LAJMI I FUNDIT:

Sindroma shqiptare në Ballkan

Shqiptarët kudo në Gadishullin Ballkanik shquhen për trimëri, bujari, besnikëri dhe shumë e shumë virtyte të mira njerëzore, por siç po shihet të gjitha këto virtyte ne shqiptarët i kemi me bollëk vetëm për të huajt e kurrsesi për veten tonë. Ne shqiptarët kemi qenë luftëtarë besnikë të Turqisë otomane, luftëtarë besnikë të Kralit të Serbisë, luftëtarë besnikë të Gjermanisë naziste, të Jugosllavisë titiste, por kurrsesi besnikë për veten tonë.

Trimat, intelektualët dhe dijetarët tanë gjithmonë i kemi vrarë vetë ne shqiptarët: Skënderbeun e ka tradhtuar Moisi Golemi, Hasan Prishtinën e ka vrarë dora tradhtare e shqiptarit, Nazim Gafurrin e ka vrarë dora tradhtare e shqiptarit e kështu me radhë. A thua përse ne shqiptarët jemi kësisoj që shumë krenohemi me besën shqiptare dhe gjithnjë vritemi pabesisht në mes veti pas shpine? Kjo ma kujton një thënie, siç vijon: Aty ku shumë flitet për fe, nuk ka fe. Aty ku shumë flitet për besë nuk ka besë. Mos ndoshta është kjo sëmundja (sindroma) shqiptare? Ja, të shkruaj pak edhe për kohën moderne shqiptare: Pas rënies së pushtetit socialist në Shqipëri pushtetin e fituan demokratët me logon se socialistët janë tradhtarë, më pas pushtetin e morën socialistët me një grusht shtet po ashtu me logon se demokratët janë tradhtarë e kështu me radhë.

Kthehemi në Kosovë: Ibrahim Rugova me LDK-në, kur them me LDK-në e kemi parasysh që 99.9% e popullatës së Kosovës ishim në këtë lëvizje, e cila për 10 vjet i rezistoi pushtuesit serbosllav në Kosovë, mandej me daljen në skenë të UÇK-së filloi lufta kundër okupatorit serb deri në disfatën e tyre në Kosovë dhe ikjen e turpshme të soldateskës serbe nga Kosova. Pas çlirimit në vend se krerët tanë politikë dhe ushtarakë t’i vishen punës për formimin e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe ta përgatisin vendin sa më shpejt, t’i krijojnë kushtet për shpalljen e shtetit, këta filluan të garojnë se kush ka më shumë merita për çlirimin e vendit, duke harruar se meritat i takojnë këtij populli e askujt hiq tjetër, sepse Ibrahim Rugova ishte i këtij populli, gjithashtu edhe Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe krejt ata djem dhe vajza që luftuan për çlirimin e vendit ishin të këtij vendi dhe të këtij populli, ndërkaq fill pas luftës filluan ta quajnë njëri-tjetrin tradhtar, bashkëpunëtor, kush më shumë merita e kush më pak, dikush luftëtarë e dikush pacifistë dhe kështu u nda populli “pik e pesë” sikurse jemi edhe sot, ku kemi ardhur në një pozitë kur mercenarët serbo-rusë na akuzojnë për gjëra që jo se nuk i bën shqiptari, por as që mund t’i imagjinojë dhe këtë e dinë shumë mirë sponsorizuesit e këtij raporti dhe shumë raporteve tjera, po ja që po i shfrytëzojnë në mënyrë dinake dhe perfekte dobësitë tona.


E njëjta situatë është edhe me shqiptarët e Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe shqiptarët e Malit të Zi. Deri kur do të sillemi ne shqiptarët kësisoj, kur në luftë i fitojmë betejat, kurse në paqe i humbim? Për fund: Ne shqiptarët duhet ta vejmë gishtin në kokë dhe t’i vishemi punës, ta respektojmë gjakun tonë edhe gjenin tonë, të mos e fajësojmë Evropën që kinse na ka lënë nën pushtuesin serb, grek dhe maqedonas, por na ka lënë ky bajraktarizmi ynë. Për shembull: Në Konferencën e Paqes në Londër, delegacioni shqiptar ka shkuar pikë e pesë, në Konferencën e Versajës njashtu pikë e pesë, në Konferencën e Berlinit njashtu pikë e pesë dhe në Rambuje gjithashtu pikë e pesë dhe ky episod për fat të keq ende po vazhdon. Jemi një popull shumë interesant, sepse gjithmonë i kemi fituar luftërat dhe kemi pritur se çka po na dhuron Evropa dhe Amerika, sikurse edhe sot që po na përsëritet historia, edhe atë pikërisht prej gabimeve tona. Dhe për fund ja ku jemi sot të shpërndarë nëpër pesë shtete të Ballkanit dhe një shifër shumë e madhe e shqiptarëve e shpërndarë nëpër Evropë dhe përtej Atlantikut.