LAJMI I FUNDIT:

Ndryshim kohësh e i mendësisë apo ndryshim i komunikimit

Në kohën e fëmijërisë dhe të rinisë sime, kur dëgjonim ndonjë anekdotë qesharake, ose kur dikush bënte ndonjë veprim qesharak, e ne gajaseshim duke qeshur, përdornim shprehjen “u shkoqëm t’u qeshë” ose “jam shkoq t’u qeshë”. E tani fëmijët dhe të rinjtë e shekullit XXI, në raste të tilla, nuk thonë kështu, por përdorin shprehjen “u nximë t’u qeshë” ose “jam nxi t’u qeshë”.

Pasardhësit jo gjithnjë dhe jo gjithçka trashëgojnë nga të parët. Ose i trashëgojnë, por i shprehin ndryshe. Jo vetëm në teknologji, por duket që edhe në të shprehur ka ndryshuar koha. Ato tonat janë vjetërsuar dhe janë zëvendësuar me shprehjet e reja.
E kur më të vjetrit do të shpreheshin njëjtë si atëherë, fëmijët dhe të rinjtë e sotshëm do të thoshin: “u nximë t’u qeshë”. Dhe e kundërta, kur të rinjtë do të përdorin shprehjen e tyre, më të vjetrit do të përdorin shprehjen “u shkoqëm t’u qeshë”, ose “m’shkoqe t’u qeshë”.

Që të dyja palët do të qeshen. Do të përqeshin dhe përgojojnë njëri-tjetrin, ose do ta fusin në lojë palën tjetër me shprehjet e përdorura e të papranueshme për ta. Derisa më të vjetërve u duket e pakuptimtë shprehja “u nximë t’u qeshë”, të rinjve të sotshëm u duket e pakuptimtë shprehja “u shkoqëm t’u qeshë”.


Megjithatë, që të dyja kanë të përbashkëtën. Si e para edhe e dyta kanë të njëjtin kuptim, e njëjta metaforë, të njëjtin qëllim, por që dëftohen me shprehje të ndryshme.

Nuk di si do të përkthehej në gjuhë të tjera, dhe a e ka kuptimin e njëjtë, por ama, deshëm ose jo të pranonim, kur një i ri ose kushdo tjetër të përdor shprehjen e dytë, dhe kur një më i vjetër përdor shprehjen e parë, kuptohet që paska pasur një moment shumë ngazëllues.

E momente të tilla ka çdo ditë, dhe shyqyr Zotit që ka, se mozomakeq, po të mos kishte të tilla momente, jeta do të ishte bërë bajate, monotone.

Ka njerëz të prirë për gjëra të tilla, që çdo veprim e shndërrojnë në humor, e i bëjnë që njerëzit e lodhur nga hallet e jetës, të qeshin, dhe për një çast t’i harrojnë brengat. E po, po të mos ishin edhe këto momente ngazëlluese, mos vet halli për ne.

Ndërsa, po t’i bënim një analizë kuptimore këtyre dy shprehjeve, si të parës së kohës sonë: “u shkoqëm t’u qeshë” e si të dytës së kohës së të rinjve të tanishëm: “u nximë t’u qeshë”, do të arrinim në pikën zero. Sepse, në realitet as mund të shkoqemi e as të nxihemi nga e qeshura, por përjetojmë çaste të bukura dhe të hareshme, e që është e kundërta e shprehjeve “shkoqemi” dhe “nxihemi”.

Ky ndryshim kohor ndërmjet messhekullit e fundshekullit XX, dhe fillimshekullit XXI, e ky konflikt gjeneratash as ka filluar me ne e as do të mbarojë këtu. Ka pasur dhe do të ketë edhe më tutje ndryshime si në sjellje po ashtu edhe në shprehje. Kjo është filozofia e jetës.

Ne, në kohën tonë nuk pajtoheshim dot me gjeneratat e mëparshme, këta të sotshmit nuk pajtohen me ne. Ka ndodhur shpesh që prindërve tanë t’u themi: “nuk i kuptoni ju këto gjëra”, e ata na kanë shikuar përçudshëm. Sikur të mos kenë kaluar edhe ata nëpër fazat që kalonim ne.

Fëmijët e sotëm u thonë prindërve “nuk i kuptoni ju tripat tanë”. Sikur të mos kishin kaluar edhe ata (prindërit e tyre) nëpër ato faza që kalojnë tani këta.

Po të gjykohet drejtë, do të vinim në përfundim që kjo nuk është tjetër, pos i njëjti veprim si i yni atëherë, ashtu edhe i të rinjve tani, me shprehje të ndryshme e me të njëjtin kuptim, i përdorur nga breza të ndryshëm.

Ne, më të vjetërve (prindërve tanë) “nuk i kuptoni ju këto gjëra” e këta, fëmijët tanë, neve “nuk na kuptoni tripat”. A i kanë kuptuar dhe a i kanë ditur “gjërat” prindërit tanë, dhe a i kuptojmë ne “tripat” e të rinjve, mbetet për t’u diskutuar.

Por, një gjë lë të kuptohet. Si prindërit tanë, ashtu edhe ne kemi qenë fëmijë e të rinj, mu si të rinjtë e sotshëm, vetëm në rrethana të ndryshme dhe në etapa të ndryshme kohore.

Ne kemi luajtur “gërr” me kobure të drunjta dhe kemi bërë “luftë” me shpata po ashtu të drunjta, e këta me counter-strike. Pra, të njëjtat lojëra, vetëm me një teknologji të ndryshme.

Këta të sotshmit kanë një teknologji më të sofistikuar. Pastaj kanë ndryshuar edhe vendet e lojës. Ne nëpër oborre dhe sokakë, e këta nëpër dhoma pranë kompjuterit.

Tani, ne jemi në fazën kur i kuptojmë më të vjetrit e kohës sonë, por ata më nuk janë me ne për të gjykuar. Ashtu, siç nuk do të jemi mbase as ne, kur të rinjtë e sotëm do të kuptojnë që mbase ne ua kemi kuptuar “tripat”, kur të kenë të njëjtat debate, dhe të njëjtat konflikte ose mosmarrëveshje me fëmijët e tyre.

Gjeneratat e shekullit XXI, që e kanë mësuar “hezber” punën me kompjuter, e që mësimet e para i kanë marrë nga më të vjetrit, çuditen dhe nuk mund të pranojnë që një i moshuar di të përdor kompjuterin, ka adresë të hapur në “Facebook, ose Twitter”.
Për ta është qesharake. Ç’kërkojnë të vjetrit në këto faqe interneti ku debatohen tema boshe. Facebook dhe Twiter janë faqe interneti për të rinjtë, e jo t’i rrasin hundët edhe të vjetrit, sepse më të vjetrit nuk kanë “tripa” dhe nuk ia kuptojnë “tripat” të rinjve.

Ndryshe nga ta, në kohën tonë, kur flitej për civilizim dhe emancipim të njeriut, shpesh dëgjohej nga më të shkolluarit, që emancipimi dhe civilizimi i popullatës tonë do të avancohet kur, gjyshi ose gjyshja i thotë nipit: “Më blej gazetën”.

Kështu thuhej para tridhjetë viteve, sepse të rrallë ishin prindërit, e të mos flasim për gjyshërit e arsimuar. Shkollat shqipe në trojet jashtë Shqipërisë janë hapur vonë, në mesin e viteve të dyzeta dhe në fillim të viteve të pesëdhjeta të fundshekullit XX.

E sot, kur gjyshërit dhe gjyshet janë të arsimuar dhe kur që të gjithë dinë, jo vetëm të lexojnë gazetën, por edhe të përdorin kompjuterin, fëmijët çuditen, e u thonë më të vjetërve “s’na kuptoni tripat!”. “Jeni njerëz të shekullit të kaluar, apo, jeni demoduar”.

Njëmend, po. Gjeneratat më të vjetra janë demoduar si me sjellje ashtu edhe me shprehje. Të rinjtë “kullerat” siç po kanë dëshirë t’i thërrasim nuk përdorin më shprehje demode: “isha në varrim”, ose “e varrosëm një njeri të vdekur” por e kanë shprehjen e vet: “e mbollëm një njeri!?” ose “ishim të mbillnim një njeri!?”. Dhe s’ka më “ngushëllime…” po “kull be njeri a vdiq tipi a.?!”

Deshëm ose jo ta pranojmë, të rinjtë e sotshëm kanë të drejtë kur thonë që nuk ua kuptojmë “tripat”. Njëmend jemi demoduar dhe s’i kuptojmë “tripat” e tyre, edhe pse nuk ndalemi së “shkoquri t’u qeshë”, sikur që ata nuk ndalen së “nxiri t’u qeshë”… dhe që të dyja palët kemi të drejtë. Edhe ju, që nuk gjykoni kështu, e që mund të reagoni ndaj krejt kësaj që e thashë deri më tani, keni të drejtë, po ashtu..

Sepse, “e drejta” ndër tjerash, është tërësia e normave që rregullojnë marrëdhëniet shoqërore ndërmjet njerëzve në një vend të caktuar, të cilat ndërtohen sipas vullnetit, qëllimeve e interesave të klasës në fuqi; diçka që është në përputhje me parimet e një shoqërie; diçka që është e vërtetë; që përputhet me gjendjen e me faktet reale; mendim, gjykim a veprim i drejtë.

Prandaj, e drejtë e gjithkujt është të gjykojë sipas mendjes së vet. Dhe s’ka hidhërim. Edhe atëherë kur nuk pajtohemi për një gjë, kemi të përbashkët pajtimin që nuk pajtohemi, dhe kaq.

Më të vjetrit le të vazhdojnë të “shkoqen t’u qeshë” e më të rinjtë le të vazhdojnë të “nxihen t’u qeshë”. Më të vjetrit le të vazhdojnë të “varrosin” njerëz, e më të rinjtë le të vazhdojnë të “mbjellin” njerëz.

E si të shpjegohet kjo, si ndryshim kohësh e i mendësisë, apo ndryshim komunikimi?

Në trend

Më shumë
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

Magazina
Kurti tha se marrëdhëniet me SHBA nuk kanë qenë kurrë më të mira, i kundërpërgjigjet Grenell

Kurti tha se marrëdhëniet me SHBA nuk kanë qenë kurrë më të mira, i kundërpërgjigjet Grenell

Lajme
Shkencëtarët çekë zbulojnë në Shqipëri liqenin termal nëntokësor më të madh në botë

Shkencëtarët çekë zbulojnë në Shqipëri liqenin termal nëntokësor më të madh në botë

Lajme

"S'është i besueshëm për SHBA-në", Kurti e komenton deklaratën e Grenellit

Politikë
Zbulohet “plani i rrjedhur i paqes i Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë” - këto janë disa nga detajet

Zbulohet “plani i rrjedhur i paqes i Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë” - këto janë disa nga detajet

Botë
Kalo në kategori