LAJMI I FUNDIT:

Kush po e “vjedhë” historinë?

Para disa ditësh, pash një raport në një nga gazetat e përditshme kosovare se Serbia ka futur në monografinë e saj edhe elemente të kultit që gjenden në territorin e Kosovës. Kjo më ngjalli ndjenjën se me të vërtet popullit tonë po i bëhet një e padrejtë e paparë dhe një shkelje flagrante e trashëgimisë kulturore të kësaj treve.

Me faktin se shteti Serb pretendon se ajo trashëgimi i takon asaj dhe me vet faktin se ata e kanë botuar për herën e dytë këtë monografi, tregon haptas pretendimet qe ky shtet tashmë i ka të njohura për vendin tonë. Por, tash me një mënyre tjetër: duke paraqitur ato monumente në qarqe ndërkombëtare se i takojnë kultit dhe fesë së tyre. Kjo është një “luftë” e re më “paqësore” nga ana e shtetit Serb.

Por, realisht çfarë përfitoi shteti serb nga përfshirja e këtyre monumenteve në atë monografi? Realisht përfitoi shumë, duke i përfshirë Manastirin i Graçanicës, atë të Deçanit dhe Patrikanën e Pejës si pjesë të kulturës së tyre. Të gjitha janë futur në listën e pesë vendeve të shenjta më të rëndësishme në Mesdhe. E çka nënkupton kjo? Kjo nënkupton se kultura dhe trashëgimia serbe është antike dhe se këto treva i takojnë kulturës dhe trashëgimisë serbe.


Ishte qesharake se nuk patëm asnjë deklaratë nga asnjë institucion, si nga Qeveria ashtu nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës. I vetmi i cili ngriti zërin kundër kësaj çështje ishte historiani Jusuf Buxhovi, i cili në librin e tij “Kosova” u shpreh qartë se kujt i takojnë ato monumente; se sa kohë më parë janë ato monumente – para se sllavët të vinin në Ballkan.

Por, të ndalemi edhe një herë tek synimi kryesor që Serbia po mundohet ta krijojë (e ndoshta edhe ia ka arritur), e ai synim pa dyshim është krijimi i opinionit ndërkombëtar se ajo pjesë e historisë së Kosovës i takon kulturës dhe historisë së Serbisë, ndërsa shteti ynë ndoshta është ende ne gjumin e rëndë dimëror. Sipas kësaj logjike të shtetit serb, na del se në Kosovë, por edhe në trevat tjera shqiptare, e gjithë kultura e monumentet kulturore u takojnë shteteve që kanë pushtuar kur ato u ngritën.
Shembulli më i mirë, i kësaj “logjike” serbe është nëse Turqia si shtet që ka sunduar trojet shqiptare për 500 vjet të filloj që monumentet e kultit t`i paraqesë si pjesë të tyre në mekanizma dhe organizata ndërkombëtare.

Por jo, Turqia asnjëherë nuk ka ndjekur politikë të llojit të tillë, si kjo serbe, e cila siç thotë populli:“me mish e më shpirt” po mundohet që ta krijoj një realitet të ri në Kosovë (duke shfrytëzuar në maksimum të drejtat që ua ka dhënë pakoja e Ahtisarit).

Andaj, ata që janë duke biseduar më shtetin serb nuk duhet të harrojnë se kultura dhe trashëgimia e këtij populli është më lashtë se sa ata që pretendojnë se ajo ju takon.