LAJMI I FUNDIT:

Ti që cenove votën e lirë të popullit, kujt i bëre nderë?

Bora që ka mbuluar Kosovën sot, nuk i ka zbardhur fytyrën atyre individëve e grupeve, nga çfarëdo subjekt politik dhe nga cilido cep i Kosovës qofshin, që me 12 dhjetor cenuan demokracinë, duke manipuluar me votën e lirë.

Me 12 dhjetor qytetari i Kosovës e kishte mundësinë që me votën e tij të jepte verdiktin për subjektin (ose subjektet), që do qeverisnin dhe do menaxhonin taksat tona në katër vitet e ardhshme. Subjektet politike, që garuan për këto zgjedhje, shumë pak konkurruan me programe qeverisëse apo projekte konkrete. Ato gjatë fushatës më shumë u përqendruan ose në kritika (e shpesh edhe në fyerje) drejtuar njëra tjetrës dhe veçanërisht qeverisë, ose duke tentuar të mburren me ato, që i cilësonin si të arriturat e tyre.

Përgjithësisht fushata ishte e qetë dhe pa incidente, gjë që mua personalisht me jepte shpresë se i tillë do ishte edhe procesi në ditën e votimit dhe të numërimit të rezultateve. Nuk ishin të paktë zërat, që ngritën shqetësimin, se me 12 dhjetor do ketë manipulime me votën e lirë, dhe t’ju them të drejtën, anipse edhe vet kam pasur shqetësime të tilla, shumë kam dëshiruar, që zërat e tillë me 12 dhjetor të bindeshin, se e kishin gabim. Por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Me 12 dhjetor jo vetëm që ndihem e zhgënjyer, por edhe me keq ndihem e fyer, bile dhe e turpëruar, sepse pikërisht kështu më bënë të ndihem disa bashkëkombës, të cilët si duket nuk e duan Kosovën ashtu siç e dua unë.


Me 12 dhjetor individë, apo edhe grupe të caktuara, cenuan të drejtën time që si qytetare e këtij vendi të vendos për të ardhmen e tij dhe kështu më bënë të ndihem jo vetëm e pafuqishme, por edhe me turp. Pra ti, që më bëre mua të ndihem me turp, kujt i bëre nder? Ti i bëre një nderë ndonjë hajduti, apo hajdute, që nuk e meritonte besimin e popullit dhe paramendonte, se fillimisht duhet të vjedhë votën, që më vonë të vjedhë edhe cka tjetër të mundet, projekte, privatizme, tenderë, të grabiste djersen dhe paratë e popullit. Ti i bëre një nderë gjithë atyre, që mendojnë, se populli i Kosovës nuk e meriton të qeveriset vetë, se nuk e meriton t’i bashkohet familjes së popujve të qytetëruar të Evropës, se nuk e meriton bile as t’i vizitojë këto vende. Dhe këtyre zërave po, t’i i bëre një nderë.

Ti i bërë një nderë edhe atyre, që me çdo kusht mundohen të pengojnë ecjen përpara të shtetit të ri të Kosovës, për të cilin shumë bashkëkombës të tu sakrifikuan shumë. Dhe ti ASPAK nuk u bëre nder bashkëqytetarëve të tu, që edhe më tutje vazhdojnë të mbeten më të mbyllurit në Evropë. Ti aspak nuk i bëre nderë as miqve tanë, që na mbështesin dhe përpiqen të na ndihmojnë të ecim vetë përpara dhe ti bashkohemi familjes së popujve të qytetëruar, ti aspak nuk i bërë nderë rinisë kosovare, që do vazhdoj të jetë e mbyllur dhe të ndihet e lënë mënjanë karshi bashkëmoshatarëve nga vendet tjera.

Dhe unë do vazhdoj të ndihem e pafuqishme dhe e fyer derisa gjyqësori i Kosovës të veprojë dhe "ti" që shkele ligjin të marrësh dënimin e merituar. E derisa drejtësia të mos e thotë fjalës e saj, unë si qytetare e këtij vendi nuk do pushoj së kërkuari, që ajo të vihet në vend. Prandaj ju bashkëqytetarët e mi, që sot ndiheni të fyer siç ndihem unë, bashkohuni në kërkesë time për drejtësi. E ju që më bëtë të ndihem e fyer, TURP JU QOFTE!