LAJMI I FUNDIT:

Përse BE vendosi në mënyrë selektive për vendet e Ballkanit?

Pakoja e fundit liberalizeuese e BE-së ndaj disa vendeve të Ballkanit Perëndimor natyrisht se nuk është pritur mirë nga vendet e përjashtuara, madje ka shkaktuar edhe dozë të konsiderueshme zhgënjimi. Një reagim i tillë i opinionit qytetar në Prishtinë, Tiranë dhe Sarajevë është i kuptueshëm. Por, nëse ata që veten e quajnë analistë, mendojnë vërtetë se Evropa gaboi konsideroj se nuk janë shumë të familjarizuar me politikat e zgjerimit të BE-së dhe kanë pak njohuri në përgjithësi për trendet e politikës globale. Në lajthitje edhe më të madhe kanë rënë. më këtë rast ata që e kanë quajtur këtë “getoizim” të islamizmit.

Vendimi për të “integruar” respektivisht “izoluar” nuk duhet parë apriori si vendim për të favorizuar, respektivisht diskriminuar. Ka diçka më tepër në tërë këtë. Vendet që u përfshin në procesin e liberalizimit të vizave si Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi kanë filluar një diskurs trë ri në politikën e tyre ndërkombëtare. Diskurs i cili paraqet shmangie nga politika e jashtme tradicionale e tyre. Derisa Maqedonia dhe Mali i Zi për më shumë se një shekull jetuan pa identitet apo me identitet të limituar politik, Serbia nga ana e saj ishte për aq kohë ombrella nën të cilën mblidheshin popujt sllav të Ballkanit.

Nga fillimi i shekullit të njëzet, më bekimin e Rusisë, Serbia mori rolin e Piemontit në unifikimin e sllavëve të jugut. Rrjedhimisht, fillimi i shekullit njëzetenjë i gjeti këto tri shtetet me një identitet të ri politik, si shtete të pavarura, por pa një identitet të profilizuar në marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili sillej midis nostalgjisë nga e kaluara pro-lindore dhe realitetit të një pozicioni dualist, midis lindjes dhe perëndimit, por me mungesë të një aspirate të qartë ( përjashtuar sado pak rasti i Maqedonisë) pro- perëndimore.


Përball kësaj politike hezituese, ndonjëherë plotësisht anti perëndimore (rasti i Serbisë) e cila u provua katërçipërisht, në decenien e fundit të shekullit të kaluar, Perëndimi u gjend i shtrënguar të përdor masën shumë të preferuar imponuese të “shkopit dhe karotës”.Kësaj here Serbisë ju ofrua karota dhe ajo e pranoi. Gradualisht ka gjasa që opinioni qytetar, mekanizmi i vetëm që mund të presionoj mbi elitat politike që të punojnë në arritjen e integrimit të plotë të Serbisë në strukturat evropiane dhe evro atlantike, do të kërkoj shkëputjen e vendit nga politikat tradicionale pro-lindore..

Vendet që u përjashtuan nga kjo pako liberalizuese (Kosova, Shqipëria dhe BeH), në politiken e tyre tradicionale në marrëdhënie më jashtë historikisht njihen si vende qe aderojnë drejt oksidentit dhe shume më pak orientit. Historia po ashtu provon se lidhjet e vjetra kulturore dhe ato të sotme ekonomike dhe politike i lidhin shumë më tepër këto vende me perëndimin. Për më tepër historia më e re, kontributi i perëndimit në procesin e shkëputjes dhe pavarësimit të tyre ka qenë aq i madh dhe determinues sa që këto tri vende nuk ka si të cilësohen ndryshe veçse si aleat të perëndimit. Shqipëria në vitet e stuhishme të pavarësisë e ndjeu fuqishëm dorën e mbështetjes së Monarkisë dualiste të Austro-Hungarisë.

Nuk është e tepërt të tërhiqet një paralele, natyrisht e vëmendshme për specifikat e kohës, se Shqipëria në procesin e pavarësimit të saj mori një mbështetje nga Austro-Hungaria në vitin 1912 dhe 1913, të tillë çfarë Kosova e mori nga SHBA-të në vitin 1999. Edhe Bosnja e Hercegovina duhet parë si kreaturë politike e perëndimit në konstelacionin politik dhe ushtarak që ishte krijuar atje në vitet e stuhishme 1991-1995. Rrjedhimisht, këto tre vende nuk u anashkaluan pse nuk janë pro perëndimore, por pikërisht se nuk mund të jene pjesë e të njëjtës pako me vendet të cilat duhet të dëshmojnë se janë të gatshme të bëhen plotësisht pjesë e proceseve integruese evropiane dhe euro-atlantike.

Kur jemi të Shqipëria duhet të themi se shumë shpejtë vitin e ardhshëm (2010) do t’i bashkohet këtij procesi të liberalizimit të vizave. Këtë e konfirmuan në mënyrë kontekstuale edhe disa nga krerët politik të BE-së si Solana e Bild në diskutimet e tyre lidhur me iniciativën e BE-së drejt Islandës. Kjo puqet edhe me nivelin e përmbushjes së standardeve të Shqipërisë ndaj këtij procesi.

Kosova, siç duket e ka më të largët horizontin për t’u bërë pjesë e këtij procesi. Janë një vistër konditash formale dhe politike që Prishtina zyrtare duhet të përmbush më këtë rast. Barrierat e natyrës formale s’do mend se lidhen me mosnjohjen e shtetit të Kosovës edhe nga pesë shtete anëtare të BE-së. Në këtë rast mundësitë e marrjes së një vendimi pozitiv brenda BE-së lidhur më Kosovën, të çfarëdo natyre qoftë, janë gati të pamundura, në rrethana të ekzistimit të një unanimiteti absolut në vendimmarrje si rregull brenda këtij unioni.

Do të ishte iluzore të besohej se pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën do të votonin në favor të liberalizimit të vizave, kur dihet se shumica e tyre (përpos Greqisë) nuk i njohin as pasaportat e shtetit të Kosovës). Dhe jo vetëm kaq. Kosova në planin e brendshëm vazhdon të përballët me mosnjohje të legjitimitetit të saj shtetëror nga një numër banorësh të saj dhe rrjedhimisht mos shtrirje të sovranitetit në tërë territorin e saj. Kjo nënkupton edhe kontroll jo të plotë të një pjese të kufirit të saj shtetëror. Dhe është e kuptueshme në këtë rast shkalla e lartë e trafiqeve ilegale, për të cilat flasin raporte të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Trendi i ultë i zhvillimit ekonomik, shkalla e lartë e papunësisë, dhe niveli pothuaj konstant i krimit të organizuar dhe korrupsionit janë barriera të natyrës politike të cilat Kosova pritet t’i zvogëloj në dy tre vitet e ardhshme përmes një asistence ndërkombëtare në fushën e gjyqësorit në bashkërenditje me EULEXI-in. Krejt në fund është edhe një arsye e natyrës thjesht teknike të cilën autoritete e Prishtinës kanë mundur ta evitonin po të mendonin me kohe. Është fjala për pasaportat biometrike, që mund të përgatiteshin, me një kosto pak më të lartë, në momentin kur u be zëvendësimi i dokumenteve të identitetit të lëshuara nga administrata e UNMIK-ut më ato të shtetit të Kosovës. Kjo nuk u bë atëherë, kur do të kushtonte shume me pak në kohë dhe para, por do të behet tani me kosto të dyfishtë dhe për fat të keq mundet, në rrethana të caktuara të ndonjë vendimi të ri të favorshëm të Brukselit karshi Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave, kjo të behet pengesë kryesore.

Bosnja dhe Hercegovina, vazhdojnë edhe më tutje të jenë pre e një zgjidhje që po testohet në funksionimin e saj. Akoma zhvillimet atje nuk janë plotësisht premtuese për të ardhmen e këtij shteti trial. Prirjet secesioniste dhe politikat përjashtuese brenda njësive federale e rrisin dilemën edhe për vendet e Bashkimit Evropian karshi këtij entiteti shtetëror fragjil.

Për fund ky shkrim është menduar të jetë në funksion të të kuptuarit më të thellë të arsyeve pse BE beri politikë selektive ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Do të doja që ata që e lexojmë këtë shkrim të akuzojnë me pak Evropën, e cila beri dhe po bënë mjaftë për Kosovën dhe me shumë të kërkojnë arsyet e mosliberalizimit të vizave për kosovarët tek vet kosovarët.

(Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës)

Në trend

Më shumë

"S'është i besueshëm për SHBA-në", Kurti e komenton deklaratën e Grenellit

Politikë

"Fituesi i zgjedhjeve pothuajse dihet në Gjermani" - tre skenarët se si mund të duket qeveria e ardhshme

Evropa
Zbulohet “plani i rrjedhur i paqes i Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë” - këto janë disa nga detajet

Zbulohet “plani i rrjedhur i paqes i Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë” - këto janë disa nga detajet

Botë
Arne Slot po e transferon te Liverpooli top yllin e Barcelonës që nuk është në planet e Hansi Flick

Arne Slot po e transferon te Liverpooli top yllin e Barcelonës që nuk është në planet e Hansi Flick

Premier League
“Siç të kam thënë, të uroj fitoren” - Olta reagon pas mesazhit që i shkoi Rozanës në Big Brother: Nuk është e vërtetë, nuk jam çmendur

“Siç të kam thënë, të uroj fitoren” - Olta reagon pas mesazhit që i shkoi Rozanës në Big Brother: Nuk është e vërtetë, nuk jam çmendur

Magazina
Të penduar që e larguan, Laporta dëshiron ta rikthejë lojtarin që i takon Bayern Munichut

Të penduar që e larguan, Laporta dëshiron ta rikthejë lojtarin që i takon Bayern Munichut

La Liga
Kalo në kategori