LAJMI I FUNDIT:

Të respektohet rezoluta 1244!

Rezoluta 1244 është dokument i miratuar në Qershor 1999 nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Është dokument valid që nga ajo kohë. Nuk ka ndryshuar asnjë shkronjë e kësaj rezolute që prej se është miratuar. Ndryshime ka pasur dhe ka vetëm në interpretimin e saj. Kjo rezolutë përmendet më së shumti prej atyre që më së shumti e shkelin – shtetit të Serbisë dhe serbëve të Kosovës. Rezoluta 1244 megjithatë kurrë nuk ka qenë dhe nuk është në dobi të shtetit të Serbisë.

Arsyeja se pse zyrtarët e Serbisë e përmendin si papagaj rezolutën 1244 është se ata nuk kanë se ku të kapen askund sa i përket “sovranitetit dhe integritetit territorial” të Serbisë që përfshin Kosovën përveç rezolutës 1244. Kjo për faktin se në preambulën e kësaj rezolute reafrimohet përkushtimi i vendeve anëtare të OKB-së në integritetin territorial dhe sovranitetin e ish Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe të shteteve të regjionit. Por siç u tha edhe në opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), kjo gjendje ka karakter të përkohshëm dhe se në pjesën normative mandej sqarohet ky karakter i përkohshëm. Siç e dimë, shpalljen e pavarësisë së Kosovës, GJND-ja e vlerësoi të mos ishte në kundërshtim me rezolutën 1244. Natyrisht që opinioni i GJND-së nuk ishte një “interpretim liberal i gjykatësve të GJND-së” (siç do thoshte një politikan yni) por një përfundim i drejtë në bazë të fakteve të pamohueshme të avokatëve që mbrojtën Kosovën në GJND.

Pjesa operative e rezolutës që është edhe më e rëndësishmja nuk lë kurrfarë hapësire për të ashtuquajturën RFJ të pasuar nga Serbia. Kjo mund të shihet në pikën 9 të rezolutës ku në mënyrë shumë decidive përcaktohet roli i komponentës ushtarake në Kosovë e njohur si KFOR për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë duke përfshirë pengimin e kthimit të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë në Kosovë. Me këtë klauzulë, njëherë e përgjithmonë është pamundësuar ndonjë sulm ushtarak i Serbisë në Kosovë. Disa analistë dhe politikanë në Kosovë kanë folur dhe flasin për ndërhyrje ushtarake të Serbisë në Kosovë, por në fakt ata nuk do të duhej të merreshin fare me këtë çështje. Të tillëve u mungon në tërësi sensi i realitetit.


Pika 11 e rezolutës 1244 merret me komponentën civile të njohur si UNMIK ku përcaktohen detyrat e kësaj komponente. Aty kërkohet që të krijohet një autonomi substanciale për Kosovën deri në zgjidhjen e statusit final të saj. Kjo tregon qartazi karakterin e përkohshëm të rezolutës 1244. UNMIK-u sipas kësaj rezolute duhet të mbajë zgjedhjet në Kosovë (e jo Serbia) deri në transferimin e kësaj detyre dhe të tjerave tek institucionet e Kosovës e jo të Serbisë. Në vazhdim të detyrave, UNMIK-u do të duhej të “lehtësonte një proces politik për zgjidhjen e statusit të Kosovës duke u bazuar në Marrëveshjen e Rambujesë” (pa kurrfarë reference në integritetin e RFJ-së). Meqë Marrëveshja e Rambujesë kishte afat prej tri vitesh të administrimit ndërkombëtar, atëherë rrjedhimisht edhe UNMIK-u do të duhej të kishte operuar në Kosovë nga 1999 deri më 2002. Siç e dimë të gjithë kjo nuk ndodhi dhe faji më i madh për këtë është tek lidershipi ynë që ishte i përçarë. UNMIK-u natyrisht e shfrytëzoi këtë përçarje dhe nuk ndërmori hapat e duhur ashtu siç parashihej në rezolutë.

Për çudi edhe pse rezoluta 1244 nuk parashihte kurrfarë roli të Serbisë në Kosovë dhe e përjashtonte atë nga të gjitha proceset, ishte pikërisht Serbia që më së shumti afirmonte këtë rezolutë. Serbia, që afirmoi rezolutën 1244, krijoi organe paralele dhe strukturat e saj në kundërshtim të plotë me këtë rezolutë. Tashmë është fakt i njohur se në Kosovë ekzistojnë strukturat e MUP-it të Serbisë që paraqet shkelje të hapur të rezolutës. Serbia organizoi zgjedhje në Kosovë që poashtu paraqet shkelje të rezolutës meqë UNMIK-u ka qenë autoriteti që organizon zgjedhje në Kosovë deri në bartje të kësaj përgjegjësie tek institucionet e Kosovës. Megjithatë zyrtarët serb si Vuk Jeremiqi thonë në Këshillin e Sigurimit në OKB se “Serbia nuk mund t’i thërrasë serbët në zgjedhje meqë nuk janë organizuar sipas rezolutës 1244” të cilat i organizon UNMIK-u. Kurrë nuk e dëgjuam ndonjë përfaqësues tonin që ta pyes Jeremicin se kur ka ndodhur që UNMIK-u të organizojë zgjedhje në veri të Kosovës sipas Kushtetutës së Serbisë dhe se a po vërtetonte Jeremici me gojën e tij se zgjedhjet serbe në veri po edhe në viset tjera në Kosovë ishin jolegale.

Është interesante se pikërisht ata që shkelën rezolutën 1244, si shteti i Serbisë dhe serbët e Kosovës, më së shumti edhe e përmendin atë. Që të jetë paradoksi edhe më i madh, serbët e veriut qenkan duke “mbrojtur rezolutën 1244” me veprimet e tyre. Serbët e veriut dhe shteti i Serbisë pastaj krijojnë edhe institucione që në fakt janë shkelje e hapur e rezolutës. Kjo edhe përkundër faktit se në rezolutën 1244 ka vend ekskluzivisht vetëm për institucione ndërkombëtare dhe institucione të përkohshme të Kosovës deri në krijimin e tyre të përhershëm. Në fakt në atë rezolutë nuk ka kurrfarë roli të Serbisë. E vetmja gjë që ekziston për Serbinë aty është që në procesin politik të përcaktimit të statusit të Kosovës ajo (Serbia) mund të japë vetëm opinionin e saj (sipas Marrëveshjes së Rambujesë).

Është fakt pra se Serbia nuk mund të krijojë institucione në Kosovë sipas rezolutës 1244. Serbia nuk ka të drejtë të organizojë zgjedhje e në rast të kundërt ato zgjedhje janë jolegale. Serbia sipas rezolutës nuk mund të ketë forca të sigurisë në Kosovë. Serbia nuk ka të drejtë po sipas rezolutës 1244 të ketë kurrfarë roli në jetën e përditshme të banorëve të Kosovës. Përkundër kësaj, Serbia së fundmi miratoi një rezolutë në Kuvendin e saj me rastin e masave të reciprocitetit nga qeveria e Kosovës. Serbia aty u thirr në shumë raste në rezolutën 1244 të cilën e shkeli aty ku mundi.

Në fund të muajit Gusht do të mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurimit ku do të shqyrtohet raporti i Sekretari të Përgjithshëm të OKB-së në lidhje me situatën në Kosovë. Nga përfaqësuesi serb aty do të shpalosen edhe konkluzionet e rezolutës së fundit të Kuvendit të Serbisë ku siç u tha duhet të respektohet rezoluta 1244. Kësaj radhe ne duhet t’ia plotësojmë këtë dëshirë Serbisë!

Ne në Këshillin e Sigurimit duhet të pajtohemi plotësisht me kërkesën e Serbisë për respektimin e rezolutës 1244. Duke qene se strukturat paralele janë në kundërshtim me rezolutën 1244 ne duhet të kërkojmë zhbërjen e tyre dhe largimin nga objektet shtetërore të Kosovës. Të ashtuquajturit kryetarë të komunave në veri të lirojnë objektet shtetërore meqenëse janë zgjedhur në kundërshtim me rezolutën 1244. Duke qenë se Serbia nuk ka të drejtë të mbajë zgjedhje në Kosovë, ne duhet të kërkojmë nga Serbia që të respektojë rezolutën 1244 dhe të heqë dorë nga mbajtja e tyre në Kosovë në cilindo rast. Meqë rezoluta kërkon tërheqjen e forcave serbe të sigurisë nga Kosova dhe urdhëron KFOR-in të pengojë kthimin e tyre atëherë ne duhet të kërkojmë largimin e menjëhershëm të MUP-it të Serbisë nga Kosova.

Ne duhet ta kemi të qartë se derisa Këshilli i Sigurimit të OKB nuk e zhvlerëson rezolutën 1244, ajo mbetet në fuqi. Nuk ka kurrfarë dobie që në demonstrata dikush bërtet “poshtë rezoluta 1244” sepse ashtu nuk ka kurrfarë efekti pozitiv. Përkundrazi e rrit vendosmërinë e Moskës për të vënë veto në ndërrimin e saj. Dëmet më të mëdha megjithatë janë nga politikanët dhe analistët tanë që flasin në kontekst negativ për këtë rezolutë sepse ashtu i bëjnë një shërbim të madh vetëm Serbisë e cila mandej e përdor qasjen e tillë si argument ani se është shkelësja më e madhe e asaj rezolute.

Natyrisht që ne kemi Kushtetutën tonë si aktin më të lartë juridik në Kosovë. Sidoqoftë duhet të jemi koshient se ne na kanë njohur vetëm 81 shtete nga 193 sa i ka OKB-ja. Për shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, mbetet rezoluta 1244 si dokument i njohur valid për Kosovën. Ne nuk duhet t’i japim shans Serbisë dhe Rusisë që të keqpërdorin këtë rezolutë sepse ajo kurrë nuk ka qenë në favor të Serbisë. Mjafton fakti se as Serbia as Rusia kurrë nuk kanë përmendur diçka konkrete kur kanë përmendur “respektimin e rezolutës 1244”. Duke patur opinionin e GJND-së që thotë se me pavarësimin e Kosovës nuk është shkelur rezoluta 1244 (as e drejta ndërkombëtare në përgjithësi) ne kemi arsye të plota që të kërkojmë zbatimin e dispozitave të rezolutës 1244 që i japin autoritet institucioneve të Kosovës për të larguar strukturat paralele jolegale të Serbisë nga Kosova.

Në trend

Më shumë
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
Asteroidi me përmasat e një fushe futbolli është nisur drejt Tokës - propozohet dërgimi i një arme bërthamore në hapësirë për ta devijuar

Asteroidi me përmasat e një fushe futbolli është nisur drejt Tokës - propozohet dërgimi i një arme bërthamore në hapësirë për ta devijuar

Botë
Specialja del me sqarim për refuzimin e kërkesës së Thaçit për të vizituar babanë në spital

Specialja del me sqarim për refuzimin e kërkesës së Thaçit për të vizituar babanë në spital

Drejtësi
Zbulohet çmimi i veturës më të lirë elektrike nga Volkswagen

Zbulohet çmimi i veturës më të lirë elektrike nga Volkswagen

Auto

"Babait i ra pika, më tha nuk ke përkrahje prej familjes", Arbër Bytyqi tregon se nuk ia miratuan dëshirën për t'u bërë grimer dhe u detyrua të studionte diçka tjetër

Magazina
G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

Magazina
Kalo në kategori