LAJMI I FUNDIT:

Shoqëria kosovare në mungesë të “Eliot Ness”-it

Gjatë viteve të 20’ dhe 30’ të depresionit të madh ekonomik të shekullit të kaluar, në Çikago sundonte All Kapone dhe grupi i tij mafioz, i cili ishte i pandalshëm, i paprekshëm dhe mbi ligjin. Ky grup sfidohej vetëm nga Eliot Ness, njeriu i cili dëshironte rend dhe ligj, i cili do duhej të respektohej nga e gjithë shoqëria, e sidomos nga grupi famkeq i ashtuquajtur i All Kapones. Ness-i, fuqa e tij e vetme, individuale dhe e kufizuar luftonte ndaj këtij “përbindëshi”, i cili kishte marrë përmasa në secilën pore të segmenteve të jetës shoqërore, ashtu që ishte sado pak idilike dhe ngjante sikur në veprën e Servantesit, ku Don Kishoti luftonte kundër “mullinjve të erës” me qëllim të shpëtimit të botës, që për shumicën ishte e imagjinuar dhe hiperbolike.

Historia e hidhur thuhet përsëritet tek ata të cilët nuk mësojnë nga e kaluara apo përvoja që kanë pasur dhe bien pre e rrethanave të njëjta sfiduese që u përjetuan nga e kaluara. Për t’ju shmangur një përvojë të tillë, shoqëritë e lira vazhdimisht bëjnë tentim për të mbizotëruar arsyeja, rendi, ligji, funksionimi dhe rregulli në shoqëritë e avancuara. Shumica e shoqërive bashkëkohore tani i kanë tejkaluar këto sfida dhe ecin rrugës së prosperitetit dhe integrimeve qofshin ato rajonale apo globale në qëllim të përfitimit të mirave nga shumë aspekte, të njohurive, përvojave, ideve, koncepteve dhe teknologjive të avancuara me qëllim të një jete më të mirë dhe më të lehtë për njerëzimin. Por, çka po ndodh tek ne?, me shoqërinë tonë?, ku jemi?, çfarë rruge kemi marrë?, dhe a jemi nisur në kahjen e duhur?… Shumë njerëz sot janë skeptik në këto “avancime” të shoqërisë sonë!

1. Patëm procesin e zgjedhjeve të parakohshme, i cili ishte i dhunuar, i abuzuar, dhe i përcjellë me shumë parregullsi, ku si rezultat i këtyre parregullsive dolën edhe rezultatet e “parregullta” me tendencë që të jenë të pranuara nga shumica dërmuese e popullatës.


2. Si rrjedhojë e këtyre rezultateve doli në pah edhe jolegjitimiteti i tyre, në të cilën, përfaqësimi i institucioneve të dala japin një pasqyrë joreale të shtrirjes dhe përfaqësimit të popullit të Kosovës, me një fjale kemi një “qeveri matematikore” apo numrash, por jo të prezantimit dhe përcjelljes së votës së lirë në krijimin e institucioneve të lira dhe demokratike, të cilat kanë qenë synim dhe qëllim i shoqërisë sonë të Kosovës.

3. Votimi i Qeverisë dhe Presidentit të Kosovës vetëm sa vulosi këtë proces të mjerë ku si rrjedhojë e saj u bë “dhunimi dhe shembja e mureve” të demokracisë dhe mendimit të lirë të cilat sado pak që ishin në jetë, gjatë këtyre viteve, kjo ja dha “kapakun” si thotë populli. Qëllimi i vetëm i ardhjes në pushtet pa marrë parasysh rregullat dhe procedurat e lojës me një shkallë mjaftë të madhe të ushtrimit të forcës dhe fuqisë mbi të tjerët pse mendonin ndryshe, tregon rrugën, kahjen që ky vend po merr.

Etika e politikës së sotme me ngjarjet e fundit na shpije tek shoqëritë tek të cilat fjala e lirë dhe shprehja e mendimit është e burgosur, sikur tek shoqëritë totalitare apo shoqëritë feudale ku mbreti apo princi kishte në dorë çdo gjë, pushtet të pakufishëm ndaj të nënshtruarve, pra po kthehemi mbrapa në shekuj të cilët nuk ishin premtues për asnjë shoqëri, e s’do jetë as për shoqërinë tonë.

4. Politika ditore dhe etika e saj, sot është shumë e përfshirë në premtime boshe (ngritja e pagave, mirëqenia më e mirë e qytetarëve, sigurimet shëndetësore, integrimet evropiane), janë slogane vetëm me qëllim të shfrytëzimit të situatës së mjerë të qytetarëve dhe përfitimit të kësaj politike me votën e vjedhur nga vetë qytetarët e saj.

Korrupsioni dhe mosfunksionimi i rendit dhe ligjit, për qëllime të politikës dhe atyre që udhëheqin me shtetin vetëm sa e bëjnë të paqartë rrugën dhe perspektivën për qytetarët e këtyre viseve. Në një anë flitet për integrime euro-atlantike dhe në anën tjetër nuk përfillen institucionet ndërkombëtare dhe marrëveshjet që duhet zbatuar pushteti në dakordim me të, në mungesë të vizionit dhe politikave të avancimit, në aspektin ekonomik, social, politik, komunitar, etj.

5. Proceset sikur privatizimi i “egër”, bisedimet me Serbinë, të cilat vetëm për shtati i shkojnë Serbisë për integrime evropiane, të cilën është ka e ndjek si kompromis, që Evropa ka gatit për të. Ndërsa Kosova në këtë proces ka hyrë “qorre” dhe do të dal prej tij pa ndonjë përfitim apo rezultat favorizues, si nga aspekti i respektimit të sovranitetit të brendshëm nga fqinji apo nga bashkëbiseduesi, apo ndikimi tek strukturat paralele në të mirë të respektimit të rendit kushtetues të Kosovës dhe integrimit të një pjese të shoqërisë serbe në veri të Kosovës, nëpërmes mekanizmave konstruktiv ndërfqinjesor të Serbisë apo BE-së. Por kjo s’do ndodh, pasi nga këto bisedime Kosova vetëm do humb, apo do të krijojë favore të reja në dëm të funksionalizimit të shtetit të Kosovës (Mitrovica në pako, 6 pikeshi i Ban Ki Munit). Kjo tregon një politikë inerte dhe të pafavorshme që institucionet tona janë duke ndjekur në skenën ndërkombëtare, sikur që janë politikat ditore, ad hoc, planet pa sens dhe përmbajtje. Ato vetëm sa ngushtojnë rrugën e avancimit të shoqërisë dhe njëkohësisht “dëgjueshmëria” politike nga “mbikëqyrësit” në vazhdimësi veçse e komplikon politikbërjen nga institucionet e sotme Kosovare.

6. Arrestimet e fundit edhe njëherë tregojnë se politikat e udhëhequra në raport me vendin tonë arrijnë absurditet total dhe institucionet tona janë të pafuqishme të ngrehin zërin kundër padrejtësisë dhe tentimit të degradimit të luftës së Kosovës për liri dhe pavarësi, për qëllime politike në raport me agresorin, i cili shkaktoj gjenocid mbi popullatën e pafajshme dhe të pambrojtur të Kosovës, dhe tash del se kinse ata që ishin mbrojtur nga shfarosja janë kriminel.

Ndodhin këto ngjarje në ditët që bisedimet kanë filluar me Serbinë më qëllim të dobësimit të pozicionit të Kosovës në sferën ndërkombëtare dhe krijimit të kushteve për koncesione të reja nga pala e biseduesve Kosovar përmes trysnisë ndërkombëtare, e që kjo qeveri për të qëndruar në pushtet do ta “ha” krejt atë që do t’i “servohet në pjatë”.

“Nëse s’je i zoti të merresh me punët e tua personale, atëherë vjen dikush tjetër në emrin tënd që do të bëjë punët ashtu qysh ai i sheh më së miri”. Vaj halli për shoqërinë tonë se si po udhëhiqet!

Mua si një qytetar i thjeshtë nuk më mbetet asgjë tjetër vetëm të shoh se si “All Kapone” po zgjeron rrjetin e vet në mungesë të “Eliot Ness”-it, i cili do ta luftonte në çdo çast, atë.

Me një rrjedhojë të tillë të ngjarjeve, dhe degradim të të gjitha segmenteve të jetës, nuk na mbetet tjetër vetëm të shpresojmë për zgjimin e një “Eliot Ness”-i dhe luftën e tij ndaj të keqes, për një vend me rend, ligj dhe organizim funksional dhe normal të jetës në Kosovë, apo do të jetojmë vetëm në iluzion apo utopi, sikurse “Don Kishotët” tonë që po tentojnë se kinse po luftojnë me “mullinjtë e erës”.

Shpresojmë që forcat sociale do zgjohen nga gjumi dhe ndërrojnë kahjen e kësaj shoqërie, ta nxjerrin nga ujërat e rrezikshme që dita-ditës po futet thellë e më thellë, pa shpresë që do të ankorohet diku së shpejti në një vend të sigurt dhe të qetë.

(Autori eshte student i vitit të III-të në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Departamenti i Sociologjisë)