LAJMI I FUNDIT:

Peja regjistron fitoren e radhës

Peja regjistron fitoren e radhës

Klubi basketbollistik i Pejës ka arritur me shumë vështirësi ta fitojë ndeshjen kundër ekipit RTV 21, në kuadër të xhiros së 15-të të BKT Superligës në basketboll.

Salla ‘Karagaçi’ si gjithmonë ishte e mbushur përplot me tifozët e ‘Shqiponjave’, të cilët dhuruan një atmosferë impozante gjatë tërë ndeshjes.

Çereku i parë filloi me intensitet të lartë dhe loja ishte shumë e nivelizuar, por me një epërsi të vogël të pejanëve u mbyll me rezultatin 20:18. Në çerekun e dytë Teleboysat u treguan më këmbëngulës dhe arritën të dalin në epërsinë për ta mbyllur pjesën e parë të ndeshjes me rezultat 43:45 në favor të tyre.

Në çerekun e tretë pejanët u fokusuan më shumë dhe arritën ta kthejnë epërsinë në anën e tyre, 66:59. Teksa, në çerekun e katërt u zhvillua një luftë e vërtetë mes të dy palëve. Ndeshja u vendos ne 30 sekondat e fundit ku pejanët u treguan më vendimtarë dhe krijuan një epërsi prej shtatë pikëve, për ta përmbyllur këtë ndeshje me rezultatin përfundimtar, 82-75.


Për Pejën, si gjithnjë u dallua Dardan Berisha me 33 pikë dhe Samir Shaptahoviq me 19 sosh. Ndërsa, vlen të përmendet përforcimi i huaj i RTV 21, Brandon Roberson, i cili shkëlqeu me 22 pikë.

Në ndeshjet tjera që u zhvilluan të shtunën nuk pati ndonjë befasi, pasi që favoritët e kryen punën e tyre dhe i fituan ndeshjet bindshëm.

Rezultat e xhiros së 15-të të BKT Superligës:
Peja – RTV 21 82 – 75
Sigal Prishtina – Kosova (V) 112 – 44
Trepça – Drita 79 – 58
Sigkos Bashkimi – Vëllaznimi 97 : 67

/Telegrafi/