LAJMI I FUNDIT:

Isë, unë ndjehem i poshtëruar tash e dhjetë vjet

(Letër publike Kryetarit të Komunës së Prishtinës)

Si qytetar i Prishtinës, më duhet që për herën e dyta t’i drejtohem Kryetarit të Komunës sime, Isa Mustafa. Nuk jam i sigurt se si t’ia nisi kësaj Letre, duke marr për bazë një deklarim të tij se si është ndjerë i poshtëruar duke parë zyrtarët komunal të prangosur, apo se si ai komenton që në këtë mënyrë është prangosur krejt Prishtina, apo se si z. Mustafa del politikan i papjekur?

Është interesante se si ka njerëz që shndërrohen në politikan me ambicie madhore, për të marr pushtetin, duke e përdorur situatën e korrupsionit. Këta politikanë, ambiciozë, siç thuhet, nuk lënë gurë pa lëvizur, nuk lënë derë qytetari pa trokitur, nuk lënë media pa deklaruar që do ta luftojnë korrupsionin. Në këtë mënyrë, ata janë të vetëdijshëm që qytetari i Kosovës, më shumë se asnjëherë më parë, ka nevojë që dikush të organizohet dhe të bëjë ftesë në luftën e përbashkët me korrupsionin. Dua të them, me këtë qasje secili politikan me ambicie të tilla fiton vota. E tash, sa e si, kjo mbetet punë e organizimit të vet politikanit.


Këta muajt e fundit ishim dëshmitarë të një lideri në rritje, me popullaritet, i cili kërkonte rivendosjen e marrëdhënieve, të them, kontraktuale, mes LDK-së dhe PDK-së. Kontraktuale në kuptimin e qeverisjes së vendit sepse ai lider, që quhej Isa Mustafa, ashiqare dhe drejtpërdrejt, koalicionin PDK-LDK e quante, veç tjerash, të panatyrshëm. Këtë ai e argumentonte, përveç tjerash, me mungesën e vullnetit politik për ta luftuar korrupsionin. Dhe, natyrshëm me zhvillimin e ngjarjes, mbetej Fatmir Sejdiu ai që mbante fajësinë për një vendosje të marrëdhënies së tillë politike-qeverisëse.

Jashtë perceptimit se kush kishte të drejtë (nëse këtu ka diçka të tillë), këtyre ditëve u pa që Isa Mustafa ose e ka huq rrugën në të cilën po ecte, ose se e tëra kjo ishte asgjë më shumë se sa një luftë tjetër për “karrige”. Luftë, do të thosha, që LDK di ta bëjë më së miri. Sepse, fillimisht, Isa Mustafa, si lideri i LDK-së që zëvendësoi Fatmir Sejdiun, lidhi marrëdhënie kontraktuale-qeverisëse me PDK-në për të gjetur një Presidente të Kosovës. Nëse, si individ, e marr lirinë dhe deklaroi që një marrëdhënie e tillë ishte krejt e pafrytshme, atëherë mund të gjykohem që po bëj koment ose vlerësim personal. Por, arsyetimi i Isa Mustafës për “Presidenten konsensuale” është po i njëjti sikurse i Fatmir Sejdiut për Qeverinë PDK-LDK.

Dhe tashti kemi një episod edhe më të freskët. Para disa ditësh u arrestuan disa zyrtarë të Komunës së Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare (mes akuzave të tjera).

Më duhet të them që si qytetar i Prishtinës u ndjeva goxha i lumtur që pash se, ndoshta, më në fund, shpresa dhe liria po i kthehej qytetin tim, vatanit tim, atdheut tim. Në këtë vazhdë, prita që edhe Kryetari im, Isa Mustafa, të del në publik dhe të ankohej se pse ishin arrestuar vetëm 3-4 zyrtarë, e jo më shumë. Dua të them, prita nga ai që të fuqizojë dhe të ndihmonte me çdo mjet ndjekjen e korrupsionit në Komunën e Prishtinës. Por, ai nuk e bëri këtë. Ai e bërë krejt të kundërtën. Siç na tha, u ndie i poshtëruar duke i parë nëpunësit e tij të prangosur duke thënë se, kështu, ishte prangosur krejt Prishtina.

Nëse ua tregojë ndjenjën time karshi këtij deklarimi ku, ashiqare, Isa Mustafa nuk e kishte ndërmend të ndërmerret asnjë veprim, atëherë mu deshën nja dy birra “të Shkupit” për të perceptuar se çfarë dreqi deklaronte Kryetari i qytetit tim. Sepse Komuna e Prishtinës vlon nga ndërtimet me leje e pa leje dhe pa plan, Komuna e Prishtinës vlon nga papastërtia, vlon nga zhurma ose mungesa e qetësisë publike dhe individuale, Komuna e Prishtinës vlon nga gropat e rrugëve, vlon nga mungesa e rrugëve, Komuna e Prishtinës vlon nga mungesa e shkollave, çerdheve. Me një fjalë, Komuna e Prishtinës vlon nga infrastruktura e degjeneruar. Pra, Komuna e Prishtinës vlon nga korrupsioni, ndërsa që burimi i këtij korrupsioni është Komuna e Prishtinës, pra disa nga zyrtarët ose nëpunësit e Kryetarit tim Isa Mustafa për të cilët tash e dhjetë vjet pyetem: çfarë bëjnë këta zyrtarë tërë ditën? Dua të them, po e kuptoj ndjenjën e Isa Mustafës, por arsyetimet e tij duhet të jenë të tjera.

Përveç tjerave, ky rast dëshmoi që Isa Mustafa është politikan ambicioz, por ende i papjekur. Të ndihmohet që ky njeri të marr “karrigen” e pushtetit qendror është mungesë e sinqeritetit karshi këtij mileti. Koment personal? Shpresoj!

(Autori është qytetar i Prishtinës)