LAJMI I FUNDIT:

Nuk është problem veriu?

Regjistrimi i popullsisë së Kosovës që ka nisur më 1 prill, sipas njoftimeve të fundit është duke shkuar mirë me disa përjashtime. Problemi i vetëm në këtë proces tejet të rëndësishëm, i cili në Kosovë nuk është bërë që nga viti i largët 1981, sipas disa analistëve politikë mbetet veriu i Kosovës, ku serbët “lokalë” po e bojkotojnë regjistrimin.

Për çdo ditë po bëhet zhurmë pa nevojë se procesi i regjistrimit nuk ka nisur në veriun e Kosovës, përkatësisht në veriun e Mitrovicës. Serbët e kësaj pjese të Kosovës tash sa vjet janë të instrumentalizuar nga urdhërdhënësit në Beograd dhe është ditur ende pa nisur regjistrimi i popullsisë se ata do ta bojkotojnë këtë proces.

Kjo është një çështje e tyre dhe kjo nuk mund të pengojë mbarëvajtjen e regjistrimit të popullsisë në pjesët tjera të Kosovës, ku tash 30 vjet nuk dihet numri i saktë i banorëve të Republikës së Kosovës e në veçanti numri i saktë i shqiptarëve.


Mospjesëmarrja e një pjese të serbëve nuk duhet të na brengos gjithaq shumë. Mirëpo, mosdalja e tyre ka edhe një qëllim tjetër politik, mashtrimin. Mashtrimin ngase ata, siç u është thënë nga ndërkombëtarët, por edhe nga vendorët, mund ta bëjnë vetë regjistrimin (pa mbikëqyren e institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës (!)), e nëse kjo lejohet ata do të fryjnë numrin e serbëve madje edhe do ta trefishojnë.

Kjo nuk është e pamundur dhe për këtë duhet një kujdes i shtuar i ekspertëve të demografisë së Kosovës, të cilët e dinë që sipas regjistrimit të vitit 1981, sa serbë kishte në Kosovë dhe sa ka mundur të shtohet numri i tyre gjatë 30 vjetëve të fundit.

Pra, për këtë regjistrim të parin pas tridhjetë vjetëve, nuk paraqet problem veriu i Kosovës, por mashtrimi i serbëve të instrumentalizuar.