LAJMI I FUNDIT:

Mesazhet e legjitimitetit të Presidentit tonë

Çfarë ka të përbashkët midis refuzimit të LDK-së për ankimim në Kushtetuese për Presidentin Pacolli, mikpritjes së jashtëzakonshme që autoritete më të larta shtetërore të Shqipërisë i rezervuan atij, ftesës për vizitë nga Presidenti italian, mesazheve të urimit nga Presidenti francez, apo nga të gjithë homologët e tij perëndimorë dhe të rajonit? E përbashkëta është legjitimiteti i zgjedhjes së Presidentit Pacolli. Legjitimiteti i figurës së tij për të qenë President i Kosovës. Le t’i marrim me radhë secilën prej tyre.

Veprimi i LDK-së

LDK-ja nuk është një parti e afërt me Presidentin Pacolli, madje duhet t’ia ketë marrë për të madhe faktin se nëpërmjet koalicionit me PDK-në, shmangu mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Por LDK-ja është parti serioze që i mbahet një linje racionale veprimi politik. Ajo e di se nëse konteston procedurën e zgjedhjes së një Presidenti, nuk ka kuptim të kontestojë dhe veprimin e parë që ai ka bërë si President. Dmth, nëse ai është zgjedhur, për shkak të procedurave të gabuara të Kuvendit të Kosovës, ai s’ka qenë President kur ka votuar. Dhe në një rast të tillë madje ai ka bërë mirë që ka votuar, sepse paska qenë deputet(!?). Përveç këtij arsyetimi LDK-ja si parti institucionale e kupton që s’ka arsye të fusë vendin në një krizë të vazhdueshme institucionale kur ka prioritete të tjera të veprimit politik si opozitë, që zakonisht merret me qeverinë. LDK mendon kështu, se nëse Gjykata Kushtetuese vendos se Presidenti Pacolli është zgjedhur nëpërmjet procedurave të ligjshme, atëherë ai është legjitim.


Vizita në Shqipëri

Kështu si LDK-ja, mesa duket mendojnë dhe në Shqipëri. Me gjithë problemet e saj politike, Shqipëria ka qetësinë, ka distancën e nevojshme për të kuptuar proceset politike të Kosovës dhe protagonistët e saj. Shqipëria politike, ajo e shoqërisë civile, e universiteteve, është e pajisur me sensin e shtetit dhe institucioneve, me mendim kritik për të mos u instrumentalizuar nga gazeta apo qendra pushteti mediatik që kanë interesa në sulmet ndaj Presidentit Pacolli. Kështu shpjegohet fakti që Presidenti Pacolli u prit me të gjithë nderimet e një kryetari shteti dhe homologu i tij, Topi e shoqëroi në të gjithë aktivitetet e mundshme. Kryeministri Berisha i dha drekë dhe shëtiti me të në qendër të Tiranës, diçka për të cilën nuk kishte ndonjë detyrim protokollar. Një parti nacionaliste si PDIU e vlerësoi rolin e tij të mëparshëm për njohjet, vizionin e tij ekonomik, fjalimin në parlament, etj. Kreu i opozitës, Rama e priti me një mirësjellje thellësisht vëllazërore.

Parlamenti i Shqipërisë, të dy krahët e tij, për herë të parë aq të qetë, e duartrokitën pesë herë fjalimin e Presidentit Pacolli, një fjalim i pazakontë, ku për herë të parë u artikulua në praninë e ambasadorëve më të rëndësishëm të perëndimit dhe rajonit, termi “bashkim kombëtar”. Një universitet serioz si UET-i, ku janë pedagogë, ish kryeministra, ish prokurorë të përgjithshëm, ish kryetarë Gjykatash të larta, pesë ish ambasadorë, e vlerësoi Presidentin Pacolli me titullin e lartë “honoris causa”, për gjithë spektrin e aktivitetit të tij: ndërtimin, filantropinë, njohjet, politikën.

Në ceremoninë e rastit, morën pjesë dy ish presidentë, ministri i arsimit i Shqipërisë, autoritete intelektuale të vendit, dhe shumë studentë që e bllokuan lëvizjen e Presidentit Pacolli në pritje të autografeve të tij, etj. A thua vallë në këtë mirënjohje të përgjithshme të Shqipërisë kishte hipokrizi, mirësjellje diplomatike, apo blerje? A duhet të jemi kaq të “të pashpirt”, të dyshojmë për një blerje të përgjithshme të shtetit, të shoqërisë shqiptare prej Presidentit të Kosovës?

Edhe në këtë pritje të jashtëzakonshme, unike për një kryetar shteti të Kosovës, fjala kyçe është legjitimitet. Zoti Pacolli është president legjitim, edhe për shkak të procedurave, edhe për shkak të të kaluarës së tij, apo të sotmes së tij për të cilin ministri i Arsimit i Shqipërisë, Tafaj tha se “vlen si model për brezat e rinj”. Për më shumë, Shqipëria e ka zgjedhur presidentin Topi, me dy raunde të parë votimi kur “s’kishte kuorum”, pa kundërkandidatë, me pauza të gjata, dhe Kushtetuta e Shqipërisë sot e sanksionon me shkrim si tërësisht kushtetuese një situatë të ngjashme me atë si u zgjodh Presidenti Pacolli. Për më tepër, meriton vlerësim dhe vëmendje edhe iniciativa e Presidentit për atë qe e quajtën në Shqipëri, Comonwealth-in ekonomik shqiptar…

Homologët e tij perëndimorë dhe të rajonit

Presidenti Pacolli ka marrë gjatë gjithë kësaj kohe, mesazhe vlerësimi, urimi, ftesa nga homologë të ndryshëm, si Presidenti Sarkozi i Francës, Presidenti italian, Napolitano, i cili madje e ka ftuar në vizitë shtetërore. Presidenti maqedonas, madje e ka ftuar për herë të parë në një vizitë shtetërore Presidentin Pacolli, i pari president i Kosovës që viziton Maqedoninë në një format të tillë vizite. Pse? Këto ftesa janë dëshmi e legjitimitetit të zgjedhjes së Presidentit, e mungesës së çdo rezerve për figurën e tij, dhe për më shumë janë shprehje respekti për figurën e tij. Nëse do të kishin rezerva, atëherë krerët perëndimorë të shtetit mund të mos i shkruanin, sepse përshëndetja për zgjedhjen e një presidenti nuk është detyrim për një homolog të tij.

Siç kuptohet, zoti Pacolli e ka kaluar sfidën e legjitimitetit. Legjitimiteti i tij është legjitimiteti i institucioneve. Legjitimiteti i institucioneve është legjitimiteti i Kosovës. Kështu i sugjeronte kritikëve të tij, një figurë e shquar e diplomacisë së Shqipërisë si Besnik Mustafaj. “Tashmë, Behgjet Pacolli është legjitimisht (deri në një vendim të kundërt të Gjykatës Kushtetuese) President i Republikës. Për të gjitha këto.. kritikat…ai ka marrë verdiktin përfundimtar atje ku e merr verdiktin një politikan: edhe
drejtpërdrejtë në popull, edhe në Parlament”.

Zoti Mustafaj më tutje gjithashtu thotë: “çasti solemn i bërjes së betimit nga ana e tij do të duhej të shënonte një kthesë të plotë edhe në sjelljen e kritizerëve të tij. Ai duhet mbajtur në vazhdim në vëmendjen e opinionit publik dhe të opinionit politik për ato që
kryen, apo edhe nuk kryen si Kryetar i Shtetit, e jo më për të djeshmen e tij. Një vëmendje të tillë serioze nuk po e shoh të shfaqet”, thotë zoti Mustafaj. Por siç është dukur dhe në ditët e para të mandatit të tij, ai po e rikonfirmon mandatin e tij dhe në
Shqipëri, dhe jashtë vendit. Por dikush gjen kohë të merret prapë me të kaluarën e tij në shenjë proteste sipas një proverbi popullor, me “temperaturën e ujit që po i jepet – i ftohtë, apo i ngrohtë”, prej Presidentit Pacolli.