LAJMI I FUNDIT:

Vetcensurimi

Kultura e gazetarisë në Kosovë nuk mund të shihet e shkëputur nga kultura politike e shoqërore në vend, si dhe nga zhvillimi i mediave në Evropën Juglindore. Implementimi i strukturave demokratike dhe zhvillimeve në ekonomi, shoqëri dhe sistemin mediatik në këto vende, u bazua fillimisht te kopjimi apo imitimi i praktikave të vendeve të Perëndimit. Kështu, edhe në Kosovë imitimi jo kritik i strukturave perëndimore u kthye në burim të vetëm gjenerimi në të gjitha fushat, por pa pasur një reflektim të brendshëm për risitë dhe të metat e modelit të imituar.

Pasojat e këtij moderimi me telekomandë duken qartë në problemet e mediave tona me gjithë progresin e padiskutuar drejt një modeli pluralist dhe liberal. Një ndër arsyet se përse aplikimi i këtij modeli mbeti formal dhe dështoi në përmbajtje, ishte edhe mungesa e një kulture të ngjashme të gazetarisë që nuk kishte mundur të formësohej gjatë regjimit serb, me shtyp te pazhvilluar pluralist.

Koncepti teorik i kulturave gazetareske është relativisht i ri, nëse krahasohet me moshën e vërtetë të gazetarisë, dhe përmbledh praktikat gazetareske, standardet profesionale dhe aspektet etike që ekzistojnë në vende të ndryshme, me kushte historike të ndryshme. Gazetaria paraqitet si një proces pune i individëve profesionistë apo si një institucion i pavarur, si një profesion dhe diskurs brenda një konteksti konkret politik, ekonomik apo kulturor. Kështu, po të përkufizojmë paradigmën e kulturës së gazetarisë sot, kjo do ta vinte theksin te identiteti i gazetarit dhe te marrëdhëniet e gazetarisë me kontekstet e tjera shoqëruese.


Për të analizuar shkallën e zhvillimit mediatik dhe profesionalizmin e gazetarëve, identifikohen tri modele te sistemeve mediatike: modeli mesdhetar pluralist dhe i polarizuar (sidomos Italia), modeli demokratik korporatist i Evropës Perëndimore dhe modeli liberal i Atlantikut Verior.

Ndërsa dy modelet e fundit përmbushnin pak a shumë kriteret e një gazetarie cilësore duke respektuar standardet universale të gazetarisë, modeli i parë paraqiste një tipologji gazetarie dhe medie jo aq të panjohur për ne. Gazetarët dalloheshin si a më pak profesionistë dhe identifikoheshin më shumë me institucionin mediatik ku punojnë, se sa me profesionin e tyre. Për këtë, gazetaria ka lidhje të forta me elitat dhe partitë politike e mungesa e autonomisë së tyre dhe ku shoqatat e gazetarëve kanë pak ose aspak ndikim në jetën shoqërore dhe atë politike.

Modeli i kulturës gazetareske apo sistemit mediatik në një vend varej sipas tyre nga të paktën katër dimensione, si p.sh. zhvillimi i tregjeve mediatike që reflekton te tirazhi, korniza politike e marrëdhënies politikë – media, zhvillimi i gazetarisë profesionale, si dhe niveli i ndërhyrjes së shtetit në sistemin mediatik.

Duke u mbështetur ne etapat e procesit transformues në vendet postkomuniste, zhvillimin e sistemit mediatik në Kosovë mund ta specifikojmë kështu:

– Faza e parë, inkubacioni, përkon me fillimet e demonopolizimit dhe decentralizimit të medies së dikurshme shtetërore. Ajo karakterizohet nga një shtyp partizan revolucionar që operon në vakum një model hibrid ndërmjet shtypit privat dhe atij kooperativ, shpesh me vetë stafin si pronar. Kjo fazë e parë karakterizohet nga një marrëdhënie armiqësore ndërmjet Politikës dhe Medies. Politika që ende kërkonte modelin e vjetër të një shtypi bindës ndaj pushtetit dhe shtypi i ri që mëtonte zhvillimin dhe ndikimin në hapësirën publike, sipas modeleve të vendeve demokratike. Kësisoj në këtë fazë ndeshemi me një kulturë gazetareske agresive dhe kundërshtare.

– Në fazën e dytë forcohet legjislacioni i mediave dhe profesionalizmi i gazetarëve, rol këtu do të luajnë trajnimet dhe edukimi i mëtejshëm i gazetarëve dhe studentëve të gazetarisë, veçanërisht sipas modelit anglo-amerikan. Nga ana tjetër, në këtë fazë kemi ndërgjegjësimin e politikës për rolin e medias si aktor i rëndësishëm në hapësirën e komunikuar publike. Karakteristikë e fazës së dytë është superimi që media i bën politikës dhe përpjekjet e kësaj të fundit për të pasur ndikim dhe rol mbi të. Me gjithë përplasjet, kjo fazë e dytë dallohet për një politikë bashkëvepruese ndërmjet dy aktorëve medias dhe politikës.

– Në fazën e tretë përsoset më tej korniza ligjore dhe zhvillimi teknologjik i medias, si dhe rritet numri i kompanive mediatike, por njëkohësisht dobësohet roli i medias. Tani si efekt kryesor kemi ndikimin e pronësisë mbi politikën editoriale dhe stafin e gazetarëve që sjell mungesa e pavarësisë në ushtrimin cilësor të profesionit. Dominimi sado i lehtë i medias mbi politikën, në fazën e dytë, shndërrohet tashmë në kah të kundërt – politika përmes pronarëve të medias dominon median.

Kështu, po t’i kthehemi sërish modelit të polarizuar dhe ta krahasojmë atë me sistemin mediatik, bien në sy disa pikëtakime – përputhja e tirazheve të ulëta. Mungesa e profesionalizmit të gazetarëve, ndërhyrja e shtetit me anë të formave të ndryshme, strukturat e dobëta në mbrojtje të gazetarëve e të tjera aspekte që reflektojnë një demokratizim të papërmbushur. Me gjithë ngjashmëritë, nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes se cilësia e këtyre mangësive është e ndryshme.

Tendenca e medias për të imituar modele perëndimore, evropianizimin apo amerikanizimin, nuk është veçse prirje për t’iu afruar një modeli global, një kulture dominuese të gazetarisë. Nëse me këtë kulturë do të nënkuptonim ato vlera dhe ideale të gazetarit bazuar te objektiviteti, ndarja e faktit nga komenti dhe te roli i gazetarit si një vëzhgues i distancuar, atëherë kultura dominuese do të ishte modeli anglo-amerikan i gazetarisë.

Por, nga kjo, kultura e gazetarisë sonë ka imituar formën, vetëm prioriteti qëndron te kënaqja e tregut dhe e nevojave komerciale të pronarëve – në vend të shërbimit ndaj publikut. Nga kjo tablo të krijohet përshtypja se kultura dominuese e gazetarisë në Kosovë ka trajtën e një modeli hibrid me tipare nga media e polarizuar edhe nga ajo komerciale – tabloide anglosaksone. Ky model hibrid është ende larg gazetarisë cilësore dhe karakterizohet nga ekzistenca e ideologjizimit, si mbetje e ndërgjegjshme ose jo nga koha e komunizmit; imitimi sipërfaqësor i formateve dhe modeleve perëndimore pa i përshtatur vërtet ato ekzistenca të një fryme konfliktuale dhe emocionale në raportimin mbi çështje të ndryshme politike dhe sociale; orientimi lokal si aspekt tipik i kulturave territoriale që sjell ngushtim të tematikave me raportimin vetëm brenda kufijve kulturorë; mosklasifikimi i qartë i mediave cilësore nga ato jocilësore, si dhe nga një mbështetje e fortë e strukturave politike dhe gatishmëria e theksuar për të bashkëvepruar me partitë politike në periudha zgjedhore.

Kriza e identifikimit të gazetarëve me kredon dhe profesionin e gazetarit si një institucion i pavarur, si dhe me rolin e funksionin në shoqëri, është një tipar dallues i kulturës së gazetarisë sonë. Meqë vetëpërkufizimi i gazetarëve lidhet ngushtë me kontekstin kombëtar të një vendi, është i kuptueshëm fakti se mungesa e një tradite të mirëfilltë të gazetarisë cilësore dhe e një mendësie të orientuar drejt vlerave të pranuara si universale të gazetarisë, ndikon që parime elementaret – si objektiviteti apo paanshmëria – të merren jo si vlera konstante, por të ndryshueshme. Nga ana tjetër, teoria normative e manualeve të gazetarisë bie ndesh me paradigmën globale sot, ku gazetaria evropiane dhe ajo amerikane sado cilësore po orientohen përherë e më shumë drejt atyre lajmeve apo informacioneve që duhet të mbështeten mbi fakte, por të jenë njëkohësisht sa interesante aq edhe të shitshme.

Në këtë udhëkryq të vlerave gazetari ynë i largohet identifikimit me profesionin e tij që kudo ndodhet në një lloj krize identiteti, duke u lidhur përherë e më shumë pas pronarit të mediumit ku punon, i cili në sytë e tij paraqet një shtyllë të qëndrueshme për karrierën e tij. Për ta ruajtur këtë gjendje vetëkontrolli, si kusht i domosdoshëm për gazetarin vëzhgues, kthehet ngadalë në një vetëcensurë në emër të së cilës opinionet përzihen me lajmet dhe angazhimi profesional ngatërrohet shpesh me atë politik. PR-i politik merret dhe aprovohet pa kurrfarë verifikimi dhe kritike, duke i kthyer gazetarët në zëdhënës të partive politike: raportimi bëhet i njëanshëm. Detyrimisht edhe ndërhyrja e politikës apo e biznesit në kredon e profesionit merret e mirëqenë. Për ta ilustruar me thënien e një dijetari: “Gazetari që u nënshtrohet politikave të gazetës fillon të mbajë përbrenda dhe t’i duken të natyrshme presionet të cilave u nënshtrohet, duke zhvilluar atë që quhet vetëcensurë ose ndryshe procesi me anë të të cilit gazetarët marrin me mend atë që pronari i medies dëshiron të dëgjojë”.

Për të bërë një analogji; nëse thembra e Akilit për politikën tonë këto 10 vjet ka qenë kontestimi i përhershëm i zgjedhjeve, për sistemin mediatik duket është vetëcensura që ka një traditë të gjatë në të gjitha etapat e zhvillimit historik dhe ushtrimit të gazetarisë në vendin tonë.