LAJMI I FUNDIT:

Kuvendarët po e ngushtojnë transparencën

Deputetët e Kosovës, si dukët e kanë harruar kohën kur nuk lanë derë pa trokitur duke kërkuar vota, për të zënë kështu një vend në parlament. Atyre nuk po iu mjaftojnë shumë prestigje që i gëzojnë, të mira këto që as mbretërit e shumtë nuk i kanë pasur.

Paga e deputetëve është mbi 1400 euro, pagë kjo e cila është nëntëfishti i pagës mesatare në vend. Mirëpo edhe kjo pagë nuk po e përmbushë atë që deputetët e dëshirojnë. Ata përmes një ligji që vet e miratuan, kanë përcaktuar se deputeti pas përfundimit të mandatit, ka të drejtë për pension suplementar nëse detyrën e ka ushtruar më gjatë se sa gjysma e kohëzgjatjes së tij, dhe e ka arritur moshën 50 vjeçare. Po ashtu ata kanë edhe dy-tre asistentë dhe shoferë personal.

A është kjo diçka që vërtetë e meritojnë, apo ndoshta është e shkruar që populli ynë të paguaj? As në kohën e paraluftës kuvendarët nuk kanë pasur prestigje të tilla, mirëpo si duket, tani që jemi në liri dhe jemi shtet deputetët tanë mendojnë se janë zotër të vendit. Ndoshta të drejtën për të menduar kështu e kanë gjetur në faktin se vet ne jemi ata që ua kemi mundësuar ta jetojnë një ëndërr te tillë. Thjeshtë për të mos e zgjatë më shumë, të jesh deputet mjafton që njëherë në gjashtë muaj të jesh pjesëmarrës në ndonjë seancë dhe ta marrësh rrogën e plotë.


Përveç kësaj ajo çka deputetët tanë po i mundon, është se ata duhet të jenë sa më pak të dukshëm në publik, pra nuk duhet që populli i cili është në varfëri paradoksale të kuptoj atë që ndodhë brenda Parlamentit, gjë kjo që në vendet e Evropës nuk diskutohet.

Vetëm në Shqipëri nëse shkojmë, hiç më larg, do e kuptojmë se atje jo vetëm gazetarët, por edhe shtetasit e thjeshtë, kanë të drejt të marrin pjesë gjatë seancave, në mënyrë që të kuptojnë nga afër se çka po bëjnë të zgjedhurit e tyre.

Mirëpo në Kosovë, deputetët tanë kanë dalë më të “mençur” dhe nuk po donë që askush t’ua prish tymin. Ata kanë nxjerrë një projektligj përmes të cilit gazetarëve do t’ju kufizohej puna e tyre. Ata kanë paraparë nga ligji në fjalë që gazetarët ta kenë një këndë shumë të vogël në Parlament, pran sigurimit, vend ky i pamjaftueshëm për ta kryer punën e tyre në mënyrë efikase. Si për ironi ky vend simbolik që kuvendarët kanë menduar t’ua lënë në shfrytëzim gazetarëve, jo vetëm se nuk ka pajisje që të mund të shfrytëzohen, mirëpo edhe një TV që është aty është në gjendje jo të rregullt.

Pra nga e gjithë kjo na mbetet një dilemë në kokë: A mos vallë këta të zgjedhurit tanë po mundohen që të fshehin veprimet e tyre?

(Autori student i vitit të dytë të Gazetarisë)