LAJMI I FUNDIT:

Lideri dominant

Liderët e partive politike në prag të zgjedhjeve parlamentare, pos përplasjeve verbale, (e me gjasë fjalori do të vije duke u ashpërsuar edhe më), nuk vërehet ndonjë ofertë me perspektivë sa i përket ngjalljes së mirëqenies ekonomike, pos dominimit të retorikës manipuluese me trupin votues. Edhe pse zyrtarisht, ende nuk ka filluar fushata zgjedhore, Thaçi në Prizren u mburr me gjashtë fitoret e PDK-së në dy palë zgjedhjet komunale (ato të vitit 2007 dhe të 2009-ës), dhe ato nacionale të vitit 2007. Por matematika e z. H. Thaçit rezultoi me gjashtë fitore të PDK-së, për dy palë zgjedhje komunale dhe një palë nacionale. LDD shfaqi brengosjen ndaj matrapazëve të shit-blerjes së votave sipas një ankandi publik të edituar në internet këtyre ditëve. Por z. N. Rugova i LDD-së, me gjasë nuk kishte klikuar më tutje në faqen e internetit për të parë se edhe shumë të tjerë kishin ofruar shitjen e votave me çmim prej 50-100 euro për një votë. Ndërsa, liderë të tjerë të partive politike, këtyre ditëve hidhnin kaci betoni duke inauguruar ngritje ndërtimi spitalore apo shtruarje të reja asfalti për të “mirën e qytetarëve”. Është punë e mirë, pse jo! Paramendoni sikur të kishim zgjedhje çdo dy vjet edhe sa objekte publike e rrugë të tjera do të ngriteshin!? Dhe kujt do t’i shkonte mendja se një palë zgjedhje gllabërojnë 7-9 milionë euro të arkës së shtetit, ndërsa investimet e objekteve që përurohen janë të parëndësishme karshi kostos së zgjedhjeve.

Mbase, shtrëngimi i njerëzve për të shitur “vullnetin” e tyre politik, për njësi matëse e ka mbijetesën, e cila po zbarkon në shumë familje të Kosovës. Ishin parlamentarët e legjislacionit të shpërbërë, të cilët i dhanë vetes sa herë që ndjenin se janë më të papaguarit karshi homologëve të tyre në rajon. E vërteta edhe ndoshta është e tillë, por shteti i Kosovës është më i varfëri i rajonit, ndërsa qytetari i Kosovës është më i nëpërkëmburi dhe më i papaguari jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.

Pse ndodh kështu?


Gjermani Habermas thotë se politika pushtetore përmes instrumentit ekzekutiv të shtetit ndërhyn për të ruajtur status-quo-n, e kinse një bote të përkryer, duke e paragjykuar si zhvillim ekonomik. Mirëpo, në ndërmarrjet e mëdha ekonomike, të cilat zgjasin me vite të tëra doemos duhet të jenë bashkë-vendimmarrës edhe qytetarët, nga se, pa paratë e tyre nuk mund të realizohen e as të materializohen projekt-idetë. Bie fjala, autostrada ‘Ibrahim Rugova’, nuk diskutohet se a i është dashur apo jo shtetit dhe kombit. Sigurisht se po! Porse, participimi në vendimmarrje i qytetarëve garanton proceset e demokracisë duke i inkorporuar ata, në mënyrë aktive edhe me sfidat e demokracisë. Veprimi i këtillë i politikës pushtetore nuk i lënë hapësirë dilemave për abuzime financiare e aq më pak dilemë mbeten qëllimet e mira dhe patriotike të shtetndërtimit. Përjashtimi i qytetarit, në këtë stad të marrëdhënies qytetar-shtet, është obligim edhe i Gjykatës Kushtetuese për të dhënë këshillimin juridiko-kushtetues ndaj mega-ndërmarrjeve.

Po sikur të ishte pyetur edhe qytetari para vendimmarrjes (psh. me referendum), sigurisht se nuk do të ishte marr me zjarmi se çka do të ndodh pas 12 dhjetorit, sa i përket financimit të mëtutjeshëm nëse qeveria në ikje e PDK-së, nuk i fiton zgjedhjet. Mekanizmi i lartpërmendur, veç se do t’i jepte shëndet proceseve demokratike në vend. Në të kundërtën, qytetarët mbeten vetëm fragment dekorativ dhe zhvishen nga argumentet e proceseve të demokracisë. Dhe kështu politika pushtetore e partisë në pushtet imponohet me krijim të opinionit në masë për vullnetin politik! Synimi i tillë i politikës pushtetore ka për qëllim ngulfatjen në sistem të vetëmbyllur politik, i cili më pastaj derivon në t’kurrje të pareshtura të politikës ekonomike nacionale karshi nevojave dhe kërkesave imediate të shtetit dhe të qytetarëve. Demokracia mbetet vetëm si opsion i së ardhmes dhe jo si mundësi e së tashmes për ta përjetuar në kuptimin material, shpirtëror dhe kulturor. Dhe, këtu qëndron vetëdijesimi qytetar për të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe demokratike, politikën e ardhshme, e cila lidh kontratë publike me qytetarin se çka pretendon t’i ofrojë publikut dhe shtetit në vitet e ardhshme të pushtetit. Në këtë rrafsh, Isa Mustafa, në fushatën zgjedhore në Rahovec, mbështetësve të vet iu dha informacion të bollshëm se kah duhet ta drejtojnë votën e tyre për të parin e komunës së atjeshme. Ai u betua para tyre, dhe atë disa herë, se paraja publike nuk do të përfundojë në llogaritë e krimit të organizuar, se do të funksionalizohet pozicioni i shtetit ligjor, se asnjeri nuk do të vuaj për shkak të përkatësisë politiko-partiake, fetare, gjinore apo sociale, se do të mbështetet zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë për të gjithë qytetarët pa seleksionim dhe ekskluzivitet partiak apo të prejardhjes sociale rurale, urbane apo krahine, etj.

Ishte oferta më kuptimplote pragmatike dhënë trupit zgjedhor rahovecas, njëherësh, duke e aktivizuar participimin e qytetarëve në vendimmarrje, duke ia dhënë edhe votuesit më të thjesht argumentin e proceseve të demokracisë, në favor të votuesit subjekt ndërtues i marrëdhënieve të tërësishme shoqërore, e jo të votuesit makinë i së nesërmes të pashpresë.

Ndarja e qartë dhe kategorike e Isa Mustafës nga ata të cilët keq qeverisën me paranë publike, abuzuan me djersën e taksapaguesve, e shpërfillën krenarinë shpirtërore edhe të njerëzve më të thjeshtë, duke e dërmuar egon e njerëzve të cilët ishin rreshtuar me dekada brenda llojit politik, është edhe një mesazh mbase i qartë se proceset demokratike në shtetin e Kosovës do të sjellin progres, mbase edhe të pranuar edhe ndërkombëtarisht nga institucionet e ndryshme monitoruese ndërkombëtare. Krahas ofertës programore politike, Isa Mustafa po reflekton në shtetndërtimin e vlerave të arrira të demokracisë euro-perëndimore.

Isa Mustafa që në daljet e tija të para në publikë, në cilësinë e të parit të LDK-së, gjithnjë e më shumë po imponohet si lider dominant dhe i pakontestueshëm në skenën politike kosovare. Demokracinë e mbështetin njerëzit dhe, ata përmes votës së tyre e zbulojnë liderin.

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori