LAJMI I FUNDIT:

Kthimi në stadium pas 22 vjetësh

Një euro për futbollin tonë

Euron që sot e shpenzojmë për baste, do të ishte mirë ta investojmë për të ardhmen e futbollit tonë. Jo duke falur një euro kujtdo qoftë, por duke shkuar atje në stadium për t’u bërë edhe vetë pjesë e lojës. Për të nxjerrë nga balta këtë sport me të gjitha të mirat e tij, më shumë duhet iniciativë e vullnet i mirë se sa para.

Kthimi në stadium


Vikend pranvere. Afrohet mesdita. Masa e njerëzve, në rrugët kryesore të qytetit, sa vjen e shtohet.

Megjithëse, pas dy orësh, në stadiumin e qytetit, pritet të zhvillohet një ndeshje futbolli, rrallë kush ka vendosur të kalojë pak çaste të asaj dite, duke shikuar futboll drejtpërdrejtë në fushë. Edhe shoqërimi i njerëzve nuk duket i thjeshtë. Nuk shihet ndonjë gatishmëri për hapa në drejtim të stadiumit. Nostalgjia për futboll te dashamirët e vërtetë të futbollit zorshëm po e bën të vetën.

Këmbët anojnë vetvetiu andej nga vjen zhurma e një grupi simpatizuesish e të cilët kanë bërë emër edhe me një nofkë e cila nuk është temë e këtij shënimi. Interesimi për t’u kthyer në stadium, pas 22 vjetësh ngadhënjen. Përpjekja për të krijuar një imazh të mirë për atë që do të shohësh në fushën e gjelbër nuk mungon. Dihet mirë se edhe vetë dashamirët e futbollit janë pjesë e lojës.

Për leverdinë e kësaj loje nuk ka nevojë të flitet.

Shtrohet pyetja se a jemi të gatshëm, jo vetëm të luajmë, por dhe të shikojmë futboll?

Megjithëse shohim ndeshje futbolli nga ligat më të njohura e më cilësore të botës, sjellja jonë qytetare ende lë shumë për të dëshiruar. Kemi dëshirë të shohim futboll të bukur, por me asgjë nuk i kontribuojmë përmirësimit të gjendjes së rendë në të cilën gjendet ky sport, aq i bukur e aq i rëndësishëm, jo vetëm për ata që merren drejtpërdrejtë me te, por për të gjithë pa përjashtim.

Aty në hyrje, bërlloku

Rrëmuja e dikurshme përreth stadiumit të Prishtinës, kafenetë, tregu, balta e shumëçka tjetër, tashmë janë larguar prej andej. Rruga përreth stadiumit, e ndërtuar rishtas, mundëson një qarkullim komod, ndërsa hapësira në të gjitha hyrjet në stadium ka mbetur shumë keq. Aty kishte shumë mbeturina mbi të cilat kalohej. Krejt imazhi prishet që në hyrje. Përbrenda shihen përplot letra të hedhura, ambalazh pijesh, mbeturina farash, por edhe shumëçka tjetër të pa dëshiruar. Pamja dukej sikur të ishte shkret, si të mos ishte pastruar asnjëherë. Mundemi më mirë, thotë secili nga ne, por për këtë, duhet disiplinë, edukatë.

Si do të mund të përshkruhej stadiumi i pastër plot shikues?

Mund t’ia kthejmë Kosovës futbollin që i ka hije?

Mundemi, hiq pa dyshim.

Sa shumë na mungon iniciativa për organizim të mbarë.

Nuk ka nevojë për zbulime të reja, por për rend dhe disiplinë. Po të provonim organizimin si duhet do ta befasonim shumëkënd për të mirë. Edhe ata që vendosin sot për fatin e lojës më të popullarizuar në botë do të na vlerësonin më ndryshe. Puna për t’ia kthyer imazhin kësaj loje duhet të fillojë pa u vonuar dhe pikërisht, së pari në Prishtinë.

Shembulli do të ndiqej shpejt gjithandej Kosovës.

Në universitet, në shkolla të mesme, po pse jo edhe në shkollat fillore, ka arsimtarë të mirë që e duan futbollin. Organizimit duhet t’i qasen ata të cilët janë përditë në kontakt me njerëz. Stadiumet mund t’i mbushë organizimi i mirë i atyre njerëzve që vërtet e duan futbollin. Këtë mund ta bëjnë, jo ata që shkojnë nëpër stadiume për eksese e tollovi të pakontrolluara, por ata që vërtet e duan këtë lojë. Me organizime e sjellje të civilizuara të vetë atyre që e duan vërtet futbollin, gjithçka do të kthehej gradualisht në binarët e dëshiruar të cilët i duhen, jo vetëm kësaj loje, por edhe gjithë Kosovës.

Dashamirët e vërtetë të futbollit do të mund të kthehen në stadium vetëm pa politikë banale e sterile të kafeneve, nga e cila nuk pjellë asgjë e mirë.

Brenda, në stadium

Blejmë nga një biletë dhe futemi në stadium.

Më mirë dy-tre orë në stadium se në kafene, larg kompjuterit apo në gjumë. Më mirë një euro për futboll se për një pako duhan, një tiketë basti, apo një “makiato”.

Megjithëse e dimë mirë dhe nuk mund të presim ndonjë lojë spektakolare, ia vlen të shkohet në stadium. Ka bileta hyrëse sa të duash. Çmimi nuk është i lartë. Një apo dy euro, për të larguar monotoninë dhe hallet e përditshme, për plot dy orë, nuk është ndonjë çmim i lartë. Takojmë ndonjë shok të vjetër, dashamirës të futbollit. Duket sikur habitemi pak nga takimi me njeri-tjetrin atje ku nuk jemi parë e takuar moti.

Të ka marrë malli?- pyesim njeri-tjetrin pa ia shtuar fjalën futboll. Cilin takim e ke parë dje?- pason pyetja e njërit, dhe pastaj rrëfimi për futbollin evropian të cilin e shohim përditë në TV, nuk ka të ndalur.

Një grup fëmijësh, moshash të ndryshme, enden pa ndërprerë, duke shkelur çdo ulëse. Atyre sikur nuk iu intereson loja në fushë. Shumëkush mund të ketë pyetur se cili është caku i tyre. Nuk mund t’i shihje tek shikonin ngjarjen që po zhvillohej në fushë. Ajo endje pa ndërprerë, dukej e pahijshme.

Mund te imagjinohet stadiumi i Prishtinës, i pastër përplot njerëz të gjitha moshave e gjinive, ashtu siç i shohim përditë nga ligat evropiane. Ulëset në atë gjendje nuk të ofrojnë mundësi as për t’u mbështetur për një çast. Nuk na duhen stadiume gjigante, por mirëmbajtja e atyre ekzistues. Gjendja në stadium flet shumë. Për të qenë fatkeqësia më e madhe, ne nuk pranojmë asnjëherë se sjellja jonë jashtë rregullave, po na dëmton të gjithëve pa përjashtim, gjithë deri tek imazhi i vetë Kosovës.

Kur fillon loja

Në stadium ka pak shikues. Megjithëse janë të moshave të ndryshme, sjellja e tyre nuk i kontribuon emancipimit të kësaj loje. Fitohet përshtypja sikur nuk kanë ardhur të shohin lojën, por për ta prishur atë.

Tek atëherë kur fillon loja njeriu sheh nivelin e futbollit te ne. Fillojnë britmat. Fillojnë sharjet. Për çdo referim ka fyerje nga më të ndytat. Jo pak herë hedhën gjësende mbi gjyqtarët. Gjithçka duket e zymtë.

A mund të jemi ndryshe? A mund të krijojmë atmosferë të vërtetë futbolli?

Sa duket edhe ata pak njerëz që kalërojnë nëpër stadiume, ende nuk e kanë kuptuar se edhe vetë janë pjesë e kësaj loje.

Britmat dhe sharjet gjatë gjithë lojës, nuk u ndalen asnjëherë.

Ashtu nuk krijohet atmosferë futbolli.

Ashtu nuk përmirësohet imazhi i futbollit tonë.

Ashtu vetëm mashtrojmë vetveten.

Nuk jemi aq të varfër sa për një top

Në atë ndeshje shihej vetëm një top rezervë dhe nuk mund të imagjinohej dëmtimi i topit me të cilin luhej. Ndoshta ka pasur edhe të tjerë, por nuk i pa askush. Madje në fund të takimit, njeri nga lojtarët vendas e hodhi topin jashtë stadiumit, dhe nuk dihet a e ktheu kush brenda, pasi që kjo ngjau me të mbaruar të lojës. Do t’i ketë shkuar mendja dikujt se si mund të zhvillohet një lojë pa pesë a gjashtë topa rezervë. A do t’i ketë shkuar mendja dikujt se futbolli ynë gjendet në një situatë kur mund të mungojnë edhe topat. Nuk është këtu fjala se a kemi rënë aq poshtë dhe me të vërtetë jemi aq të varfër. Nuk jemi aq të varfër sa të mos kemi as topa sa duhet, por na duhet shumë më tepër ndjenjë organizimi e cila mungon. Nuk duhet t’u lëmë hapësirë të tjerëve që të tallen me ne, qoftë edhe për një top.

E diela e fundit para se të fillojë pranvera ishte një ditë e bukur e me diell.

Dashuria ndaj lojës se futbollit është e vjetër. Do të ishte mirë t’i japim rast kësaj dashurie me interes për të gjithë ne.

Në trend

Më shumë
Vrasja e burrit që dogji Kuranin ishte transmetuar drejtpërdrejt në TikTok, policia suedeze gjeti në apartamentin e tij telefonin e ndezur

Vrasja e burrit që dogji Kuranin ishte transmetuar drejtpërdrejt në TikTok, policia suedeze gjeti në apartamentin e tij telefonin e ndezur

Evropa
Xheneta reagon për herë të parë pas daljes nga BBVK: Kam nevojë për kohën time për të reflektuar dhe t’i kapem realitetit jashtë asaj shtëpie

Xheneta reagon për herë të parë pas daljes nga BBVK: Kam nevojë për kohën time për të reflektuar dhe t’i kapem realitetit jashtë asaj shtëpie

Magazina
Gjenerali gjerman paralajmëron ndërhyrjen ruse: Nuk jemi më në paqe

Gjenerali gjerman paralajmëron ndërhyrjen ruse: Nuk jemi më në paqe

Evropa
Amir Rrahmani pritet të largohet nga Napoli

Amir Rrahmani pritet të largohet nga Napoli

Serie A
Teoricienët e konspiracionit thonë se përplasja e helikopterit me aeroplanin në Uashington ishte e qëllimshme – tregojnë ‘argumentet e tyre’

Teoricienët e konspiracionit thonë se përplasja e helikopterit me aeroplanin në Uashington ishte e qëllimshme – tregojnë ‘argumentet e tyre’

Amerika
Fisnik Syla del vullnetar për t'i paguar Gjestit 100 mijë eurot e Big Brother VIP Albania

Fisnik Syla del vullnetar për t'i paguar Gjestit 100 mijë eurot e Big Brother VIP Albania

Magazina
Kalo në kategori