LAJMI I FUNDIT:

Profesioni – viktimë e kaosit politik

Dallimet që paraqiten në raportimet e medieve të afërta me partitë e majta dhe atyre të djathta, korrenspondojnë me ndasi të mëdha politike. Kështu, gazetarët garojnë në mes veti se kush po përdor etiketime më të ulëta ose edhe më të vrazhdta, që është shkelje e etikës profesionale gazetareske. Kjo pra na shpie te konstatimi se kur publiku do të ishte i detyruar të informohet vetëm nga një burim (nga mediet “partiake”) atëherë ai sigurisht që do të krijojë një pasqyrim jo real për situatën ne vend. Në këtë formë ai do të krijojë bindje vetëm për një rrymë politike.

Lajmet nuk janë produkt neutral por artefakt kulturor; sekuenca të porosive të prodhimeve shoqërore të cilat bartin shumë paragjykime dominante kulturore të shoqërisë sonë. Në këtë kuptim, etnocentrizmi i lajmeve paraqet karakteristikën e përhershme të raportimit të gazetarëve, ndërsa shprehja më e qartë e këtij etnocentrizmi në të gjitha vendet është shprehur nëpërmjet lajmeve gjatë konflikteve. Kjo nënkupton që gazetarët tërhiqen nga konvencioni që është karakteristikë për raportimet e rregullta dhe në vend të saj pranojnë qëndrimin patriotik dhe organizojnë narracione rreth konfliktit thelbësor ndërmjet ne dhe ata, ndërmjet kombi ynë dhe armiqtë tanë. Në parim, një mënyrë e këtillë e raportimit nuk aplikohet vetëm gjatë ngjarjeve të konflikteve ndëretnike, por aplikohet edhe në ceremoni të ndryshme kombëtare.

Në kontekst të situatave konfliktuoze ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, shkalla e homogjenizimit kombëtar zakonisht është shumë i lartë, ndërsa dilema themelore para gazetarëve është se a duhet mbajtur anën vlerave profesionale apo të përqafojnë interpretimet korrekte kombëtare të ngjarjeve. Gazetari në një farë mënyre është i përfshirë në boshllëkun ndërmjet identitetit kombëtar dhe profesionit. Identiteti i gazetarit nuk është fiks dhe i qartë, por fluid dhe jostabil, ndërsa gazetari vazhdimisht sillet ndërmjet përkatësisë kombëtare apo profesionale.


Raportimi për një konflikt të dhunshëm kur gazetari i përket njërës prej palëve në konflikt paraqet dilemë profesionale: paradigma profesionale gazetareske – objektiv dhe neutral – është nxitur dhe konfrontohet me sentimentet patriotike të reporterit dhe përkatësinë e tij etnike dhe kulturore.

Duke analizuar raportimin e mediave në Kosovë për trazirat e marsit 2004 mund të vijmë në përfundim se përkatësia etnike e gazetarëve ka luajtur rol primar në tonin e raportimit. Në ditët e para të ngjarjeve të papritura dhe të dhunshme – të cilat kishin qenë kërcënim për ekzistimin e shtetit gazetarët nuk kanë zhvilluar diskursin profesional, ndërsa përkatësia etnike e ka tejkaluar pjesëmarrjen e tyre në shoqërinë profesionale.

Por, deri te kthimi në paradigmën profesionale, vije vetëm pasi që politikanët kanë parë që situate është tensionuar dhe është shumë serioze si dhe pasi që ishin ndërprerë trazirat ndërmjet KFOR-it, policisë dhe demonstruesve.

Ka raste kur mediat në fillim mbështesin fuqishëm pushtetin dhe me kalimin e kohës kalojnë në anën e kundër dhe bëhen zë i fuqishëm. Duhet pasur të qartë se nuk janë mediet ato që përcaktojnë agjendën e politikës, por para së gjithash ndërrimeve në botën e politikës. Ndërrimi më së miri mund të sqarohet si refleksion dhe përgjegjësi në kolapsin e konsensusit – posaçërisht të elitës konsensuale. Rasti i trazirave të marsit 2004 sugjeron që përkrahja apo kundërshtimi mediatik i politikave të caktuara varet shumë nga ajo se sa është niveli i konsensusit të kësaj politike, posaçërisht brenda establishmenitit politik.

Para së gjithash, është evidente se mosekzistimi i një qëndrimi të përbashkët politik në nivel të shtetit për çështje kontraverze domosdo pasqyrohet edhe në botë e gazetarisë. Mediat në Kosovë veprojnë brenda konflikteve të ndryshme dhe në mes veti, brenda kornizave të caktuara etnike, si dhe paraqesin polarizime në diskurset mediatike sa herë që paraqiten çështje të ndjeshme kombëtarë.

Fatkeqësisht, në Kosovë nuk mund të flitet as për publikun si fushë universale, por para së gjithash për publik të fragmentuar, të ndarë në mes veti në vija etnike, prandaj mediet jo vetëm që pasqyrojnë dallimet e definuar etnike dhe konsensuse politike por fillimisht i drejtohen pushtetit të grupeve të tyre etnike. Brenda kësaj kornize, rallë u ipet rasti që gjatë raportimeve mediatike të ngriten mbi mënyrën patriotike të të raportuarit.

Por, siç kemi pas rastin të shohim gjatë arrestimeve të ish – komandantëve të UÇK-së Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, janë prezantuar kronika diametralisht të kundërta. Në raporte përveç fakteve ka pas edhe komente, që për pak qaste pat humbur distanca profesionale në mes të reporterit dhe pjesëmarrësit në ngjarje, ndërsa struktura klasike “e piramidës së përmbysur” nuk paraqet çdo herë rregullin e artë të gazetarisë, por ndërrohet më raportimet kronologjike.

Në fund, mund të përfundojmë se është e qartë që gazetaria në Kosovë nuk mund të shihet si segment i ndarë që mund të rregullohet vetëm përmes mekanizmave të gazetarisë, apo nuk mund të vij deri te forcimi i gazetarisë profesionale deri sa nuk normalizohet korniza ndërmjet shoqërisë dhe vet politikës, në të cilën veprojnë mediat. Kjo nënkupton se gazetarinë profesionale nuk duhet parë vetëm në kuptimin e ngushtë të fjalës, por ajo duhet të përfshijë edhe normalizimin e vet shoqërisë në kuadër të së cilës veprojnë mediat. Në anën tjetër edhe me ekzistimin e kaosit brenda shoqërisë sonë nuk paraqet alibi për raportim gazetaresk që nuk qan shumë kokën për standardet profesionale.