LAJMI I FUNDIT:

Papërgjegjësi politike

Derisa në një vend normal demokratik një kryeministër, ministër apo edhe zëvendësministër për një aferë shumë të thjeshtë jep dorëheqje morale nga posti, te ne ndodh e kundërta. Lëre se nuk shohim dorëheqje personave në detyrë për ngjarjet negative që shkaktohen nga vetë ata, po përkundrazi, të njëjtit vazhdojnë karrierën e tyre politike, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, gjë e cila në një vend normal nuk do të ndodhte. Kur bëhet fjalë për suksese të gjithë vrapojnë për të marrë meritat, derisa kur është fjala për mossukses të gjithë hezitojnë ta marrin përgjegjësinë dhe ta pranojnë dështimin.

Aksioni i ndërmarrë këto ditë në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit erdhi si duket nga qielli, si pasojë e këtij aksioni fatkeqësisht humbi jetën një qytetarë i Kosovës që po shërbente në detyrë. Përveç shpalljes së tij si hero dhe një kompensimi në të holla për familjen e tij, u harrua ajo me e rëndësishmja në gjithë këtë. Marrja e përgjegjësisë. Sikurse edhe në shumë raste të tjera askush nuk është i gatshëm ta marrë përgjegjësinë atëherë kur epilogu është dështimi.

Pyetjet që natyrshëm do të duhej të rrjedhin pas kësaj ndodhie janë: kush inicioi këtë aksion, cili ishte qëllimi i tij, pse pikërisht tani, a kishte koordinim paraprak të duhur me vendet aleate për këtë aksion, a kishte forcë të duhur për realizimin e tij, pse u shkarkua Reshat Maliqi edhe pse ishte i gatshëm për aksion, e shumë pyetje të tjera, përgjigjet e të cilave tani për tani nuk dihen, shpresojmë të bëhen të ditura ditët në vijim.


Ky vendim i marrë nga qeveria për fillimin e këtij aksioni u vlerësua nga të gjithë, edhe nga opozita, ani pse opozita kërkonte nga qeveria që të mos tërhiqej në këtë moment, gjë cila edhe ndodhi, pas disa orëve të kontrollit të këtyre dy pikave dhe sa shtoi dyshimin për seriozitetin e këtij plani – aksioni, pasi që një plan i tillë duhet koordinuar mirë në detaje kur kemi parasysh gjendjen që mbretëron në atë pjesë të vendit.

Çfarë fituam me gjithë këtë aksion?

Përveç shtyrjes së proceseve të integrimit të vendit asgjë tjetër. Shteti serb edhe kësaj radhe shfrytëzoi rastin për marrjen e një jete të shqiptari, por edhe të paraqes shtetin e Kosovës si provokues të dhunës dhe si shtet jo funksional, shtet që ushtron dhunë mbi popullatën serbe “të pa armatosur” të atjeshme, në mënyrë që zbeh imazhin e Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare, në këto momente kur një gjë e tillë aspak nuk na duhet.

Nuk duhet harruar se një aksion i tillë ka mundur të bëhet shumë më herët, nuk ishte vonë as tani, por me sa duket nuk ishte i koordinuar mirë andaj dhe nuk rezultoi i suksesshëm. Për mossuksesin e këtij operacioni dikush duhet ta marrë përgjegjësinë, qoftë ministri i Punëve të Brendshme apo komplet qeveria dhe të japë dikush së paku dorëheqje morale.

Këtë që po ndodh këto ditë nuk di si ta quaj ndryshe, përveç papërgjegjësi totale politike, një gjë e tillë mund të haset vetëm në Kosovë, por jo edhe në një shtet normal.

Dikush duhet ta marrë përgjegjësinë për këtë rast, dikush duhet të marrë përgjegjësinë edhe për rastet tjera në të kaluarën, dikush duhet…