LAJMI I FUNDIT:

Çregjistrimi i Popullsisë në Kosovë në vitin 2011

Nga mbledhja e të dhënave në terren, pra nga mbledhja e informatave për numrin e popullsisë së përgjithshme të pranishme në Kosovë, për ekonomitë familjare, përkatësisht pasurinë e tyre banuese, u pa që, në rastin më praktik, në Kosovë, Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe i Banesave, që kishte për qëllim ofrimin e gati numrit të saktë për këtë gjendje ose status shoqëror, na ofroi rrafsh e barabartë të kundërtën – me Regjistrimin e Popullsisë të mbajtur nga data 1 – 15 prill 2011 u çregjistrua një numër i konsiderueshëm i banuesve të pranishëm (rezidentë) dhe jo të pranishëm (mërgimtarë). Kështu, në fakt, shqiptarët e Kosovës nuk u regjistruan, por u çregjistruan.

Në këtë pikë vlen të merremi pak, pse jo, edhe me politikë. Kjo, duke pasur parasysh që gjithmonë dhe vazhdueshëm në histori, shqiptarët, kah janë e kah s’janë, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përherë shënjestër e mohimit, asimilimit etnik, fetar dhe territorial prej Serbisë, dhe më poshtë prej Greqisë. Në këtë punë, asnjëherë nuk qe rastësi që në çdo kohë, si serbët po ashtu edhe grekët, në mënyrë që të arrijnë synimet e tyre, të kenë gjetur misionarë shqiptarë që zhvillojnë veprimtari në dobi të tyre.

Sa për të përmendur, nëse grekët në fillim të shekullit të 19-të, aktivizuan me gradën “Gjeneral” Take Pollon, gjyshin e Genc Pollos, afro 100 vjet më pas, pra sot në vitin 2011, e kanë gjetur dhe e kanë hedhur në veprim nipin e tij, ministrin dhe deputetin Genc Pollo, të cilin e kanë angazhuar si realizues të misionit për çkombëtarizimin etnik të shqiptarëve dhe kthimin e tyre në etni greke duke e përdorur Regjistrimin që pritet të mbahet në Shqipëri këtë vjeshtë.


Ndërsa në Kosovë, ndoshta serbët nuk gjetën nipin e tyre (edhe pse kanë me bollëk) por gjetën pikën më të dobët tek kosovarët – femrat dhe paratë. Në këtë mënyrë u arrit që Regjistrimi i Popullsisë në Kosovë, i mbajtur më 1-15 prill 2011, të arrijë efektin e vet: fillimisht të mos i regjistrojë të gjithë shqiptarët në Kosovë dhe pastaj t’i kthejë ata në fe dhe në etni të tjera.

Sa për të ripërsëritur, sepse është temë dhe rezultat i pashmangshëm, përmes një mjeti krejtësisht paqësor (femrave dhe parave), duke e shfrytëzuar Regjistrimin e Popullsisë, Serbia e arriti qëllimin e vet në mënyrën më të butë dhe më të këndshme ndonjëherë të mundshme (duke pasur parasysh tanket dhe kallashët në rrugë) – ndryshimin e hartës demografike të Kosovës. Ky synim i Serbisë, sa për të përmendur, ka mbi 100 vjet veprim, por asnjëherë nuk u realizua deri më tash në vitin 2011.

Natyrshëm për këtë lloj projekti, ishin formularët për Regjistrim mjeti më i butë dhe më i pranueshëm i mundshëm për t’u arritur ose realizuar ky qëllim, formularë që asnjëherë nuk u diskutuan në publik.

Tashti, me mosregjistrimin e tërësishëm të shqiptarëve në Kosovë, u arrit çregjistrimi i tyre. Kjo në terren përkthehet kështu – çregjistrimi i popullsisë shqiptare si etni shqiptare në Kosovë, me automatizëm e rrit në mënyrë fiktive numrin e popullsisë etnike serbe, turke, boshnjake, RAE dhe të tjerë (sic!).

Politikisht, kjo situatë demografike përkthehet kështu: duke e arritur përqindjen e synuar të popullsisë etnike, për shembull serbe (mbi 20 %), atëherë, sipas konventave ndërkombëtare, Serbia ka të drejtë (dhe do të kërkojë) në referendum për autonomi qeverisëse territoriale. Me këtë lloj autonomie qeverisëse, Serbia e ka të garantuar veriun dhe disa pjesë të tjera territoriale gjithkah brenda nëpër Kosovë. Ose, nëse Bosnja e ka një Republika Sërpska, atëherë Kosova do t’i ketë disa.

Në këtë mënyrë, në një far forme, shteti i proklamuar multietnik i Kosovës merr kuptim (sic!) duke e ndarë Kosovë nga brenda në parcela etnike. Kështu, shteti i Kosovës mbetet pa komb shtetformues nga ku do të mblidheshin dhe mbështilleshin etnitë e tjera.

Si rrjedhojë ose rezultat i ndryshimit demografik të përbërjes së strukturës shoqërore në Kosovë, Serbia ka të drejtë të kërkojë përfaqësim kushtetues në parlament në bazë të numrit të popullsisë etnike serbe (kjo i bie mbi 10 për qind). Pastaj kërkon legalizimin zyrtar të gjuhës serbe në institucionet shtetërore të Kosovës. Kjo nuk kufizohet vetëm në përdorimin e gjuhës zyrtare në dokumente shtetërore, por edhe në të folmen e kësaj gjuhe nëpër zyra administrative. Kjo, një ditë së shpejti, çon në situatën ku jo vetëm nëpunësit administrativ, por edhe kryeministri (nëse ai do të jetë Hashim Thaçi) do të flas serbisht në mbledhjet kabinetare.

Më tej, Serbia do të kërkojë bashkëqeverisje edhe komunale edhe qendrore edhe pse mund të ndodhë që në ndonjë komunë përqindja e serbëve si komunitet të mos arrijë as 3 për qind. Në këtë mënyrë, në secilën ndërtesë shtetërore qeverisëse komunale dhe qendrore do të valëvitet edhe flamuri serb dhe do të jenë në përdorim të gjitha simbolet tjera bashkë me te.

Në këtë rrafsh, Serbia, nëse ta zëmë, e pranon Kosovës si shtet (sic!) si masë për të hyrë në BE, atëherë ajo do të kërkojë, gjithnjë sipas konventave ndërkombëtare, referendum për autonomi territoriale mbi truallin fizik ku jeton komuniteti serb. Për shembull, Graçanica, edhe pse e vendosur diku në mesin e Kosovës, pra në Kosovë, të jetë dhe të trajtohet si tokë serbe.

Jo për të ironizuar, por duket që organizatorët e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe të Banesave në Kosovë në 2011 ende nuk janë të vetëdijshëm se çfarë kanë bërë. Sepse kjo tokë e quajtur Kosovë e ka një histori me Serbinë, e cila nuk do të shlyhet kurrë: vrasjen masive dhe dëbimin masiv të shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre, nga shtëpitë e tyre. Dua të them, përderisa historia së paku 100-vjeçare na e mëson këtë veprimtari të pareshtur serbe, historia më e fundit në Kosovë, e shkruar përmes Regjistrimit të Popullsisë 2011, i mbajtur në këtë vend pas plot 30 vjetësh, na e mësoi edhe një histori tjetër – se femrat dhe paratë tek kosovarët e bëjnë kërdinë, bile më të madhe sesa Serbia e tankeve dhe e kallashëve.

Elementi i parë dhe i vetëm që solli në këtë situatë është mbajtja e fshehtë e mënyrës së organizimit të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë më 2011, pra mungesa e transparencës, mungesa e elementit kryesor demokratik për një shoqëri – rasti që pas plot 30 vjetësh Regjistrimi i Popullsisë në Kosovë 2011 të diskutohet dhe të debatohet para publikut dhe bashkë me publikun, duke u dhënë mundësi mbështetësve dhe kundërshtarëve që të shpalosin dhe ballafaqojnë argumentet e tyre për të njëjtin qëllim.

Ky debat nuk u vu në lëvizje asnjëherë. Pse-ja po dihet (femrat dhe paratë). Ose, edhe ai debat i vogël që u organizua në disa komuna, ishe i dobët, i ulët, i njëanshëm dhe çorientues, duke përhapur më shumë paqartësi dhe huti mes opinionit dhe qytetarëve. Ky far lloj debati e kufizoi krejt këtë temë në dy pika të vetme – sa jemi në Kosovë dhe sa jemi në Prishtinë. Në një mënyrë, edhe pse jo me saktësi, ky Regjistrim u është përgjigjur këtyre pyetjeve por duke shmangur mjeshtërisht pyetjet që u parashtruan më lartë, duke mos i diskutuar asnjëherë.

Edhe një herë, ky debat nuk u bë asnjëherë sepse të gjitha argumentet ishin për një shtyrje të mundshme dhe ri-organizim dhe qëllim të Regjistrimit (përveç se sa jemi në Kosovë dhe në Prishtinë), pra të rishikohej dhe riformulohej. Kjo mungesë e debatit as sot, pas prillit të vitit 2011, nuk e ofroi përgjigjen bile as të përafërt në pyetjen sa jemi në Kosovë dhe sa në Prishtinë, por në të njëjtën kohë, ofroi në pjatë një shujtë të mirëpritur me qindra vjet për Serbinë duke ia ofruar asaj atë që nuk e mori as me luftë e as me përpjekje të tjera shtazarake dhe militare: asimilimin e identitetit të kosovarit dhe rregullimin e shtetit të Kosovës në parcela.

Sa për të përmendur, kohë pas kohe, organizatorët e Regjistrimit të Popullsisë dilnin nëpër media “për të sqaruar” (por pa u ballafaquar) se i tërë organizimi po bëhej sipas disa standardeve ndërkombëtare, por pa e sqaruar asnjëherë se kush i kishte kërkuar ato standard, cilat ishin ato standard dhe pse. Dhe kështu u ndërmor Regjistrimi i Popullsisë në Kosovë 2011, pa u pyetur askush, pa u konsultuar askush, pa u sqaruar askush, pa u argumentuar askush.

Në trend

Më shumë
U munduan ta fusin në grackë duke e dehur dhe detyruar Loredanën ta joshë, Rozana zbulon kurthin që banorët përgatitën për Gjestin

U munduan ta fusin në grackë duke e dehur dhe detyruar Loredanën ta joshë, Rozana zbulon kurthin që banorët përgatitën për Gjestin

Magazina
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

Magazina
Kurti tha se marrëdhëniet me SHBA nuk kanë qenë kurrë më të mira, i kundërpërgjigjet Grenell

Kurti tha se marrëdhëniet me SHBA nuk kanë qenë kurrë më të mira, i kundërpërgjigjet Grenell

Lajme
Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna deklarohen të pafajshëm – Ymer Dragusha pranon fajësinë

Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna deklarohen të pafajshëm – Ymer Dragusha pranon fajësinë

Drejtësi
Zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ tregon se cilat janë qendrat e votimit me kusht në qytetin tuaj

Zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ tregon se cilat janë qendrat e votimit me kusht në qytetin tuaj

Lajme
Kalo në kategori