LAJMI I FUNDIT:

Kombi shqiptar përballë sfidave të jashtme dhe të brendshme

Njëri prej popujve më të vjetër dhe autokton të Ballkanit është padyshim populli shqiptar, i cili i kishte banuar këto vise shumë vite më përpara se të vinin ardhacak të ndryshëm dhe të popullonin këtë territor, duke sjellë ndryshime të konfiguracionit territorial, demografik dhe politiko-historik.

Pa dyshim se dihen rrethanat historike të cilët sollën batica dhe zbatica për këtë komb, por pa mëdyshje mund të thuhet se shqiptarët si popull dhe si komb, u formësuan shumë përpara bekimit të shtetit të tyre. Ata të përkushtuar ndaj gjuhës, gjakut, flamurit dhe ndjenjës për të jetuar të lirë dhe të bashkuar si çdo popull apo komb, kishin vokacionet e tyre për të jetuar nën një shtet të vetëm.

Por, diplomacitë e ndryshme të asaj kohe, sollën vendime në disfavor të këtij kombi të fragmentarizuar në më shumë shtete. Ajo që i parapriu më shumë këtij fragmentarizimi ishte mosunifikimi i faktorit politik shqiptar, e që solli një humbje të dhembshme në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Paqes në Londër dhe në Versajë.


Sido që të jetë, ky komb i pastër etnikisht, me gjurmë të thella në histori, pasardhës i banorëve të parë të Ballkanit si pellazgët dhe ilirët, ka arritur që t`i mbijetojë dhe t`i bëjë ballë shumë sfidave dhe pushtuesve të ndryshëm. Ky komb i cili është i shpërndarë në disa shtete, nuk ka reshtur së qenuri i sfiduar nga shumë faktorë të jashtëm dhe brendshëm. Ata kanë ndikuar direkt ose indirekt në mirëqenien e këtij kombi.

Gjuha e kombit shqiptar, gjuha shqipe është njëra prej gjuhëve bazë të kontinentit evropian. Llogaritet si njëra prej 5 apo 6 gjuhëve bazë të këtij kontinenti, ndërsa si njëra prej 10 apo 12 gjuhëve të botës. Më të drejtë studiuesja e njohur nga Shqipëria Elena Kocaqi e rendit këtë gjuhë si njërën prej më të vjetrave, si dhe si një uverturë për formësimin e gjuhëve dhe kombeve tjera evropiane.

Ky komb i cili karakterizohet i vogël në krahasim me disa kombe tjera, për së pari herë në historinë e tij po përjeton ditët më të mira dhe më të lumtura. I gjendur me dy shtete, atij të Shqipërisë, të Kosovës, i parë si faktor relevant në Maqedoni dhe në atë që njihet si Lugina e Preshevës, pa marrë parasysh injorimin nga disa të tjerë, mund të thuhet se është faktor i stabilizimit në Ballkan.

Nacionalizmi i këtij kombi nuk është vrastar, nuk ka shfaqur kurrë pretendime territoriale apo shovinizëm, për dallim prej nacionalizmit serb apo atij grek që institucionalisht dhe historikisht ka qenë vrastar. Nacionalizmi serb i konvertuar në shovinizëm kërcënoi për vdekje qenien shqiptare. Fatmirësisht një gjë e tillë nuk ndodhi, falë vigjilencës sonë dhe botës demokratike.

Kombi shqiptar pas rënies së komunizmit, u kthye aty ku e kishte vendin, në aleancë me Evropën Perëndimore dhe SHBA-të, vendin e demokracisë. Guximi, idealet dhe ndihma e tyre solli këtë komb si komb faktorizues në Ballkan, arriti çlirimin e Kosovës, arriti futjen e Shqipërisë në NATO, e nesër besa edhe në BE, arriti avansimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni etj.

Por, kombi shqiptar, sot gjendet përballë disa sfidave sa të rrezikshme, po aq edhe sfiduese. Kombi shqiptar, përballë sfidave të jashtme dhe të brendshme duhet të dijë se si të manevrojë me sukses. Përballë sfidave të jashtme ai ka përballë nacionalizmin serb, i cili ende është i padenacifikuar, kërcënon edhe më tutje Ballkanin dhe shtetin e ri të Kosovës, e kësisoj shqiptarët në tërësi.

Diplomacia serbe e përkushtuar me çdo kusht në lobim kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, përmes përkrahjes së strukturave paralele serbe në Kosovë, përmes margjinalizimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, përmes oscilacioneve të ndryshme është sfidë për kombin shqiptar.

Përballë këtij kombi gjendet e ashtuquajtura çështja çame e cila rrin pezull, dhe nuk faktorizohet, edhe pse shteti i cili pretendon të jetë demokratik Greqia, mban pa të drejtë popullsinë çame në mëshirën e fatit, pa mos i njohur të drejtat elementare.

Kombi shqiptar përballë duhet të ketë edhe sfidën tjetër, atë të ndihmesës dhe mbështetjes së shqiptarëve në Turqi, për mos t`u asimiluar shqiptarët atje. Këtë të drejtë duhet kërkuar nga e drejta e krijimit të njëfarë Albafonie, organizatë kjo e cila do të rigruponte shtetet që kanë popullsi që flet gjuhën shqipe dhe që janë shqiptarë. Kjo lloj organizate duhet të funksionojë sipas modelit të Frankofonisë.

Kombi shqiptar përballë ka edhe sfidën e shtetit me këmbë të qelqta FYROM, ku shqiptarët atje duhet meodomos të kërkojnë me egzigjencë të drejtat e tyre natyrore, përndryshe duhet të kërkohen alternativa të tjera si federalizimi apo ndonjë formë tjetër e rregullimit kushtetues.

Ky komb përballë ka edhe sfidat eurointegruese dhe euroatlantike, shkëputjen nga e kaluara komuniste si dhe hyrjen në familjen e kombeve të lira.

Kombi shqiptar përballë tij si sfidë të brendshme ka unifikimin ndërshqiptar, në aspekt politik, ekonomik, gjuhësor, arsimor. Ky komb duhet të synojë unifikimin e strategjive dhe qëllimeve të përbashkëta, vijimin e një politike kohezive.

Kombi shqiptar përballë ka konceptin monstër të disa pseudoanalistëve si “kombi apo gjuhë kosovare”. Kombi shqiptar duhet të luftojë këtë sajesë të rrezikshme dhe armiqësore, sepse ajo sjell përçarjen dhe ndarjen e mëtutjeshme ndërshqiptare.

Kombi shqiptar përballë ka heqjen e barrierave ndërshqiptare në çfarëdoqoftë fushe qofshin ata, forcimin e ekonomisë, krijimin e mundësive për një lëvizshmëri dhe fleksibilitet më të madh ndërshqiptar, dhe këmbimet e ndryshme akademike, studentore ndërshqiptare.

Kombi shqiptar përballë ka edhe një sfidë tjetër, iniciativat haxhiqamiliste që vijnë përmbrenda tij, të ndihmuara nga qarqet e ndryshme sllave, greke apo qarqe tjera armiqësore antishqiptare.

Tendenca e disa individëve haxhiqamilistë të cilët dalin dhe deklarojnë publikisht se “ Shqiptarëve nuk i duhet Evropa dhe Amerika” sa janë djallëzore, po aq janë edhe armiqësore. Shqiptarëve i duhet Evropa dhe Amerika më shumë se kurrë sot.

Përndryshe qenësimi i ynë si shqiptarë është në pikëpyetje. Dilema se a duhet të synojmë Perëndimin apo Lindjen e shtruar si dikotomi, nuk është e nevojshme sepse dihet afirmativisht se shqiptarët janë Evropa dhe Perëndimi vet, ata kanë kontribuar në konfiguracionin e këtij kontinenti të vjetër e të lashtë deri atëherë kur nuk u pushtua ky kontinent nga fiset e egra prej Karpateve, si dhe nga pushtuesit tataro mongole osman. Ky kontribut vazhdon edhe më tutje të jetë i madh dhe pa ndërprerje.

Prirjet haxhiqamiliste të disa shqipfolësve, të cilët deri dje kanë qenë ose bashkëpunëtorë të sigurimeve shtetërore të UDB-së, apo janë aksidentalisht fëmijë të bashkëpunëtorëve, këta faqezinj dalin dhe pa fije turpi deklarojnë se Evropa dhe Amerika janë kundër nesh, ndërsa marrin edhe guximin të deklarojnë se figurat historike kombëtare si Gjergj Kastriot-Skëndërbeu, Nënë Tereza, Leka i Madh janë figura antikombëtare, sepse na qenkan krishtere.

Çfarë gojëligësie e turpshme. Këta shqipfolës, duke u nisur gjoja se nga aspektet fetare, që aspak nuk i kontestoj, por që janë aspekte të marra qëllimisht me gabim, nuk pushojnë së deklaruari se shqiptarët nuk kanë nevojë për këta personalitete, që na bënë të njihemi ndërkombëtarisht.

Kombi shqiptar duhet detyrimisht t`i luftojë këta forca të errëta, që tentojnë të fusin përçarjen ndërshqiptare në bazë të feve. Kombi shqiptar duhet të luftojë me çdo kusht iniciuesit e një Shën Bartolomeu ndërshqiptar, iniciuesit e një sllavizmi të figurave tona historike kombëtare.

Kombi shqiptar duhet të promovojë diversitetin ndërfetar, duke mos cenuar aspak të drejtat fetare ndërshqiptare ose të drejtat fetare të kombeve tjera. Shqiptarët sot edhe pse me shumicë muslimane, nuk duhet të shikojnë me sy armiqësor shqiptarin katolik ose ortodoks. Kjo sfidë duhet patjetër të sfidohet nga kombi shqiptar.

Ndërsa tentativa haxhiqamiliste ndër shqiptarët duhet të luftohet me mish e me shpirt, prirjet otomane të disa shqipfolësve që synojnë ndarjen e kombit shqiptar në Vilajete duhet të hidhen së bashku me to në koshin e plehrave. Përndryshe do na mallkojë Zoti, të parët tanë dhe pasardhësit tanë.

Kombi shqiptar duhet të mos gjendet përballë dilemës poashtu të disa heretikëve dhe qarqeve ortodokse progreke, që u pengojnë xhamitë e larta, e nuk ju pengojnë kryqet gjigande përballë shumicës muslimane, që ju pengojnë marrëdhëniet e mira me Turqinë, përderisa ky shtet është duke ndihmuar aktivisht shtetin e ri të Kosovës, si dhe Shqipërinë (së fundi projekti i fundit i rrugës Durrës-Kukës).

Pra, kombi shqiptar duhet t`i japë përparësi prezencës së multikonfesionalitetit, të respektojë kultet e besimit, të ndërtojë xhami, por në anën tjetër nuk duhet të rrënojë kisha, ose duke ndërtuar kisha të rrënojë xhami, sepse në kompozicionin e tij ka edhe pjesëtarë muslimanë edhe të krishterë.

Kombi shqiptar duke i dhënë përparësi ndjenjës së pastër kombëtare, kohezionit ndërshqiptar, respektimit të diversitetit fetar, librave të shenjtë fetarë dhe të tempujve të shenjtë fetarë, mbrojtjen e këtij diversiteti, mbrojtjes së pastërtisë gjuhësore dhe etnike, ngritjes dhe mbrojtjes së personaliteteve të famshme historike shqiptare, pa marrë parasysh se a janë muslimanë (Naim Frashëri, Hoxhë Tahsini, Ymer Prizreni, Adem Jashari, etj), katolikë (Skëndërbeu, Gjergj Fishta, Nënë Tereza, etj) apo ortodokës (Papa Kristo Negovani, Fan Noli, etj), do të jetë detyrimisht i suksesshëm dhe me relevancë në sistemin e mardhënieve ndërkombëtare.

Tjetër alternativë nuk ka. Nëse ka urdhëroni e potenconi.

(Autori është profesor i gjuhës frënge në Universitetin e Evropës Juglindore)

Në trend

Më shumë
Doni të siguroheni se cila është qendra juaj e votimit? - verifikoje për pak sekonda me një proces shumë të lehtë

Doni të siguroheni se cila është qendra juaj e votimit? - verifikoje për pak sekonda me një proces shumë të lehtë

Lajme
U munduan ta fusin në grackë duke e dehur dhe detyruar Loredanën ta joshë, Rozana zbulon kurthin që banorët përgatitën për Gjestin

U munduan ta fusin në grackë duke e dehur dhe detyruar Loredanën ta joshë, Rozana zbulon kurthin që banorët përgatitën për Gjestin

Magazina
Shkencëtarët çekë zbulojnë në Shqipëri liqenin termal nëntokësor më të madh në botë

Shkencëtarët çekë zbulojnë në Shqipëri liqenin termal nëntokësor më të madh në botë

Lajme
ZRRE: Çdo deklaratë për rritjen e tarifave të energjisë elektrike aktualisht është i pavërtetë

ZRRE: Çdo deklaratë për rritjen e tarifave të energjisë elektrike aktualisht është i pavërtetë

Ekonomi
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

Magazina
Kalo në kategori