LAJMI I FUNDIT:

Shpresa e vrarë e pensionistit.

Pensionistëve të Kosovës edhe një herë u është mohuar e drejta që, sipas ligjit, t’i gëzojnë pensionet e tyre.

Në mbledhjen e Parlamentit të Kosovës, të mbajtur më datën 1 mars, u shqyrtua peticioni i pensionistëve, përmes të cilit pensionistët ia bënin me dije Parlamentit te Kosovës se të drejtat e tyre janë duke u shkelur turpshëm nga Qeveria e Kosovës.

Por, Parlamentit të Kosovës si duket iu ngatërrua koncepti dhe nuk do apo nuk di të dalloj se çka do të thotë kategori sociale e çka do të thotë te jesh pensionist kontribut-pagues.


Nenad Rasici këtij propozimi iu kundërvu me arsyetimin se pensionistët kontribut- dhënës qenkan kategori sociale dhe se trajtimi i tyre nuk duhet të dalloj nga kategoritë tjera. Sipas tij, për këtë qellim Qeverisë i mungon buxheti.

Në fakt, kjo i bie që Qeveria nuk do që ta dëmtoj luksin e vet dhe ta përmirësoj pozitën e mjerë të pensionistëve. Pensionistët e Kosovës, sipas ministrit Rasic, duhet edhe më tutje të vuajnë për bukën e gojës dhe ta luajnë lojën e lypsarit, përderisa paratë e tyre të deponuara për t’i shfrytëzua në ditët më të rënda të pleqërisë, do t’i shfrytëzojnë qeveritaret e parlamentarët!

Është turp për një Parlament, si organi më i lart legjislativ, që nuk sjell vendime dhe qëndrime në baza të drejtës kushtetuese, por vepron sipas programeve partiake. Në këtë Parlament partitë politike ia tregojnë njëra-tjetrës muskujt se kush i ka më të fortë, duke punuar sipas programeve partiake. E, pensionistët e Kosovës nuk iu drejtuan partive politike që t’i kërkojnë të drejtat e tyre të cilat po ju shkelen që 12 vite, por kërkuan nga Parlamenti, si organ më i lartë legjislativ, që diskriminimi ndaj pensionistëve sa ma parë të marrë fund.

Për çudi ndodhi krejt e kundërta. Në vend që të diskutohet në mënyrë parimore pozita e mjerë e pensionistëve, debati u përdorë për të bërë promovime politike në interes të programeve partiake. Sjellja e deputetëve u ngjante tifozëve në fushën e futbollit, e jo një Parlamenti ku detyra e tyre do të ishte që të sjellin vendime për rend e ligj, dhe respektim të qytetarëve, pra edhe pensionistëve.

Qytetaret e Kosovës janë të rrezikuar nga funksionimi i tillë, sepse ky Parlament nuk ka gatishmëri që ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë ta fut në funksion të Republikës së Kosovës. Ata po japin shembull të keq para bashkësisë ndërkombëtare dhe miqve tanë, sepse Kushtetuta e aprovuar në këtë parlament nuk zbërthehet në ligje, po mbahet si dekor, ndërsa të drejtat e njeriut shkelen.

Pensionistëve të Kosovës edhe njëherë ju vra shpresa se do të kthehen paratë e tyre, të deponuara për t’i shfrytëzuar në ditët e pleqërisë. Ata si duket do të vazhdojnë ta durojnë këtë diskriminim nga ana e pushtetit, i cili ka filluar të shndërrohet në krim kundër të drejtave të pensionistëve.

(Autori është pensionist, ish-punëtor i kombinatit Trepça)