Mlladiqi – kriminel apo hero i Tadiqit?
Arrestimi i Ratko Mlladiqit nuk ngjante aspak në një operacion policor. Ishte thjesht një koordinim i politikës dhe policisë serbe për ta arritur synimin e duhur në momentin e duhur. Policia serbe shkoi herët në mëngjes dhe mori Ratko Mlladiqin në fshatin Llazarevë, aty ku e mbante vetë me identitetin e rrejshëm, njësoj sikur kishte vepruar me Radovan Karaxhiqin tri vite më parë. Familja e tij deklaroi se ishte e lumtur që merrte vesh se ai ishte gjallë! Ç’prej kohësh policia serbe dinte çdo gjurmë të tij, madje edhe ngjyrën e çorapeve tek përcillte lëvizjet e tij nga njëra derë në tjetrën. Kjo ishte dhurata që Boris Tadiqi kishte përgatitur për Zonjën Ashton, të cilën do ta priste në Beograd vetëm disa orë më vonë.
Pse u kap Mlladiqi pikërisht më 26 maj 2011 e jo një vit a dy, apo një dekadë më parë? Është e sigurt se krejt kjo ishte e lidhur me strategjinë e Beogradit zyrtar për ta shitur sa më shtrenjtë personin që ai ende e njeh dhe e trajton si hero edhe kur e arreston si kriminel! Tani Serbisë po i afrohej fundi i përmbushjes së obligimeve për ta marrë thirrjen e asocimit me BE-në. Serge Brammertz, kryeprokuror i Tribunalit të Kombeve të Bashkuara në Hagë pritej që brenda disa ditësh në vazhdim ta paraqiste raportin ku vlerësohej se Serbia nuk po bashkëpunonte me bashkësinë ndërkombëtare për ta vënë Ratko Mlladiqin para drejtësisë. Ky raport do ta bllokonte Serbinë për t’u bërë kandidat zyrtar për anëtarësim në Unionin Evropian. Ndërkohë, Holanda për arsyet e njohura kishte deklaruar se do ta përdorte veton kundër Serbisë përderisa Ratko Mlladiqi do të mbetej në arrati. Pra, Serbisë po i bëhej vonë për ta kapur trenin fundit që qon drejt Brukselit.
Presidenti serb, Boris Tadiq, ishte shumë i matur në paraqitjen e tij para mediave duke u kujdesur që t’i anashkalonte faktet që komprometonin strukturat shtetërore serbe që i kanë mundësuar Ratko Mlladiqit të endej i lirë herë në Beograd e herë në qytetet, apo në fshatrat tjera të Serbisë. Megjithatë, ajo që mungoi në fjalimin e tij ishte tregimi për motivin e vërtetë të kapjes së Mlladiqit në momentin aktual e që është përmbushja e kushtit për t’u bërë pjesë e Evropës. Por, Tadiqi nuk harroi pa përmendur edhe këtu raportin tashmë famëkeq të Dick Martit për “organet e trafikuara” sa për t’i bërë një shantazh Kosovës në kohën kur bisedat dypalëshe kanë hyrë në një fazë mjaft serioze dhe delikate, kur duhet të merren vendimet e para. Dhe, kjo është ajo që duhet t’i interesojë Kosovës sot, pra sa ndikon në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit kapja e kriminelit Mlladiq nga organet serbe dhe dorëzimi i tij drejtësisë ndërkombëtare. Për disa analistë dhe opozitarë paranoikë e nihilistë, çdo lëvizje që bën qeveria aktuale e Kosovës në raport me Serbinë dhe BE-në shihet me frikë, dyshim, mosbesim apo mohim të efekteve pozitive, ndërkohë që çdo manovrim i politikës serbe lexohet si fitore e Serbisë mbi Kosovën. Prandaj, edhe ky potez politiko-policor serb s’ka dyshim se nga të tillët do të komentohet si dobësim i pozicionit kosovar në bisedimet me Serbinë. Për mua, ky manovrim i politikës serbe e gjen Kosovën në pozitën më të mirë të mundshme. Pse?
Së pari, trumbetimet se Kosova do të stabilizohet politikisht dhe ekonomikisht përmes një vetëvendosjeje të Albin Kurtit dhe patrioteve tjerë virtual është vetëm një iluzion. Betejat e luftës për atdheun bëhen në terren dhe ajo luftë ka përfunduar tash e 12 vjet më parë. Fituese e luftës është UÇK-ja, populli i Kosovës dhe aleatët perëndimorë. Ka kohë që betejat për Kosovën behën vetëm në tryeza të bisedimeve. Të dy palët, si shqiptarët ashtu edhe serbët nuk kanë kohë për të humbur. Çdo vonesë është një hap më larg cakut që secila palë pretendon ta arrijë, e ky cak është anëtarësimi në BE. Merreni me mend sikur Kosova me oportunizmin e saj të ishte jashtë bisedave me Serbinë, në kohën kur Serbia ka përmbushur edhe një nga kushtet e fundit për te marrë ftesën e anëtarësimit në BE? Boris Tadiq do të ishte shumë i lumtur që në vend të farsës së raportit të Dick Martit të fliste për refuzimin e dialogut nga politika zyrtare e Prishtinës e që do të ishte një fakt material karshi një raporti spektakular që tashmë ka marrë trajtën e telenovelës.
Së dyti, bisedat aktuale sado të vështira të dukën, ato do ta kenë një kornizë kohore kur duhet të përfundojnë. Dhe meqë janë për çështje praktike, ato duhet të përfundojnë me rezultate konkrete. Të gjitha çështjet që janë në tavolinë janë gjëra që ndikojnë drejt për drejt në jetën e qytetarëve të Kosovës, pa paragjykuar nacionalitetin, kurse fare pak kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve të Serbisë. Pra interesi i Kosovës për këto bisedime është i qartë dhe qeveria duhet të veprojë konform interesave të qytetarëve të vet, siç në të vërtetë është duke bërë tani. Përveç interesit praktik, Kosova ka edhe interesin politik e që është konfirmimi i mbështetjes euro-amerikane për integrimin me Evropën. Pozita e Prishtinës është e volitshme sepse nuk ka nevojë që këto bisedime t’i përdorë për marketing politik, meqë plani i Ahtisarit konsiderohet si zgjidhje definitive e statusit politik të Kosovës. Ndërkaq pozicioni i Beogradit në këtë plan është shumë më delikat, meqë ai mundohet që përmes retorikës si efekt anësor i bisedimeve, të arrijë ndryshimin e statusit politik të Kosovës. Meqë arritja e këtij qëllimi është realisht e pamundur, politika aktuale serbe do të kënaqej me objektivin e dytë e që do të ishte shfajësimi para elektoratit serb në raport me opozitën për luftën e pakompromis për Kosovën e humbur! Nëse Beogradi dhe serbët e Kosovës i kthehen një procesi “tokësor” të bisedimeve, ka gjasa që serbët e veriut ta avancojnë statusin e tyre brenda shtetit të Kosovës. Por, nëse ata udhëhiqen nga parimi “krejt ose asgjë”, sikurse ka ndodhur me negociatat në Rambuje dhe ato në Vjenë, dhe nëse ekipi ynë di të veprojë në momentet kritike karshi këtij principi, serbët mund ta humbin edhe shansin e autonomisë, apo statusit special, të cilin për fat të keq e kanë paralajmëruar deri më tash ambasadori Dell, vetë kryeministri Thaçi dhe një këshilltar i lartë i tij. Mirëpo, ky është një proces, epilogu politik i të cilit nuk bën të paragjykohet, siç po bën opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile, e cila nga dëshpërimi i humbjes së shansit për t’u bërë pjesë aktive e politikës në Kosovë, po vjell mllefin e vet karshi çdo veprimi të qeverisë aktuale.
Së treti, apo krejt në fund të këtij opinioni, është jo reale çdo analogji mes kriminelëve serbë që nga Millosheviqi e deri te Mlladiqi që u zu sot apo Goran Haxhiqi që duhet të zihet nesër, të cilët udhëhoqën gjenocidin serb ndaj grupeve tjera etnike në ish Jugosllavi dhe të dyshuarve shqiptarë për krime lufte, të cilët në fakt ishin pjesë e organizimit popullor për t’u mbrojtur nga ai gjenocid. Ndërkohë që Serbisë edhe njëherë do t’i ulet koka në Hagë, gjykimet e individëve dhe të ndonjë grupi shqiptar pritet të konfirmojnë se edhe nëse në ndonjë moment individë të caktuar kishin humbur arsyen, aktet e tilla në asnjë mënyrë nuk ishin pjesë e një strategjie politike e ushtarake për të bërë krime në baza etnike. Sidoqoftë, në një kohë që Serbia po jep dëshmi konkrete për bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, rezistenca kosovare ndaj organeve të hetuesisë dhe drejtësisë qoftë vendore qoftë asaj ndërkombëtare nuk është një mesazh i mirë që i dërgohet botës demokratike nga një vend që është viktimë e politikës gjenocidale serbe dhe që në bazë të këtij cilësimi (pra si viktimë) edhe është shpëtuar e përkrahur deri sot. Kushdo që mbyllet për Evropën, nuk mund të presë që ajo t’i hapë dyert për të.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në
"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së
"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Krizë lëndimesh te Real Madridi: Ancelotti fton "Van Dijkun e ri" në skuadër
Donald Trump krijoi Fondin Sovran - cilat vende e kanë dhe pse është e rëndësishme?
Një tjetër shans për Gertën: 'Po' ose 'Jo' - publiku vendos nëse ajo duhet të vazhdojë rrugëtimin e saj në Big Brother VIP Albania
Zelensky ofron furnizim me minerale për SHBA-në në këmbim të mbështetjes ushtarake
Ledion Liço njofton se spektakli i së shtunës anulohet për shkak të zgjedhjeve në Kosovë: BBVA ka treguar se sa të bashkuar janë shqiptarët
Shala, Januzi dhe Bahtijari pranuan fajësinë e u dënuan, Haradinaj: Populli vendos – heronj apo dështakë?