LAJMI I FUNDIT:

Cilën gjuhë politike e kupton Sali Berisha

Për t’i rënë si shkurt, gjuhën politike të cilën e kupton Sali Berisha është gjuha e vitit 1997, pra është gjuha e dhunës dhe e shkatërrimit. Por, pas këtij deklarimi, ose formulimi, më nuk do të mbetej asnjë arsye për të vazhduar shkrimin. Sa për të përmendur, ishte Sali Berisha i cili po në këtë kohë deklaroi që rruga e Kosovës për integrime evropiane është rruga që çon kah Beogradi. Sepse këto ditë hasa në disa shkrime që po provojnë të deformojnë edhe këtë realitet.

Nuk e di se a ia vlen të merrem “me shkencë” dhe të deklarojë që stabiliteti në Shqipëri nënkupton edhe stabilitetin në Kosovë. Por, po ashtu, a nënkupton, për shembull, stabiliteti ekonomik në Shqipëri edhe stabilitetin ekonomik në Kosovë duke pasur parasysh që as “kompirat” nuk po mund t’i shesim atje? Edhe këtë perceptim po e lë anash. T’i kthehem të sotmes.

“Do ta pranojë cilindo rezultat të zgjedhjeve, të votuesve, por do të numërohet secila votë”. Kjo ishte formula që u dha me orë të tëra gjatë ditëve të numërimit të votave në zgjedhjet vendore në Shqipëri, më 8 maj 2011. Ishte deklarata më e butë, besojë për të gjithë, që është dëgjuar këto 20 vjet nga Sali Berisha, dhe vartësi i tij, Lulzim Basha, duke pasur parasysh historinë politike të Partisë Demokratike të Shqipërisë, pra PD-së. Besojë, askush, e as unë, nuk mund të besonte në një deklarim të tillë.


Por, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ e Shqipërisë), me shumicën e votave të PD-së dhe vartësve-aleatëve të vet politikë, vendosi t’i hapë kutitë pas përmbylljes së procesit të votimit dhe fitores së Edi Ramës, atëherë deklarimi i Sali Berishës, dhe i Lulit, u bë i qartë: se edhe në këto zgjedhje, megjithatë, kishte një skenar të përgatitur më herët, të lënë rezervë, për çdo rast. Dhe me këtë skenar rezervë Lulzim Basha po e fiton Tiranën.

Kjo, natyrisht që s’ka lidhje as me votuesit e as me votat e tyre. Ky është manipulim klasik, por, megjithatë, i bazuar në ligj. Sepse hapësira ligjore po mundëson, gjithnjë sipas interpretimeve të PD-së, që KQZ tashti të sillet edhe si Komision Zonal i Zgjedhjeve (KZAK) në mënyrë që të hapen kutitë e votimit pa kurrfarë ankimimi, pa asnjë ankesë politike zgjedhore. Dhe krejt kjo në mënyrë që të arrihet zbatimi i deklarimit të “numërimit të secilës votë dhe i pranimit të rezultatit”.

Ashiqare, Partia Socialiste e Edi Ramës (PS) ra, për të satën herë, në grackën e interpretimit ligjor, situatë të cilën nuk e kishte paramenduar e parashikuar askush. Natyrisht, përveç një grupi amerikanësh të cilët po ia udhëheqin fushatën zgjedhore PD-së tash e sa vjet, në sa palë zgjedhje. Kam përvoja të tilla me amerikanë, andaj e di se për çfarë po flas. Vlen të përmendet që, këtej kufirit, problemi më i madh i kosovarëve është që i shikojnë amerikanët si miq dhe, rrjedhimisht, po i shndërrojnë në engjëj që, praktikisht, nuk ekzistojnë.

Sidoqoftë, është evidente që PD-ja e Sali Berishës, në këto zgjedhje, investoi aq shumë në marrjen e bashkisë së Tiranës saqë la mënjanë të gjitha bashkitë e tjera, të mëdha e të vogla, të rëndësishme dhe të parëndësishme, në Veri e Jug. Ato gjithsesi që i mori PS-ja.

Dhe në këtë mes tashti vjen ndërhyrja e ndërkombëtarëve, përfshirë sidomos evropianët. Këta po i çojnë sinjale PS-së që, sido që të bëhet, të heq dorë nga bashkia e Tiranës dhe kjo t’i lihet PD-së së Sali Berishës, në mënyrë që, për hatër të situatës politike, dhe të integrimeve mes tjerash, të arrihet balanca ose baraspesha mes PS-së dhe PD-së.

Kjo kërkesë, ose ky lejim që eventualisht mund të vijë nga ana e PS-së së Edi Ramës është një “kafshatë që vështirë të kapërdihet”. Sepse, ashiqare, mund ta përpijë ose ta qes jashtë. Nëse e përpinë, rrezikon që, pas dy vjetësh, kur pritet të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, PD-ja të kthejë atë që e ka humbur. Sepse sot Sali Berisha e ka shansin që bashkinë e Tiranës ta mbërthejë në të gjitha anët, edhe me mundësinë që të manipulojë listën e zgjedhësve, derisa i mbetet të shikojë, hulumtojë dhe gjejë mundësitë që, po e përsërisë, pas dy vjetësh, jashtë bashkisë së Tiranës, të ri-kthejë atë që e ka humbur sot.

Në anën tjetër (sic!), PS-ja e Edi Ramës, duke pasur parasysh mënyrën se si luan Sala në politikë, vetëm mund të ëndërrojë që ky njeri të vdes natyrshëm në mënyrë që bile t’i shfaqet mundësia që ta ri-kthejë bashkinë e Tiranës aty ku takon, aty ku vendosin votuesit.

Sidoqoftë, nëse PS-ja e Edi Ramës vendos që “kafshatën ta qes jashtë”, atëherë, ashtu si edhe në vitin 1997, përgjegjës për dhunën do të jetë PD-ja e Sali Berishës. Por, tashti përsëri vihen në lojë ndërkombëtarët të cilët në vend që të qortojnë PD-në e Sali Berishës për hapjen e kutive (sic!), ata dërgojnë porosi për shmangien e retorikës që mund ta çojë Shqipërinë në ndonjë konflikti eventual qytetar. Dhe e tëra kjo, sipas meje, pjesë e skenarit, e rezervës. Sepse, ashiqare, bashkësia ndërkombëtare po e kërkon “Hashim Thaçin” edhe në Tiranë. Pra, një njeri, në post të madh zyrtar politik, zakonisht Kryeministër, të cilin do ta përdorte si levë, ose edhe si ndërrues shpejtësish, siç njihet në gjuhën serbe “menjaç”. Dhe kush në Shqipëri është më elastik, më fleksibil sesa Sali Berisha?

Sa për të shkruar, vlen të përmendet fakti që edhe përkundër investimeve të jashtëzakonshme milionëshe vendore e ndërkombëtare në shoqërinë civile, dhe sidomos në media, qytetari i Shqipërisë mbetet qytetar sovran, i arsimuar që votën e vet ta jap sipas vullnetit të shëndoshë e jo sipas vullnetit të diktuar nga jashtë. Gjë që, për mjerimin tim personal, shkallë qytetarie që vështirë do të arrihet ndonjëherë në shoqërinë e Kosovës.