LAJMI I FUNDIT:

Frika e kotë nga bisedimet Kosovë – Serbi

Kohë më parë, përfaqësuesi i BE-së në veri të Kosovës, Giffoni, me habi bënte pyetjen “pse po frikësoheni nga bisedimet?”. Nuk është ai i vetmi që bën një pyetje të tillë. Një mori diplomatësh u detyruan si në kor të përsëritnin deri në monotoni frazat se “nuk ka biseda për statusin e Kosovës e as për ndarje territoriale”. Duket se kjo nuk mjaftoi dhe ende po vazhdon një frikë e pakuptimtë për këto bisedime

Do të citoj disa fraza nga një artikull në portalin EUobserver, ku citohet sekretari i Belgjikës për çështje evropiane z. Olivier Chastel (Cautious Belgium against hasty enlargement, “Belgjika e kujdesshme ndaj zgjerimit të nxituar”, http://euobserver.com/?aid=29632, Mars 2010) ku ndër të tjera thuhet: “Sa i përket Kosovës dhe raporteve të saj me Serbinë, Z. Chastel tha se presidenca e Belgjikës do të jetë neutrale. Megjithatë Belgjika do të insistojë në raporte të mira fqinjësore dhe bashkëpunim regjional si kushte kyçe për ecjen e Serbisë kah BE-ja. Serbia, tha ai duhet të jetë e vetëdijshme se partnerët e saj në negociatat për anëtarësim nuk janë ekspertët e komisionit (komisioni evropian v.a) por 27 anëtarët e BE-së”.

“Kosova është e njohur nga 22 prej 27 shteteve (të BE-së, v.a) dhe për to është e papranueshme që ta pranojnë Serbinë në BE me territorin që ato shtete e njohin si shtet të pavarur. Ne e pamë rezultatin e vetëkënaqësisë në rastin e Qipros dhe Turqisë, pastaj Greqisë dhe Maqedonisë dhe së fundmi Sllovenisë dhe Kroacisë. Është pyetje e kohës para se disa shtete të ngrehin çështjen e raporteve të mira fqinjësore. Është e qartë si kristali se Serbia nuk mund të jetë anëtare e BE-së pa e zgjidhur problemin e Kosovës”, tha ai.


Ky citim i sekretarit shtetëror të Belgjikës në fakt paraqet një mori argumentesh më relevante të mundshme që paraqesin realitetin e raporteve të Kosovës, Serbisë dhe BE-së. Natyrisht krejt kjo parë në dimensionin kohor të dinamikës së zhvillimit të ngjarjeve. Gabimi i shumë politikanëve dhe analistëve nga Kosova është se në vend të analizave dinamike, të qarta dhe logjike si kjo e z. Chastel, ata merren me gjendjen momentale statike.

Duhet elaboruar fjalitë e z. Chastel më shumë që ta kemi më të qartë situatën. Z. Chastel thotë se presidenca e Belgjikës do të jetë neutrale sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Krejt normale kjo pasi në këtë rast Belgjika ka përfaqësuar tërë BE-në pa marrë parasysh se e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Në raportet bilaterale Belgjika gjithsesi që e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Pjesa tjetër që thotë z. Chastel është e një rëndësie të jashtëzakonshme sepse shmang keqkuptimet dhe keqinterpretimet e shumta që po i bëhen qëndrimit neutral të BE-së në raport me Kosovën. BE ka qëndrim neutral sa i përket statusit të Kosovës sepse 5 nga 27 anëtarët e saj nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në këto kushte BE që punon sipas parimit të konsensusit nuk mund të ketë qëndrim as pro as kundër pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë siç thotë edhe z. Chastel, partner i Serbisë për anëtarësim nuk është komisioni evropian apo vet BE-ja si tërësi por 27 shtetet veç e veç. A nuk na kujtohet se si Holanda e vetme si anëtare e BE-së e bllokoi Serbinë për ratifikimin e marrëveshjes së stabilizim asocimit? Kush e ndalon nesër Britaninë e Madhe apo Irlandën a ndonjë shtet tjetër të BE-së që e njohin Kosovën të kushtëzojnë Serbinë për pranim në BE me kushtin e njohjes së Kosovës? Dhe do ta bëjnë atë kushtëzim sepse përndryshe do të ishin në rangun a banana republikave.

Çështja tjetër që cek z. Chastel ka të bëjë me përvojën e hidhur të BE me rastet e pazgjidhura dhe problematike si rastet Qipro-Turqi, Greqi-Maqedoni dhe i fundit Slloveni – Kroaci. Pse BE do të përsëriste të njëjtin gabim si në këto raste duke e pranuar Serbinë pa e zgjidhur problemin me Kosovën?

Është më se e qartë pra se Serbia nuk ka shanse që të jetë pjesë ë BE pa e zgjidhur problemin me Kosovës. Meqë shumica absolute e BE-së e njeh Kosovën si shtet i pavarur atëherë dihet edhe epilogu se kush duhet të jetë fituesi. Është e palogjikshme dhe tendencioze teza e theksuar nga ndonjë publicist se “Serbia nuk do të mund të kushtëzohet në momentin që behet shtet – kandidat për anëtarësim në BE”. Faktet e cekura më lart janë tepër kokëforta kundër një qëndrimi të tillë. Të jesh kandidat dhe të jesh anëtar janë dy gjëra krejt të ndryshme. Rrjedhimisht, Serbia nuk do të mund të bëhet pjesë e BE pa e zgjidhur problemin me Kosovën dhe minimumi do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia në të gjitha aspektet duke përjashtuar ndoshta njohjen formale. Në fund që të dy shtetet si Kosova edhe Serbia do të jenë pjesë e BE-së në të njëjtën kohë. Zgjidhje tjetër nuk ka.

Faktor tjetër me rëndësi se statusi i Kosovës është çështje e kryer është vet Serbia përkatësisht politikanët e saj. Politikanët e Serbisë duke filluar nga presidenti, zëvendëskryeministri serb Daqiq, kryesuesi i delegacionit serb në bisedimet e fundit Stefanoviq dhe të tjerë në mënyrë fare të hapur po promovojnë idenë e ndarjes së Kosovës. Ideja e ndarjes nuk është asgjë tjetër pos paralajmërim i qartë për njohje formale të pavarësisë së Kosovës nga vet Serbia nëse Kosova pajtohet t’ia jep veriun Serbisë.

Shefi i delegacionit serb në bisedime me Kosovën Borko Stefanovic në deklaratën e fundit është mjaft i qartë në këtë aspekt duke thënë se “Shqiptarët e Kosovës nuk mund ta realizojnë projektin e tyre pa marrëveshje me Beogradin”. Pra kjo e ka kuptimin se projekti i pavarësisë së Kosovës realizohet por në marrëveshje me Beogradin. Zëvendëskryeministri serb Daqiq shkoi edhe më larg duke propozuar ndarjen e Kosovës dhe kështu t’i jepet fund “përrallës për Kosovën”. Sipas Daqiqit lufta për Kosovën s’është gjë tjetër veç “një përrallë e cila mund të këndohet në këngë nga lahutarët”

Në kushte të tilla është befasuese dhe e pakuptimtë frika dhe në masë të madhe histeria për vënien e temës së statusit në dialogun e tanishëm Kosovë – Serbi. Duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, shtetet që kanë fuqi vendimmarrëse e kanë përjashtuar çfarëdo mundësie për diskutim të sërishëm të statusit. Në anën tjetër edhe vet politikanët serbë me propozimin për ndarje qartazi po e përjashtojnë çështjen e statusit ani pse vazhdojnë me frazat e tyre tashmë bajate për ngritjen e kësaj çështjeje në fazat e mëvonshme. Edhe çështja e vënies së temës së ndarjes (që është temë në vete) është vështirë të vendoset në tavolinë. Faktori ndërkombëtar nuk ka konsensus për këtë çështje, Serbia vështirë ta vërë këtë temë formalisht meqë politika e saj diskreditohet plotësisht ndërsa pala Kosovare thjesht mund ta refuzojë.

Në trend

Më shumë
Doni të siguroheni se cila është qendra juaj e votimit? - verifikoje për pak sekonda me një proces shumë të lehtë

Doni të siguroheni se cila është qendra juaj e votimit? - verifikoje për pak sekonda me një proces shumë të lehtë

Lajme
U munduan ta fusin në grackë duke e dehur dhe detyruar Loredanën ta joshë, Rozana zbulon kurthin që banorët përgatitën për Gjestin

U munduan ta fusin në grackë duke e dehur dhe detyruar Loredanën ta joshë, Rozana zbulon kurthin që banorët përgatitën për Gjestin

Magazina
Shkencëtarët çekë zbulojnë në Shqipëri liqenin termal nëntokësor më të madh në botë

Shkencëtarët çekë zbulojnë në Shqipëri liqenin termal nëntokësor më të madh në botë

Lajme
ZRRE: Çdo deklaratë për rritjen e tarifave të energjisë elektrike aktualisht është i pavërtetë

ZRRE: Çdo deklaratë për rritjen e tarifave të energjisë elektrike aktualisht është i pavërtetë

Ekonomi
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

Magazina
Kalo në kategori