LAJMI I FUNDIT:

Zot ndihmona!

Ende pa kaluar mirë tri vite që kur Kosova u bë shtet, problemet e natyrës politike dhe ekonomike vetëm sa po thellohen. Deri me shpalljen e pavarësisë, kemi fajësuar ndërkombëtaret për të gjitha problemet, kurse sot kur jemi shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe kur i kemi institucionet tona, asgjë nuk është duke shkuar mirë. Kjo përshtypje apo ky konstatim del nëse shikohet rrjedha e ngjarjeve në Kosovë, e nëse kërkohet fajtori i gjenerimit të krizave të njëpasnjëshme ai ka vetëm një emër – politikan. Misioni i tij (politikanit) për t’i përfaqësuar interesat e popullin, ashiqare po del se është vetëm një ombrellë për të i mbuluar të gjitha të këqijat të cilat ia sjell popullit.

Si mund të arsyetohet fakti se sot në Kosovë kemi korrupsionin më të lart në Evropë, shërbime më të këqija shëndetësore, arsim jocilësor, ekonomi tërësisht të varur nga importi,… Krejt këto po i përjeton mbi kurriz populli, i cili për çdo dit është duke i humbur shpresat për një jetë më të mirë. Eksperimentet politike të politikanëve tanë, me përkrahje edhe të ndërkombëtareve, po e çojnë vendin drejt një kolapsi politik dhe ekonomik.

Rasti i fundit i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli se procedura e zgjedhjes së presidentit është bërë në mënyrë jokushtetuese, dëshmon për paturpësinë dhe jo seriozitetin e politikanëve për të ndërtuar shtetin. Si mund të justifikohet fakti që njerëzit që e kanë hartuar Kushtetutën e shkelin atë. (Brenda gjashtë muajsh rrezohen dy president për shkelje të Kushtetues). Kjo dëshmon se politikanet tanë, të cilët të vetmin qellim e kanë pasurimin nga politika, po e fusin vendin në aventura të rrezikshme.


Se pari dështuam me organizmin e zgjedhjeve, shumë vjedhje, shumë keqpërdorime një proces i stërzgjatur me shumë defekte. Edhe pse i kundërshtuar nga opozita, ata prapë e njohën rezultatin, Jo që e bënë për interesin e shtetit, por për karrigen e deputetit ( e cila i shpërblen me nga 1200 euro në muaj). Shumë e kuptueshme kjo. Po si rrodhi më pastaj ? Filluan negociatat për formimin e institucioneve. LDK parapëlqeu opozitën, AAK koalicionin e gjerë pa Thaçin kryeministër dhe Vetëvendosja me qëndrimin – opozitë në çdo variant. Thaçit i mbeti partner vetëm Pacolli, dhe të gjitha matematikat rezultonin me një përfundim Hashim Thaçi – Kryeministër dhe Behgjet Pacolli – President.

Por formula e koalicionit nuk ishte zgjidhur më së miri. Së paku ajo nuk dha rezultat për zgjedhjen e presidentit. Në seancën kur po zgjidhej presidenti, opozita në vend të qëndroj në Kuvend e të ballafaqohet me procesin zgjedhor, zgjodhi rrugën e bojkotit, e pozita me shumë probleme (shkelje të proceduarve te Kuvendit) zgjodhi institucionet. E pa kaluar mirë dy muaj kushtetuesja e anuloj këtë proces dhe Kosova prapë u fut ne krizë institucionale.

Çka ma tutje? Përgjigja do të jetë se do të vazhdoj të gjenerohet më shumë krizë dhe më shumë probleme. Atëherë kush është fajtor për ketë krizë, kusht tjetër përveç të zgjedhurit e popullit, të cilët po sillen sikur të ishin pronar të këtij shteti dhe sa herë ta kërkon nevoja mund të bëjnë pazare me të. Këta njerëz meritojnë dënim dhe nëse këtë nuk e benë populli do ta bëjë Zoti. Popullit nuk i ka mbetur tjetër vetëm t’i lutet atij: ZOT NDIHMONA!.