kapacitet dhe mekanizmat aktual që posedon Republika e Kosovës.

Në fakt, të gjitha veprimet e grupeve dhe organizatave ekstremiste serbe, cilësohen si akte terroriste. Për këtë çështje Kosova duhet të kërkojë ndihmë urgjente në rritjen e teknologjisë ushtarake dhe plotësimin e kapaciteteve operative të Policisë dhe të FSK-s, me mbështetje të miqve ndërkombëtarë. KFOR është për të ruajtur qetësinë dhe paqen në zonat ku kishte luftë, të parandalojë incidentet ndërkufitare e ndërshtetërore, ndërsa Institucionet e Kosovës e kanë për obligim për të mbrojtur vlerat e njerëzit brenda shtetit tonë sovran.