LAJMI I FUNDIT:

Kur kryetari i komunës mbron keqmenaxhimin dhe degradimin e Prishtinës!

Kryetari i komunës së Prishtinës u shfaq mjaft i ashpër me njësitin për krime ekonomike të policisë së Kosovës. Një deklarim plotë pezëm ndaj një institucioni që zbaton urdhrat e institucioneve të drejtësisë, prokurorive dhe gjykatave. Krahasimet e tij me UDB-në dhe akuzat tjera janë të tepërta dhe pa asnjë arsye.

Siç dihet komuna e Prishtinës ka humbur dhjetëra hektarë tokë dhe prona publike, është tkurrur dhe vazhdon të tkurret nga dita në ditë. Në vend të akuzave z.Mustafa do të duhej të na tregonte: Sa ka qenë prona komunale dhe sa është sot? Sa është pasuria publike që menaxhohet nga Ndërmarrja Publike Banesore? Sa fiton arka komunale nga bizneset që bëhen më këto prona? Si u bë që qytetarët për dy vite të mërdhijnë si pasojë e keq menaxhimit dhe neglizhencës së Termokos-it dhe ku janë shpenzuar paratë e dhëna nga arka komunale për këtë ndërmarrje, përderisa ajo nuk ka ofruar shërbime për qytetarët?

Degradimet që i janë bërë këtij qyteti në dekadën e fundit nuk të lënë hapësirë për të dyshuar në veprimet e përmendura të policisë. Përkundrazi ka vend për të akuzuar drejtoritë komunale dhe inspektorët. Gjithashtu pa faj nuk janë as prokuroria dhe gjykata komunale.


Nuk duhet të harrojmë që komuna ka nxjerrë një rregullore për legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe përmes kësaj rregulloreje po legjitimohet degradimi i qytetit, duke legalizuar ndërtime që kanë uzurpuar hapësirën publike që i përkiste lagjeve dhe banorëve, kanë ngushtuar rrugët dhe për më tepër në raste të mbindërtimeve ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Prej vitesh me dhjetëra familje janë detyruar dhe vazhdojnë të detyrohen të lëshojnë pronat e veta pasi që kanë mbetur nën hijen e rrokaqiejve pa leje, të ndërtuar pa asnjë plan urbanistik, (të njëjtat sot po legalizohen). Përderisa komuna ka lejuar ndërtimin e këtyre rrokaqiejve nuk ka marr parasysh asnjëherë interesin e banorëve dhe ata vetë ose është dashur të rrinë duke rrezikuar jetën dhe familjet e tyre ose janë detyruar të marrin aq sa ju kanë dhënë ndërtuesit dhe të lënë pronën e tyre.

S’i në asnjë kryeqytet tjetër, në Prishtinë nuk mund të bësh jetë të qetë nga zhurma e lokaleve, muzika e të cilave nuk ndalet deri në orët e mëngjesit. Si askund tjetër janë uzurpuar hapësirat e përbashkëta në ndërtesat e banimit kolektiv, duke cunguar mundësinë e shfrytëzimit nga fëmijët dhe të moshuarit. Si askund tjetër trotuaret ju shërbejnë veturave dhe jo qytetarëve. Si askund tjetër transporti publik është në gjendje të mjerueshme dhe në të shumtën e rasteve zhvillohet nga vetura private që jo rrallë bëhen rrezik për femrat që rastisin të udhëtojnë me ta.

Komuna e Prishtinës dhe kryetari i saj do duhej jo të akuzonin policinë, por të ndihmonin në identifikimin e personave dhe grupeve që kanë tjetërsuar dhe uzurpuar pronën komunale, kanë shkatërruar ndërtesat e banimit të përbashkët duke rrezikuar jetën e njerëzve, kanë uzurpuar trotuare dhe kanë ngushtuar rrugët.

Komuna e Prishtinës do të duhej që për interes të qytetarëve të normalizonte gjendjen në Termokos duke shkarkuar dhe kërkuar llogari nga menaxhmenti i saj. Komuna do të duhej të normalizonte dhe depolizonte Ndërmarrjen Publike Banesore që menaxhon me miliona euro pasuri të patundshme publike. Komuna do të duhej që të krijonte një transport publik të qëndrueshëm dhe të mbikëqyrte realizimin e kontratave me kompanitë për pastrimin e qytetit, larjen e rrugëve dhe ndriçimin e tij, pasi siç dihet gjendja e pastërtisë në qytet është në kaos dhe ana tjetër mungesa e ndriçimit dhe neglizhenca vazhdon të shërbej si rast për plaçkitjen e qytetarëve dhe kryerjen e akteve të pa përgjegjshme në rrugët dhe lagjet e Prishtinës.

(Autori është drejtor ekzekutiv në OJQ Mileniumi i Ri)