LAJMI I FUNDIT:

Servilizmi studentor, një plagë e vjetër

Një stuhi mbytëse duket sikur ka mbërthyer gjithçka e çdo gjë. Kjo vorbull stuhie ka përfshirë një pjesë dërrmuese të komunitetit njerëzor, por këtë zallamahi (çuditërisht) e ndjejnë vetëm ca romantikë, ca idealista, ca qenie me moral të lartë individual… Fundja, po të mendosh kjo pjesë e ndjeshme e shoqërisë është e paktë dhe vetvetiu pyetja lind: “Pse duhet ta dëgjojmë këtë kategori njerëzish, përderisa ato nuk janë as çereku i pjesës së kësaj shoqërie?! E drejtë o njeri! E drejtë? Po, po. Si kanë ardhur kohërat është e drejta në anën e atyre që i ka kapluar stuhia… E pse mos t’i themi derrit dajë?!

Populli ynë pas një sistemi totalitar monist relativisht të gjatë doli i “syrgjinosur” për së gjalli. Pasojat e atij sistemi duken edhe sot në thuajse çdo aspekt shoqëror. Psikologjikisht njeriu është i vrarë në mendjen e tij dhe aktivizon çdo mënyrë thjesht vetëm për të ekzistuar, pasi kjo është e qenësishme për të. Në psikikën e individit shqiptar termat “shef”, “shefi i madh”, “epror”, “kuadro”, “drejtor” etj…etj duket sikur buçasin shumë fort, saqë edhe timpanët e veshëve luftojnë shumë të shkretët duke duruar deri në pikën e fundit të rezistencës të mosdaljes jashtë përdorimit të tyre… Si pasojë krijohet një filozofi e padurueshme ku ndan një monopol njerëzish nga një popullatë e gjerë në mënyrë të pandërgjegjshme ose të pavetëdijshme.

Sot po të përfundosh në godinat e Universiteteve tona në Shqipëri shikon shumë prej atyre që janë rikonstruktuar, rregulluar apo edhe ndërtuar nga fillimi. Gjithashtu, sistemi i arsimit të lartë publik ka njohur reforma të rëndësishme për zhvillimin e tij, pedagogë të shumtë kanë qarkulluar dhe ka pasur rritje page të konsiderueshme, çdo vit ka pasur një rritje të ndjeshme të kuotave të pranimit të studentëve në Universitete etj…etj, porse asnjë përmirësim nuk kemi sa i takon çështjes së servilizmit të pashembullt e paskrupullt, i cili shikohet qartë që në këmbën e parë kur studenti hedh tek dera e oborrit të godinës, ku duhet t’i thuash rojës (edhe pse nuk e ke qejf fare) “mirëmëngjesi” fallso, se ku i dihet ndonjë ditë i shkrep në kokë dhe të nxjerr jashtë ose në rastin më të mirë të ndalon tek dera duke të pyetur më trego kartën e studentit që të di se a je apo jo në këtë shkollë, edhe pse ndoshta ka tre vjet që nuk të ka ndaluar asnjëherë. Katastrofa më e madhe gjendet m’u në mes të sallave të leksioneve dhe seminareve, ku shpirti i servilizmit studentor aktivizohet shumë fuqishëm, si me qenë duke aktivizuar një antivirus të fortë për kompjuterin. Gjaku i këtyre studentëve është i mbushur me një dozë të lartë pafytyrësie, e cila i shërben interesave të ulëta dashakeqe, ku sot mendon për një “notë” dhe nesër “ndot” një shoqëri…TURP!


Nuk ka gjë më të pështirë për një popull ku bijtë e tij, e veçmas rinia që mbahet si e ardhmja e kombit është nga mëngjesi e deri në darkë servile e ca favoreve të vogla, me idenë iluzive se ka arritur në jetë shumëçka. Të qëndrosh vetëm për vetëm me studentët, pa përjashtim që të gjithë kanë kurajën të flasin për çdo gjë e gjithçka. Madje ka nga ato që bëjnë edhe rolin e atij që vendos se si duhet të jenë gjërat duke dhënë një mendim deri diku autoritar. Në momentin që hyn pedagogu i lëndës në sallë, menjëherë pllaka e realitetet kthehet në një mënyrë që vetëm Zoti në qiell e di sesi. Është e çuditshme, por studenti lë jashtë maskën e tij dhe brenda në auditor futet me fytyrën e vërtetë të një sharlatani-servil që i bën “temena” çdo gjëje që thotë goja e drejtuesit të lëndës. Studenti që nesër mendohet të drejtojë jetën e këtij vendi duke qëndruar si fakir në tryezat e sallës të ngjason me qenien më të rëndomtë, e cila ka humbur rrugën duke u përplasur aksidentalisht me ambientet e shkollës dhe kur e pyet në fund (pasi mbaron leksioni dhe largohet pedagogu i lëndës) se pse nuk e dhe mendimin tënd, ka kurajën të përgjigjet: “Dua t’i lë punët mirë me pedagogun”. Pra, me pak fjalë studenti ynë i vendos një mohim çdo gjëje që ai dëshiron të thotë për faktin e thjeshtë se duhet të dali përherë PRO më të madhit, SHEFIT.

Jeta në vetvete është bërë shumë materialiste dhe si rezultat i kësaj në krye të një perandorie me emrin “Materia mbi të gjitha” qëndron servilizmi, i cili si dukuri e stërlashtë por e riaktivizuar shumë vrullshëm këto vitet e fundit realizon në mënyrën më të mirë të mundshme idealin e sotshëm shoqëror për të poseduar gjithçka edhe pse nuk e meriton. Ana financiare kudo ka mbërthyer godinat e Fakulteteve tona (megjithëse do e trajtojmë si tematikë njëherë tjetër), por kjo anë materiale nuk mundet të qëndrojë larg servilizmit, pasi duhet t’i kesh që të dyja që të ecësh përpara në jetë! Absurde more mik, shok e vëlla! E vështirë për t’u pranuar nga ty, por e lehtë për të vepruar. E lehtë i thënçin, pasi shumë-fytyrësia sot ka marrë rrugën përpjetë dhe nuk pyet as për idealin më të lartë shoqëror, e as për një përgjegjësi individuale-shoqërore. Katastrofa ka vetëm një emër: SERVILIZËM.

“Të dal apo mos të dal”- kjo është çështja. Të mos dal nga shtëpia, e kam shumë të vështirë duke qëndruar brenda katër mureve si një i molepsur nga ndonjë gjëmë e madhe. Pastaj shtoi faktin se edhe ndonjë punë duhet të dalësh që të kryesh dhe me patjetër duhet të lëvizësh. Problem i madh! Po të dal me siguri një fatkeqësi mbi kokën time do pllakos patjetër. Nuk po ja dal as të gjejë mënyrën sesi t’i lë veshët e mi në shtëpi, qoftë edhe për pak kohë sa jam jashtë “kafazit”. Nejse, s’ke çfarë të bësh. Ja që i paska edhe jeta këto!… Më në fund dola jashtë… Dëgjojë si (pa)dashje me veshët e mi (e jo me të tuajat o njeri) prindër që kanë vajzën/djalin student duke thënë “Sa mëson goca ime”, “Gjithë ditën qëndron djali në shkollë”, “Më lodhet çupka gjithë natën duke mësuar”, “Im bir ka dalur shumë mirë në mësime”, “E mori diplomën vajza ime, o Zot sa mirë ka dal” etj…etj… Uffffffff… Hipokrizi me thasë- do thoshte ndonjë tregtaruc. Shpeshherë akuzojmë studentin se tregohet servilë, pasi i ka marrë notat pa meritë, me ryshfete, duke “raportuar” etj… etj, por harrojmë se ushqimi më i madh për këtë njeri që tashmë ka dalur në jetë është pikërisht familja e tij, e cila nga turpi i opinionit dëshiron t’i japë me çdo kusht e çdo kosto djalit/vajzës “një copë shkolle”. Dhe për çfarë? Gjoja të mburret… Sa qesharake, pasi harron prindi i gjorë se diploma si servil dhe makut, si budalla e sharlatan, si hipokrit dhe hajvan ka për të gjithë, pasi e shkreta diplomë siç thotë edhe një mik i imi shkrimtar “Është bërë për t’u vendosur në lajmërime vdekjesh. Dhe kur të shkosh me pi kafen se (djali apo vajza) janë diplomuar, në vend që t’i thuash tjetrit (Për Hajr) duhet t’i thuash (Të rroni vete, se mendja ju ka lënë)”…!

Së fundmi, më lejoni t’iu them se mënyra të tilla të edukimit dhe procedimit të përfundimit të shkollës, sado që vlejnë për një hark kohorë të caktuar, ta dini se ajo është e shkurtër. Kudo që të jeni dhe kudo që të shkoni, do ju etiketojnë me gishtin e madh tregues, pasi ajo ç’ka ju nxjerrni nga goja është e juaja dhe askush në biseda e sipër nuk do ju thotë se çfarë note ke në diplomë dhe se çfarë ke marrë në vitet e shkollës, porse ju shikon me vëmendje sesa të matur e të pjekur jeni gjatë bisedave dhe temave të ndryshme, dhe është pikërisht ky ballafaqimi dhe sfida më e madhe që jeta ju servir mes DIPLOMËS suaj dhe MENDJESHPREHIVE tuaja.

(Autori është kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës)