LAJMI I FUNDIT:

Debat: A do ta fitojë Prishtina Ligën Ballkanike?

Debat: A do ta fitojë Prishtina Ligën Ballkanike?

Edhe përkundër humbjes prej 86-80 në ndeshjen kthyese kundër Kozuvit, Sigal Prishtina e siguroi plasmanin në finale të Ligës Ballkanike për shkak të epërsisë së lartë prej 24 pikëve(85-61) që kishte krijuar në ndeshjen e parë.

Sigal Prishtina këtë edicion ka krijuar një skuadër tejet të fortë, ndoshta më të fortën në historinë e saj, pasi që në çdo repart është e mbuluar me së paku 2-3 lojtarë cilësorë.

Arma më e fortë e Bardhekaltërve padyshim se është Dardan Berisha, i cili aktualisht është edhe basketbollisti më i mirë në Ligën Ballkanike me mesatare prej 26.2 pikësh dhe 5.5 asistimesh për ndeshje. Berisha deri tani ka qenë vendimtar në pothuajse çdo ndeshje të Sigal Prishtinës, dhe ende asnjë skuadër nuk e ka gjetur mënyrën për ta ndalur atë.

Përveç Dardanit, Prishtina ka edhe Edin Bavcicin, i cili gjithashtu ka dhënë kontribut të madh në çdo lojë të Prishtinës deri më tani, e që padyshim se është një ndër lojtarët më kyç të skuadrës.


Po t’ua shtosh këtyre të lartëpërmendurve, edhe përvojën e lojtarëve si Edmond Azemi, Blerim Mazreku, Julian Mavunga, Bojan Trajkovski, si dhe ndihmën e madhe nga Jordan Hulls, atëherë padyshim se mund të themi që Prishtina është favorite për ta fituar finalen e Ligës Ballkanike.

Sidoqoftë, ne dëshirojmë ta dimë edhe mendimin tuaj rreth skuadrës së Sigal Prishtinës, si dhe a mendoni që do të triumfojnë këtë edicion në këtë garë. Na shkruani në hapësirën për komente. /Telegrafi/