LAJMI I FUNDIT:

Fletëza jete e historie nga Leçina

Në Leçinë, sot mund të shkosh në çdo kohë e në çdo stinë, përmes rrugëve të asfaltuara.
Nëse nisesh nga Mitrovica në drejtim të Pejës, në hyrje të fshatit Qitak, aty ku dikur zbrisnin udhëtarët nga autobusi, tash nga larg vërehet rruga e asfaltuar e cila lidh Leçinën Kastriotin, Terrnovën dhe Belicën, e prej andej edhe Kerrninën.
Rrallë ndonjë fshat i kësaj ane ka pasur shtëpitë e shkapërderdhura ashtu si Leçina.
Dikur 400-500 metra distancë dukeshin si 500 kilometra. Sot gjithçka frymon ndryshe. Mund t’ia mësynë Leçinës edhe përmes rrugës së dytë, aty në Padalishtë, dhe për pak minuta, këmbë apo me veturë, arrin fshatin, i cili dikur dukej i pa arritshëm. Andej dikur mund t’i shihje vetëm vendasit, të cilët ishin të lidhur me atë tokë si me vetë jetën.

Njerëz mikpritës ka pasur përherë Leçina, ndërsa puna për ta ka qenë shkronjë dhe fjalë e parë. Shënimet e rastit nuk mund të përfshijnë gjithçka, por shkrimi është mirënjohje morale për ata njerëz që ia dolën të ngulitën aty përballë pushtuesve të egër të cilët u ndërruan shumë herë gjatë historisë. Edhe fshatrat për rreth kanë më shumë fjalë të mira për Leqinën se për vetveten. Zënkat ndër vëllazërore në Leçinë janë të pa njohura, ndërsa.
fshati merret si shembull i mirë për dhjetë fshatrat e rajonit të Runikut.

Dikur dihej sa shtëpi ka fshati, por tash statistikat ndërrojnë për ditë dhe kryeplaku i Leçinës e ka zor të thotë një shifër. Dikur çdo shtëpi-oxhak numërohej e gjallë dhe me njerëz që bënin jetë, ndërsa sot shumë familje ia kanë mësy qyteteve, por edhe Runikut, i cili po rritët përditë.


Megjithëse, ky fshat tashmë është lidhur shumëfish me rrugë të asfaltuara, leçinakët rrallë e për mall shohin ndonjë gazetarë t’ia ketë mësy këtij vendbanimi të dalluar dhe shembull qëndrese.
Të shkruash për Leçinën, e të mos e përmendesh shkollën gjithçka do të mbetej mangu. Dikur, pas të ashtuquajturës Luftë e Dytë Botërore, kur po propagandohej se liria kishte ardhur në Leçinë, kjo nuk ishte vlerësuar ashtu nga fshatarët e këtushëm. Kur u hap shkolla e dikurshme katërvjeçare, ishin përfshirë një numër i vogël nxënësish, ndërsa anasit, lirinë e ëndërruar nuk po e shihnin. Tani fshati ka dy shkolla fillore dhe kuadër të nevojshëm për mësim.

Puna dhe kënga kanë mbajtur gjallë leçinakët

Në Leçinë nuk ka pasur asnjë rast kur njerëzit të jenë rrezikuar nga thatësia dhe ajo tokë ka dhënë bukë për ekzistencë edhe në kohën e pushtimit austro-hungarez, atëherë kur nuk kishte rënë shi tre vjet rresht, tregonte dikur plaku i urtë Bajram Ajeti. Nuk ka drithë apo lloj peme të cilën nuk e bënë toka e Leçinës.
Sido ta hedhësh farën në ketë tokë ajo mbinë mbarë. Arat tona gjithherë na e kanë shpaguar punën, thoshte bacë Bajrami. Banorët e vyeshëm të këtij fshati, një kohë kanë prodhuar më shumë grurë e misër, se sot disa fshatra së bashku. Leçinakët ishin punëtorë të dalluar, ashtu si toka e tyre për bereqet.

Jo fort moti fshatarët e këtushëm duke hapur toka të reja ruajtën çdo fidan peme të egër të cilat i shartuan dhe Leçina jo vetëm që nuk pati nevojë të lakmojë fshatra të tjera për prodhimin e pemëve, por u bë prodhuese e shumë llojeve të frutave cilësor, që dalloheshin në tregjet e Mitrovicës e të Pejës. Tregimi popullor për pemë frutore të jashtëzakonshme rrënjët i ka në Leçinë.
Këtij fshati, jetën mund t’ia kthejnë vetëm njerëzit e vetë, të cilët ia njohin mirë zemrën asaj toke. Zbrazja e heshtur e fshatit që po ndodhë tash nuk po i pëlqen askujt.

Serbët nuk ia dolën ta kolonizojnë Leçinën

Pas kolonizimit të Runikut si pikë neuralgjike ku gravitojnë edhe sot dhjetë e më shumë fshatra të Drenicës së Epërme, pushtuesi solli kolon edhe në zemër të Leçinës. Toka më pjellore, kullosat dhe malet që ishin baras me ekzistencën e fshatarëve, iu morën shqiptarëve dhe iu ndanë kolonëve serb. Vendasit nuk menduan për shpërngulje,hapen toka të reja dhe kështu me dekada lufta për mbi jetesë vazhdonte më vendosmëri. Shpresa e leçinakëve se liria do të vjen një ditë nuk u shua asnjëherë. Largimi nga fshati,më herët nuk është imagjinuar kurrë. Kështu ishte edhe në luftën e fundit e cila këndej zgjati më shumë se dy vjet.

Rrëfimi për Sinan Shalën

Mungojnë datat e shkruara për heroizmin e Sinan Shalës. Mungojnë shënimet më elementare për njerëzit e zot të kësaj ane. Mungon historia e shkruar ngase alfabeti ynë shumë vonë nisi udhëtimin nga Manastiri.
Sinan Shala, djalë më autoritet në Leçinë, kishte ditur mirë se një ditë do të përballët me kolonët dhe likuidimi i tij ishte bërë cak.
Fallangat çetnike të kolonëve serb kishin liri të plot veprimi ndaj popullatës vendase shqiptare.

Një ditë u sulmua kulla e Sinanit, por trimi nuk u zu në befasi. Në përballje me armikun shekullor, përkrah tij qëndroi e ëma deri në çarjen e rrethimit.
Jo vetëm nata kur u sulmua, por gjithë jeta e Sinanit ishte luftë. Në të gjitha ato përballje, biri i Leçinës doli fitimtar. Pushka e asaj nate në krahun e trimit, la të vdekur një paramilitarë serb, ndërsa jehona e saj do të ruaj me vite si hije fshatin. Po atë natë, Sinani arratisët në Shqipëri.
Historia e qëndresës së tij nuk u harrua asnjëherë nga bashkëfshatarët.

Këngën e Nak Berishës e ndjek ajo e Hysen Shalës

Në lagjen Dervishaj, pesë brezni me radhë kanë ruajtur përmendësh tekstin e plotë të këngë (18 faqe tabak) për Betejën e Kosovës.
Edhe sot thuhet se rapsodët e këtij fshati nuk kanë thurur këngë pa vepër.
Lufta dhe kënga e Nak Berishes është e lidhur ngushtë me Leçinën, me njerëzit e saj, me jetën dhe vendosmërinë e tyre për të jetuar aty, në trojet stërgjyshore.

Edhe atë herë kur “Fqinjët” kolon nga Belica i vrasin djalin e vetëm të Abdyl Ukës, në Leçinë nuk mbretëroi frika po vendosmëria për jetë.

Oda e Abdylit ishte konak i përhershëm për trimat. Nak Berisha aty kaloi shumë herë natën. “I pari i komites”, siç i thoshin vendasit, bëri planin. Gjithçka ishte përgatitur mirë. Vrasësit e djalit të Abdylit do të dënoheshin nga pushka e Nakut. “Kryqet e Belicës” ishin vend i duhur. Nak Berisha me shokë po hynte në histori. Këngëtari popullor, kësaj lufte i këndoi me zemër.

“Krisi pushka në Belicë te kisha
Po lufton o Nak Berisha.
Lufton Naku o me Sadrinë,
E vranë Tocën e Todosinë,
E vranë Spasën e Dimitrinë”.

Në atë përballje u vra Sadri Shala, një nga trimat më të mirë të çetës së Nak Berishës.
Kënga e trimërisë në Leçinë do të përtërihet më vonë me heroizmin e Hysen Shalës.
Biri i popullit do t’u bëjë ballë me një sëpatë katër çetnikeve të armatosur deri në dhembë. “Loja” e tyre e planifikuar me birin e Leçinës dështon. Shumë dëshmitarë edhe sot mbajnë mend heroizmin e Hysenit. Po ta këndosh trimin ishte punë e rrezikshme në atë kohë. U dënua, u izolua e u persekutua jo vetëm Hyseni, por edhe gjithë familja e tij në kohën e pushtimit sllavo-komunist. Hyseni vdiq i ri nga pasojat e torturave, menjëherë pasi u lirua nga burgu.

Rapsodi Rifat Dragaj i këndoi trimit edhe atëherë kur ishte e ndaluar. I këndoi pa frikë se do dënohej. Kështu edhe ndodhi. Në një dasmë në komunën e Istogut, derisa Rifati po këndonte në gëzimin e një familje, atje e arrestojnë dhe e dënojnë me burg, pse i ka kënduar Hysen Shalës.

“Leçina nuk i harron djemtë e vetë, o jaran”, thotë edhe sot Rifati.
Do t’i këndojmë ne gjithmonë ata që nuk ditën për frikë, ata që ndër shekuj mbajtën të gjallë shpresën për jetë, pa u frikuar dhe pa menduar kurrë për vdekjen. Lavdia e Hysenit i takon vetëm atdheut, shton rapsodi i Leçinës, Rifat Draga.
Siç dihet, Hysen Shala, me një sëpatë, u bëri ballë katër çetnikëve të Belicës, të armatosur deri në dhëmbë, duke dalë fitimtar ashtu si edhe pararendësit e tij.
Sot, kushdo që ka interes, mund të shkojë atje, në çdo kohë e stinë të vitit, dhe të bindet për çdo gjë.

( Sqarim;
Historia e Sinan Shalës lidhet me social-demokratin serb Tomasheviq nga Syrigana. Fallanga çetnike, trupin e pjesëtarit të vetë, të vrarë atë natë nga pushka e Sinanit, e bartë disa kilometra deri në Syriganë, për t’ia lenë në derë Maksim Tomasheviqi, vetëm pse ai kishte marrëdhënie të mira me shqiptarët. Ai akuzohet për vrasje pa ditur asgjë dhe vuan katër vjet burg në Shkup, derisa mësohet e vërteta për ngjarjen e asaj nate
).

Në trend

Më shumë
Vrasja e burrit që dogji Kuranin ishte transmetuar drejtpërdrejt në TikTok, policia suedeze gjeti në apartamentin e tij telefonin e ndezur

Vrasja e burrit që dogji Kuranin ishte transmetuar drejtpërdrejt në TikTok, policia suedeze gjeti në apartamentin e tij telefonin e ndezur

Evropa
Xheneta reagon për herë të parë pas daljes nga BBVK: Kam nevojë për kohën time për të reflektuar dhe t’i kapem realitetit jashtë asaj shtëpie

Xheneta reagon për herë të parë pas daljes nga BBVK: Kam nevojë për kohën time për të reflektuar dhe t’i kapem realitetit jashtë asaj shtëpie

Magazina
Gjenerali gjerman paralajmëron ndërhyrjen ruse: Nuk jemi më në paqe

Gjenerali gjerman paralajmëron ndërhyrjen ruse: Nuk jemi më në paqe

Evropa
Amir Rrahmani pritet të largohet nga Napoli

Amir Rrahmani pritet të largohet nga Napoli

Serie A
Teoricienët e konspiracionit thonë se përplasja e helikopterit me aeroplanin në Uashington ishte e qëllimshme – tregojnë ‘argumentet e tyre’

Teoricienët e konspiracionit thonë se përplasja e helikopterit me aeroplanin në Uashington ishte e qëllimshme – tregojnë ‘argumentet e tyre’

Amerika
Fisnik Syla del vullnetar për t'i paguar Gjestit 100 mijë eurot e Big Brother VIP Albania

Fisnik Syla del vullnetar për t'i paguar Gjestit 100 mijë eurot e Big Brother VIP Albania

Magazina
Kalo në kategori