LAJMI I FUNDIT:

Lufta e tretë ballkanike

Politika shqiptare ndodhet njësoj si në vitin 1914. Kështu deklaroi ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Wolvarth. Por duke u nisur nga fakti, se ai nuk është thjesht ambasador i OSBE, por është Gjerman, pohimi i tij është sa ogurzi, aq edhe orientues. (Në vitin 2001, kur shpërtheu, kryengritja shqiptare në Maqedoni, ambasador i OSBE ishte një amerikan, me emrin Robert Frouik. Por ishte shumë herë më me peshë se të gjithë ambasadorët e tjerë, amerikanë, apo të BE). Duket se i tillë është edhe Wolfarth përballë ambasadorëve të BE në Tiranë. Është ogurzi për arsyen se në vitin 1914, Shqipëria ishte tokë e askujt. Është orientues, sepse sot kemi një realitet tjetër, formalisht Shqipëria është tokë e shqiptarëve.

Realiteti politik panshqiptar

Edi Rama dhe Gramoz Ruci akuzojnë Sali Berishën dhe qeverinë e tij me anë editorialesh, faqesh facebooku dhe diskutimesh në Parlament se këtë që i ke bërë ti Shqipërisë, nuk ja ka bërë asnjë pushtues. Sali Berisha dhe Jozefina Topalli, nga foltorja e Parlamentit apo Çekia akuzojnë Edi Ramën dhe Partinë Socialiste si tradhtarë dhe celulë anti-europiane. (Ndërsa një raport racist që vjen nga Brukseli, përkëdhel Serbinë dhe Malin e Zi dhe satanizon Shqipërinë, Bosnjën dhe Maqedoninë. Më shumë ngjan me një Enciklikë papnore si në kohën Kalvinit apo të Martin Luterit). Bamir Topi që nga Stambolli, një shekull pas ardhjes në pushtet të xhonturqve, deklaron në kryeqendrën e tyre se shqiptarët nuk kanë të drejtë të bashkohen si të gjithë kombet europiane, por duhet të presin Brukselin. Njësoj si xhonturqit që para një shekulli, ju përgjigjeshin, Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës kur ata kërkonin pavarësi nga Perandoria Otomane.


Hashim Thaçi dhe Atifete Jahjaga deklarojnë me megalomani se kemi vendosur sovranitetin në të gjithë Kosovën. Është i kënaqur me sovranitetin me helikopter. Megjithëse policët dhe doganierët e tyre fluturojnë me helikopterët e KFOR-it, ndërsa asnjë polic shqiptar nuk shkel dot në veri të Kosovës. Isa Mustafa fërkon duart me shpresën se në zgjedhjet e ardhshme do t’i mbetet pushteti në dorë. Ai nuk flet fare. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje hynë në parlamentin e Kosovës me Flamurin e Bashkimit me Shqipërinë. Por aktualisht po merren me editoriale dhe me përmbysjen e ndonjë kamioni serb. Shpëtim Idrizi, i mori mbi 60 mijë vota në emër të çështjes kombëtare, por aktualisht po mendon si të hyjë në qeveri me ndonjë post ministri, ndërsa çështjen kombëtare e ka shndërruar në çështje pronash individësh.

Ali Ahmeti mori një shuplakë të rëndë nga Nikolla Gruevski, i cili akuzoi Cervenkovskin se kishte regjistruar 120 mijë shqiptarë më tepër në vitin 2002. Megjithatë vazhdon të rrijë në qeveri me atë që kërkon të zvogëlojë shqiptarët, me atë që kërkon të ndërtojë të kaluarën maqedonase mbi të ardhmen e shqiptarëve. Menduh Thaçi kënaqet që dështoi regjistrimi dhe shpreson ta zërë ai vendin e Ahmetit.

Ku mund të fillojë lufta?

Ka disa vatra të cilat janë të gatshme për të ndezur zjarrin.
Vatra e parë është velur i Kosovës. Ajo është mbushur me barrikada. Atje ku ngrihen barrikada, do të thotë se po bëhen gati për luftë. Të gjithë e dinë këtë, por të gjithë flasin të kundërtën. Me përjashtim të shërbimeve sekrete. Po si mund të vijë deri tek lufta? Shumë thjesht, vetëm me një shkëndijë. KFOR dhe EULEX ndërhyn me forcë mbi barrikaduesit, qeveria serbe do ndërhyjë për të mbrojtur bashkëkombësit e saj, në ndihmë të Serbisë do shkojë Rusia.

Thjesht vetëm me një shkëndijë, nuk ndërhyn KFOR-i, por i thonë Qeverisë së Kosovës të ndërhyjë. Për ego pushteti, Thaçi dhe Rexhepi ndërhyjnë dhe përsëri ndërhyn Serbia. Shqiptarët e paorganizuar, dalin të humbur nga lufta, edhe në njerëz edhe në territore. Brukseli do të jetë dakord me këtë fund. Pse? Sepse shërbimet sekrete të Brukselit e dinë më mirë nga unë çfarë mund të ndodhë kur ngrihen barrikada, megjithatë, Brukseli e përkëdheli Serbinë duke i dhënë statusin e vendit kandidat. Brukseli e di shumë mirë që Bogdanovici dhe Stefanovici e kanë bërë veriun si shtëpinë e tyre, por përsëri e përkëdhel Serbinë.

Vatra e dytë mund të jetë Bosnja. Ka 13 muaj që nuk krijon dot qeveri qendrore, qeveriset pjesë-pjesë. Majtisti Dodik pritet të bëjë referendumin për shkëputje. Në ceremoninë e betimit të tij si president mori pjesë edhe Tadic. Brukseli e miratoi këtë veprim. Imagjinoni sikur në ceremoninë e betimit të presidentit të Kosovës të merrte pjesë Bamir Topi. Lukunia e ambasadorëve të Brukselit do ta ndalonte me të gjitha mjetet.

Vatra e tretë është Greqia. Krize totale, falimentim i pashmangshëm. E shmang vetëm lufta. Greqia po përgatitet të eksportojë krizën e saj totale. Por jo në trojet greke. Por në trojet shqiptare dhe maqedonase. Cili do të jetë preteksti? Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri. Po ku? Jo në Sarandë, jo në Gjirokastër, ndoshta në Himarë, ndoshta në Korçë. Do akuzohet qeveria Shqiptare se ka falsifikuar të dhënat e regjistrimit dhe do nxiten një apo disa grupe njerëzish të fillojnë trazirat. Pse jo, edhe me barrikada. Brukseli nuk të ndëshkon kur ngre barrikada. Për më tepër kur ngre barrikada përballë shqiptarëve. Veriu i Kosovës është shembull i qartë se si vepron Brukseli.

Ose ne trojet maqedonase, në Krushevë ku pretendon se ka një minoritet grek. Anulimi i regjistrimit nga Gruevski, e ka shtyrë në kohë përdorimin e këtij preteksti, por nuk e ka fshirë.

Vatra e katërt është Maqedonia. Një ditë, Gruevski do ta bëjë regjistrimin, do falsifikojë numrin e shqiptarëve. Ai e bëri të qartë synimin e tij kur tha se Cervenkovski kishte regjistruar 120 mijë shqiptarë më shumë, që do të thotë se do regjistrojë 120 mijë më pak. Ai e di se problemi i emrit, është thjesht një pretekst i Brukselit. Në gjendjen në të cilën ndodhet Greqia, mjafton vetëm një telefonatë e Merkelit dhe Papandreu e zgjidh për tre sekonda absurdin e emrit. Por Merkel, nuk e bën telefonatën dhe Gruevski e di arsyen reale. Gruevski nuk do të lejojë që kurrkush në Maqedoni të regjistrohet grek, as ne Krushevë. Shqiptarët do rezistojnë, do kundërshtojnë, por të paorganizuar dhe Gruevski do ti vrasë siç i vrau në Brodec apo Haracinë.

Dhimbja e së vërtetës është më e lehtë se dhimbja e mashtrimit

Çfarë shkrova është një prognozë bazuar mbi fakte të vërteta. Natyrisht jo të plota. Të plota ato janë në dosjet e shërbimeve sekrete që operojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Bosnjë, Greqi, Uashington, Moskë apo Bruksel. E vërtetë është kriza totale e BE. Dhe kësi lloj krizash, kanë si alternativë zgjidhjeje edhe luftën. Por është edhe mashtrimi i Brukselit që na dërgon rekomandime, por që në realitet ka vdekur, qëkur vendin e Barrosos e ka zënë dyshja Merkel-Sarkozy.

A ka rrugëdalje?

Natyrisht që ka. Por ajo është vetëm një. Tre shqiptarë mëndje ndritur, të quajtur Mehmet Konica, Filip Noga dhe Rashi Dino, në Memorandumin drejtuar mbledhjes kolonialiste të Londrës në Janar 1913, midis të tjerash i shkruanin se: Po t’i pengoni shqiptarët që të bashkohen, ne ju njoftojmë se ky rajon nuk do të ketë paqe për një shekull. Londra i pengoi shqiptarët duke i copëtuar në mënyrë kriminale dhe për një shekull, rajoni nuk pati qetësi. Pra zgjidhja është e thjeshtë për Brukselin dhe Uashingtonin: Zëvendësoni boshtin Beograd-Athinë, me Trekëndëshin Beograd-Tiranë-Athinë, lejoni, Shqipërinë Natyrale. Vetëm atëherë, vatrat e zjarrit do shuhen. Boshti që krijuat për gati një shekull prodhoi kriza dhe luftë. Pirostija stabilizon rajonin, por ndihmon, edhe Brukseli do jetojë në paqe.

Derisa sa arbitra ndërkombëtarë të binden për këtë, shqiptarët duhet të marrin masa që lufta: E para: Të mos fillojë nga ata, E dyta: të mos fillojë në troje shqiptare. E treta: Të mos fillojë deri në 28 Nëntor 2012. Wolvarth kur pohoi se politika shqiptare është si në vitin 1914, na ndëshkoi, por edhe na orientoi.

(Autori është kryetar i Lista për Shqipëri Natyrale dhe drejtor i Institutit të Prognozave Rajonale)