LAJMI I FUNDIT:

Kosova në OKB

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli, dhe ish ministri i Jashtëm Skënder Hyseni, patën një duel virtual, ditë më parë, rreth aplikimit të Kosovës në OKB. I pari paralajmëroi se së shpejti Kosova do të bëjë kërkesë për anëtarësim në OKB, e i dyti tha për të parin se “nuk e paska të qartë procedurën e anëtarësimit në OKB”, si dhe parashtroi “rrezikun që Kosova të bëhet si Palestina apo Saharaja Perëndimore”.

Në fakt, Pacolli nuk na bëri të qartë se çfarë kishte menduar saktësisht për kërkesën për anëtarësim, ndërsa Hyseni e mjegulloi edhe më shumë me rrezikun që sipas tij ekziston nëse Kosova bënë kërkesë për status të vëzhguesit në OKB. Ajo që në të vërtetë është e rëndësishme është se çfarëdo avancimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës, shkon në favor të përforcimit të shtetësisë së saj.

Duhet ta kemi të qartë që në fillim se Kosova nuk mund të bëhet anëtare e OKB-së me të drejta të plota deri sa të ekzistojë vetoja ruse dhe eventualisht ajo kineze. Rregullorja e OKB-së për anëtarësim, me rregullat nga 134 deri 138, në mënyrë shumë të qartë e parasheh procedurën e anëtarësimit të një shteti të ri. Qartazi shihet se duhet edhe rekomandimi i Këshillit të Sigurimit (KS), ku duhen nëntë vota pro, me kusht që asnjë anëtar i përhershëm të mos votojë kundër, si p.sh. Rusia apo Kina. Në rast se fitohet rekomandimi i KS-së, atëherë kërkesa kalon në Asamblenë e Përgjithshme (AP) ku votohet dhe kërkohet vota pro e së paku dy të tretave të anëtareve të OKB-së.


Është edhe një mundësi fare e zbehtë që të tejkalohet vetoja në KS, me aplikimin e rezolutës së AP të OKB-së, “United for peace” (të bashkuat për paqe), e cila përdoret në rast të kontradiktave të tilla në Këshillin e Sigurimit. Megjithatë, që të aplikohet kjo rezolutë, duhet të jetë një kërcënim i madh i sigurisë në botë.

Duke marrë parasysh kundërshtimin e fortë rus kundër Kosovës, një perspektivë e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në OKB është fare e zbehtë. Rusia do të vazhdojë të përdorë veton e saj kundër Kosovës, derisa qeveria serbe të pranojë të jetë e manipuluar nga Rusia. Insistimi ynë në këso kushtesh vetëm sa mund të jete kundërproduktiv. Një shembull i tillë është Palestina që më kot u mundua të ketë këtë status, kur dihej se SHBA-të do të votonin kundër duke vënë veton.

Situata, megjithatë, është larg nga ajo që ne të jemi të dëshpëruar. Ne, gjithsesi, nuk duhet të pajtohemi për “rrezikun” e kërkesës së Kosovës për anëtarësim si shtet vëzhgues në OKB. Ne mund të fitojmë statusin e shtetit vëzhgues, siç e ka shteti i Vatikanit. Për këtë status nuk ka veto të asnjë anëtari, por mjafton shumica e votave të vendeve anëtare në AP të OKB-së, e që në situatën aktuale na duhen 97 vota. Kjo nuk është pak, pasi Serbia pretendon se Kosova nuk është shtet dhe ja që OKB në njëfarë mënyre e vulos shtetësinë e Kosovës duke pranuar në gjirin e vet një shtet.

Pra, edhe pse OKB nuk njeh shtete (nuk bën pranimin formal të tyre), por i pranon apo nuk i pranon ato si anëtare, Kosova me këtë rast do fitonte statusin e shtetit në organizatën më të madhe botërore. Natyrisht, në këtë rast e famshmja fusnotë do binte në ujë, pasi ne mund të paraqitemi në OKB si të gjitha shtetet tjera.

Statusi i shtetit vëzhgues në OKB do të ishte një fitore e madhe për Kosovën dhe aspak një “skenar i Palestinës dhe Saharasë Perëndimore”. Në fakt, Palestina ka statusin e entitetit vëzhgues në OKB, të trashëguar nga ish Organizata për Çlirimin e Palestinës. Pra, entitet e jo shtet. Saharaja Perëndimore nuk ka kurrfarë statusi në OKB, përveç se është në listën e “territoreve jo të vetëqeverisura”.

Duhet rikujtuar se shumë shtete kanë pasur statusin e shtetit vëzhgues në OKB, të tilla si: Austria, Bangladeshi, Koreja veriore, Koreja Jugore, Vietnami, Gjermania Perëndimore, Gjermania Lindore, Finlanda, Japonia, Italia, Kuvajti, Monako, Spanja dhe Zvicra. Kjo e fundit ka qene shtet vëzhgues deri më 2002.

Në pamundësi për të qenë anëtare me të drejta të plota në OKB, benefitet e Kosovës si shtet vëzhgues do të ishin të shumta. Në këtë rast, Kosova do të kishte “vulën” e OKB-së si shtet dhe do ishte qesharake kur ndonjë zyrtar serb do të vazhdonte me refrenin bajat se “Kosova nuk është shtet”. Në një situatë të tillë, Kosova do të kishte të drejtën të jetë pjesë e agjencive të ndryshme të OKB-së, si palë e traktateve të shumta, duke përfshirë edhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) apo Gjykatën Ndërkombëtare të krimeve. Kjo mund të nënkuptojë se ne mund të padisim Serbinë për krimet e kryera në Kosovë.

Me këtë status ekziston e drejta e fjalës në punimet e AP të OKB-së, paraqitja e rezolutave të ndryshme, sponsorimi i tyre etj. E vetmja gjë që mungon është e drejta për të votuar.

Pra, në dritën e fakteve të paraqitura ne duhet të kemi qasje pragmatike, duke mos parë “ëndrra me sy hapur”. Në rrethanat aktuale të kundërshtimit të ashpër të Serbisë dhe aleatit të saj Rusisë, ne nuk mund të kemi pretendime të mëdha në një periudhë afatshkurtër. Avancimi ynë nga një shtet pa kurrfarë statusi në OKB, deri tek shteti vëzhgues në OKB, nuk është kurrfarë regresi po një progres i madh. Ky avancim do t’i bindë shumë shtete që nuk na kanë njohur, që të na njohin dhe kështu e shtojmë legjitimitetin e pavarësisë.

Ashtu si shumë shtete të cekura më lartë, që dikur ishin shtete vëzhguese e tash janë shtete me të drejta të plota në OKB, edhe Kosova mund të ketë një rrugë të tillë.