LAJMI I FUNDIT:

Kush po e destabilizon Kosovën?

Përderisa bandat e pakontrolluara serbe që nga viti 1999 shëtisin lirshëm, madje të armatosur në veri të Kosovës, EULEX-i, ndërmori edhe një aksion spektakolar, por jo për të arrestuar e prangosur militarë e paramilitarë serbë, por qytetarët shqiptarë të Kosovës, ish-luftëtarët dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-ministra e komandantë legjitim të policisë.

EULEX-i, kështu edhe një herë doli në skenë me veprimet e tij destabilizuese, duke indinjuar tej mase qytetarët e Kosovës, të cilët tashmë nuk po i besojnë drejtësisë selektive, të quajtur EULEX.

Reagimi i Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së ishte i menjëhershëm dhe vlerësimi që u dha se “ kjo është një tendencë për njollosjen e luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tendencë për të tensionuar gjendjen në Kosovë dhe demonizuar luftën në Kosovë sipas diktatit të Beogradit” është më se i drejt dhe nuk ka se si të jetë ndryshe, ngase të shpallet fletarresti edhe për Fatmir Limajn, i cili më 2005, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, është një paradoks i llojit të vetë, që flet për ndikimin që ka në këto veprime Beogradi mbi EULEX-in.


Të gjitha këto arrestime siç u njoftua janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it të procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës. Hetimet janë duke u kryer nën mbikëqyrjen e një prokurori të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Ky është një turp dhe skandal i ri i drejtësisë ndërkombëtare, e cila sa i përket Kosovës që moti ka rënë në provim.

Veprimet e tilla kundër shqiptare të dirigjuara dhe fabrikuara në Beograd duhet të parandalohen. Misioni i EULEX-it tashmë e ka kaluar kufirin e durimit të qytetarëve të Kosovës. Duhet të ndërpriten arrestimet spektakolare të luftëtarëve të lirisë dhe të krijohet rrethi për arrestimin e bandave paramilitare serbe që po operojnë lirshëm nëpër veriun e Kosovës, ku serbët e armatosur deri në dhëmbë kërcënojnë madje edhe komandantin e KFOR-it.

Fletarresti i lëshuar për Fatmir Limajn dhe të gjithë ish-luftëtarët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është edhe një shembull i keq se misioni i EULEX-it nuk po e kryen detyrën e vetë për të cilën është ngarkuar nga institucionet ndërkombëtare. Kundër këtyre fletarresteve duhet të deklarohet dhe t’i kundërshtojë fuqishëm edhe qeveria e Republikës së Kosovës, ngase veprimet e tilla thjeshtë po kryhen me qëllim të destabilizimit të Kosovës. Drejtësia ndërkombëtare si e tillë, e cila po aplikohet në Kosovë, nuk përkon fare me realitetin ekzistues.

Kriminelët e luftës së Kosovës ende shëtisin lirshëm në veri të Kosovës dhe në Serbi, të kamufluar tash në lëkurën e qengjit, ndërkohë që viktimat dhe luftëtarët e lirisë shpallen “kriminelë”. Ky është turpi i drejtësisë të quajtur EULEX, që ka aromë Beogradi…

(Autori është gazetar i pavarur)