LAJMI I FUNDIT:

Defekti institucional, maji i përgjakur – historia përsëritet

Nga mëvetësimi i Maqedonisë deri më sot, të gjitha të këqijat iu bënë popullit të pranueshme duke e bindur atë se ka edhe me keq! Për më tepër, populli po nxitet të duartrokas për të “keqen e mirë”!

Edhe sot jemi dëshmitarë të politikës fashiste që për fat të keq ndihmohet nga vetë shqiptarët. Këtë vit, maji u përgjak. Lulet u shkelën. Aromën e trëndafilave nuk e nuhatim, por nuhatim barutin që përdoret vetëm në komunat shqiptare, pra kundër shqiptarëve.

Shqipfolësit e qeverisë thirren në institucionet e shtetit! Kjo i ngjanë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kur çetnikët vrisnin, masakronin shqiptarë, Fadil Hoxha dilte në skenë. Atë botë ai dilte me konstatimin, përkatësisht me sloganet serbe për ta emituar sa herë që u duhej padronëve se : “Kosova – Metohia nuk asht as e shqiptarëve, as e serbëve as e malazezve, Kosova – Metohia asht e shqiptarëve e serbëve dhe malazezëve, asht e popujve të Kosovës – Metohisë”.


Edhe sot shqiptarët përbuzen, vriten… Ata janë pa përkrahje. Këtë e dëshmon protesta e 10 majit. Nën moton “Për drejtësi”, mijëra qytetarë, nën organizim të Këshillit të Organizatave Joqeveritare Shqiptare shprehen pakënaqësinë dhe revoltën e tyre kundër padrejtësisë dhe diskriminimit të shqiptarëve.

Kundër politikës antishqiptare, kundër proceseve të montuara…Mirëpo, BDI, partia në pushtet protestat i komentoi më ndryshe. Zëdhënësi i qeverisë, shqipfolës tha se: “Ajo që është më me rëndësi dhe porosia që jepet nga kjo protestë duke pasur parasysh numrin e vogël të pjesëmarrësve se shqiptarët në Maqedoni janë të vendosur që të gjitha kërkesat e tyre dhe problemet ti shtrojnë për zgjidhje përmes institucioneve të shtetit d.m.th në mënyrë institucionale ti zgjidhin të gjitha kërkesat dhe problemet e tyre”, kjo deklaratë më shumë i irritoi shqiptarët (e pyesim zotërinë sa ushtarë kishte UÇK-ja?) dhe në të njëjtën kohë kuptuam se po na përsëritet historia:

1. Historia ku shqiptarët vriten, burgosen pa faj.
2. Kur shqiptarët janë viktimë e politikës shtetërore të përkrahur nga vetë shqiptarët që luajnë rolin e kukullave në qeveri.

Prezantimi i së vërtetës kërkon mund të madh intelektual dhe qasje racionale në sistemin shtetëror. Sa janë shqiptarët të njohur për atë që ndodhë. Përgjigjja dihet, aspak. Si do e komentojmë vrasjen e katër shqiptarëve në fshatin Sfillare? Vallë a nuk ishte goditja më e madhe për të gjithë shqiptarët kur dihet se njëri nga të vrarët ishte Harun Aliu, njëri ndër themeluesit e UÇK-së? A nuk u shkelën të drejtat e njeriut??? Ku është ndërgjegjja e politikanëve?

Në këto momente nuk duhet hedhur teza të gabuara, të mbjellim iluzione të kota… Me këtë nuk dua të them se duhet të heshtim si gur varri, para gjithë kësaj që ndodhë, por duhet të veprojmë politikisht për të larguar këtë situatë të krijuar që është e tmerrshme dhe e papranueshme. Pjekuria dhe maturia e njeriut del në shesh kur ai nuk heq dorë nga qëndrimi i drejtë.

Le të mendojnë politikanët për qëndrimet e tyre sa janë të drejta, le të mendojnë si e ndërtojnë të nesërmen, ngase ne, sot kemi çka ju themi: mos bëni politikë me popullin, mos konsideroni armik atë që ka mendim të kundërt me ju, mos shkelni mbi gjakun e dëshmorëve…

Kuptoni se popullin nuk mund të mashtroni me çdo premtim, ngase populli nuk i beson çdo udhërrëfyesi. Me fjalët e Shaban Polluzhës (i cili iu drejtua Fadil Hoxhës pasi ky i fundit kërkoi bashkëpunim), duhet me ua bë me dije politikanëve shqiptarë se do i përkrahim dhe do i votojmë ata: “…jemi luftëtarë për liri dhe për nderin e familjeve e të popullit. Por, që të shkojmë pas gjermanëve dhe pas çetnikëve deri në fund na i ndërprisni zullumet e reprezaljet që po i bëjnë brigadat jugosllave. Ndërprisni therjet e vrasjet. Mos na vritni pas shpine, mos na i vritni njerëzit duke shkuar në dasmë, duke shkuar në vdekë, duke shkuar në hane (dyqane), duke shkuar në mulli.

Mos na vritni duke shkuar në mal për të marrë dru për familjen, mos na vritni duke lëvruar, mos na i vritni barinjtë, mos na e nëpërkëmbni familjen e namuzin!
Nëse këto i ndalni, jemi gati të nisemi me juve dhe vetëm prini!”

(Autori është student në UEJL – studime për Master – Drejtimi: Diplomaci)