LAJMI I FUNDIT:

Lufta dhe “pokeri politik”

Përballë një rrezikut të shpërthimit të një lufte me pasoja të mëdha, intelektual të shquar dhe personalitete të artit dhe të kulturës organizuan një debat televiziv ku për orë të tëra u përpoqën të sensibilizojnë aktorët e politikës që të heqin dorë nga lufta.

Fjala e aktorit me renome botërore, Alen Delon, bëri bujë! Ai iu drejtua audiencës me këto fjalë: “Realiteti me të cilin ballafaqohemi i ngjason lojës së pokerit me letra të mbyllura. Ne, si spektator, i dimë lojtarët. Ne ua shohim të gjitha letrat. Ne e shohim qartë së në këtë lojë të pokerit politik, në vend të parasë, në lojë vihet jeta e dhjetëra mijëra njerëzve të pafajshëm. Dhe, me paturpësi, kërkohet nga ne që të heshtim, të mos i zbulojmë letrat e lojtarëve! Ne e kemi për obligim ndaj vetvetes si intelektual të denoncojmë këtë lojë kriminale!”
Kjo ndodhi dy dekada më parë në Paris.

Që nga ajo kohë, jemi dëshmitarë të gjenocidit hutu kundër tucëve në Ruanda, të gjenocidit serb kundër myslimanëve në Bosnje, të gjenocidit serb kundër shqiptarëve në Kosovë … të krimeve monstruoze ku jeta e miliona civilëve të pafajshëm anë e kënd botës ishte “monedhë kusuritje e lojtarëve të pokerit politik”.


Ngjarja më eklatante e implikimit të “lojtarëve” rajonal dhe ndërkombëtar të “pokerit politik” përbën rasti i Srebrenicës. Pas garancive ndërkombëtare dhe vendosjes së Srebrenicës si “Zonë e sigurisë” nën mbrojtjen e OKB-së u ndërpre lufta! Por nuk u ndërtua paqja!

Kjo situatë u shfrytëzua nga forcat serbe për të izoluar boshnjakët në këtë qytet dhe për të përgatitur në imtësi krimin. Masakra e Srebrencisë i bëri bashkëfajtorë edhe institucionet ndërkombëtare që pamundësuan armatosjen e boshnjakëve për vetëmbrojtje dhe që u “treguan” të pafuqishëm për t’i mbrojtur mijëra civil të këtij qyteti.

Rasti i luftës së vitit 2001 në Maqedoni, në shikim të parë, dëshmoi një efikasitet të madh të ndërmjetësimit ndërkombëtare. Në një situatë ku forcat ushtarake kishin raport të ekuilibruar në terren u bë intervenimi i diplomacisë së SHBA-ve dhe BE-së për ndërprerjen e luftës.

Në të njëjtën kohë u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe u krijua një Qeveri teknike edhe me partitë në opozitë, për implementimin e marrëveshjes dhe ndërtimin e paqes.

Pala shqiptare, duke mbështetur shpresat në ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, respektoi në tërësi angazhimet që dilnin nga kjo marrëveshje. Madje u bë çarmatosja e UÇK-së pa kërkuar zvogëlimin e potencialit ushtarak të palës tjetër.

Krijimi i “listave të zeza” (amerikane dhe evropiane) për personat që sponsorizojnë ose mbështesin dhunën në Maqedoni dhe që pengojnë implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit ishte shpresë se të gjithë lojtarët e “pokerit politik” do të ballafaqohen me vështirësi të mëdha në rrugën e tyre të manipulimit me jetën e civilëve të pafajshëm.
Fatkeqësisht, në vend të implementimit të plotë të kësaj marrëveshje dhe heqjen e padrejtësive ndaj shqiptarëve, pala maqedonase vazhdoi me logjikën e vjetër antishqiptare.
Pas nëntë vitesh nga përfundimi i luftës paqja nuk u ndërtua.

Të gjitha padrejtësitë dhe format e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Maqedoni aplikohen me intensitet edhe me të madh se para vitit 2001.
Bartësit e institucioneve shtetërore të Maqedonisë, në krye me Nikolla Gruevskin, janë personat që planifikojnë, që ushtrojnë dhe që mbështesin dhunën institucionale kundër shqiptarëve në Maqedoni. Ata janë personat kryesorë që pengojnë implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Pra që pengojnë ndërtimin e paqes.

Kohëve të fundit gjithnjë e më tepër dëgjohen zëra se një luftë e re do të shpërthejë në Maqedoni.

Të gjithë e shohim se Nikolla Gruevski, me politikën e vet antishqiptare, përgatit tryezën e një “loje të re pokeri politik”. Të gjithë i dimë “lojtarët e këtij pokeri politik”. Edhe ata që nga opozita mendojnë të ulen në tryezën e Qeverisë së ardhshme teknike. Të gjithë e dimë se jeta e civilëve të pafajshme është në lojë. Na thuhet të heshtim! Të mos denoncojmë.

JO! Tani duhet të ngremë zërin dhe të denoncojmë lojën e re mbi kurrizin e popullit shqiptar në Maqedoni. Duhet të denoncojmë edhe indiferencën ndërkombëtare që tërë aktivitetin e vet preventiv e ka kufizuar vetëm në disa deklarata.

Duhet të ngremë fuqishëm zërin para se të ndodhin krimet e reja. Pas çarmatosjes së UÇK-së dhe militarizimit të Maqedonisë të gjitha krimet do t’u faturohen edhe ndërmjetësuesve ndërkombëtarë. Është momenti i fundit që bartësit me peshë të institucioneve ndërkombëtare të evitojnë përsëritjen e Srebrenicës.

Duhet të ftohet me urgjencë një Konferencë ndërkombëtare dhe t’u shqyhen letrat lojtarëve përgjegjës të “pokerit të ri politik” .

Në të kundërtën përgjegjësia do të bjerrë mbi të gjithë, ndërsa pasojat do t’i bartin civilët e pafajshëm.

Në trend

Më shumë
Gjesti rrezikon eliminimin nga Big Brother, pasi nuk dëshiron ta kryejë dënimin e Vëllait të Madh

Gjesti rrezikon eliminimin nga Big Brother, pasi nuk dëshiron ta kryejë dënimin e Vëllait të Madh

Magazina
Emina Çunmulaj flet për partnerin: Burrin e kam persian, unë persianët dhe shqiptarët nuk di t'i ndaj - jemi pothuajse njësoj

Emina Çunmulaj flet për partnerin: Burrin e kam persian, unë persianët dhe shqiptarët nuk di t'i ndaj - jemi pothuajse njësoj

Magazina
Dikur legjendë e tenisit ndërsa sot në një karrige me rrota, Anna Kournikova ngjall shqetësime në daljen e parë publike pas dy vjetësh

Dikur legjendë e tenisit ndërsa sot në një karrige me rrota, Anna Kournikova ngjall shqetësime në daljen e parë publike pas dy vjetësh

Magazina
Ronaldo ka treguar se ku është ndjerë më bukur gjatë karrierës së tij dhe ka paralajmëruar një rikthim të mundshëm

Ronaldo ka treguar se ku është ndjerë më bukur gjatë karrierës së tij dhe ka paralajmëruar një rikthim të mundshëm

La Liga

"Mercenar, mashtrues" - tifozët e Real Valladolidit nuk ia falin Ronaldos veprimin që ka bërë ndaj klubit të tyre

La Liga
Gazetari serb: Lista Serbe është kanceri i qytetarëve serbë në Kosovë

Gazetari serb: Lista Serbe është kanceri i qytetarëve serbë në Kosovë

Politikë
Kalo në kategori