LAJMI I FUNDIT:

2011-ta, vit i diskriminimit të gazetarëve

Gazetaria shqiptare, në veçanti ajo kosovare, po e përfundon një ndër vitet më të vështira në historinë e saj mbi 60 vjeçare. Është kjo krizë, e cila e ka mbërthyer këtë profesion që nga fillimviti 2011, kur shumë medie kosovare, veçmas ato të shkruara, dështuan në projektet e tyre zhvillimore, që ia kishin parashtruar vetes, me llogari gjithsesi të gabuara, duke menduar se mund të përfitojnë e mbijetojnë me para të Qeverisë së Kosovës, të inkasuara kryesisht nga reklama. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se mediet e shkruara në projektet e tyre nuk patën edhe llogari të tjera, duke i bërë gazetat (shih “Zërin” dhe “Kosova Sot”), si llotari të fatit, duke tentuar që përmes lojërave shpërblyese të llojit “gërvisht e fito”, të krijojnë opinionin e tyre vetëm komercial, por jo edhe lexues të mirëfilltë.

Pikërisht projektet e tilla, nxorën në plan të dytë apo të tretë avancimin e gazetarisë, informimin e drejtë e të paanshëm. Madje, nisën fushatën e spastrimit, duke i hedhur në rrugë gazetarët me përvojë edhe mbi 20 vjeçare; kryeredaktorë e redaktorë, siç ndodhi e po ndodh në veçanti në gazetën “Zëri”, gazetë kjo, e cila prin me numrin e dëbimeve nga puna të gazetarëve e të redaktorëve, por edhe në ndonjë gazete tjetër, si “Kosova Sot”, “Epoka e Re”, “Infopress” etj…

Nuk është çudi pse ndodhin gjëra të tilla në hapësirën informative kosovare, kur dihet se në krye të disa medieve vendosen njerëz kinse të biznesit, por që në fakt nuk marrin erë fare se çka është informimi, prandaj, edhe për ta sot, gazetari nuk vlerësohet fare.


Ky është një diskriminim i skajshëm që po i bëhet gazetarisë kosovare, nga njerëz të ndryshëm, të cilët mendojnë se i kanë bërë disa para dhe mund të bëjnë çka të duan!

Këta njerëz do ta kenë vështirë të mbijetojnë, aq më parë këta njerëz që vetëquhen biznesmenë e që e në anën tjetër pa fije turpi, po shkelin në vlerat dhe në dinjitetin e shenjtë të gazetarit dhe të gazetarisë së Kosovës, e cila është duke përjetuar krizën më të rëndë në këtë dhjetëvjetëshin e fundit…