LAJMI I FUNDIT:

Vokrri dhe Malaj u takuan me Blatterin

Vokrri dhe Malaj u takuan me Blatterin

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Zvicër, Naim Malaj, janë takuar me presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter, në zyrën e tij në Cyrih.

Me këtë rast numrit një të shtëpisë së futbollit botëror i është dorëzuar letra e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën ai ka shprehur mospajtimin e Qeverisë së Kosovës por edhe të FFK-së në lidhje me vendimin e FIFA-s për të ashtuquajturat modalitete për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, duke i konsideruar këto modalitete si të papranueshme.

Në letër, kryeministri Thaçi i ka kërkuar kreut të FIFA-s që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të marrë një vendim që do të ishte në përputhje me statusin e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran dhe i pranuar nga më shumë se gjysma e shteteve që janë anëtare të OKB-së.

Ndërkaq, siç transmeton Koha, edhe Vokrri e Malaj ia kanë bërë të qartë Blatterit se vendimi jo vetëm që është i papranueshëm, por është diskriminues dhe shkel të drejtat universale të njeriut.


Nga ana e tij, Blatter edhe një herë ka shfaqur mirëkuptimin për futbollin e Kosovës, duke premtuar se kjo çështje do të diskutohet sërish në mbledhjen e radhës të KE të FIFA-s më 22 mars të këtij viti. Pas takimit edhe Vokrri edhe Malaj janë shprehur optimistë se kjo çështje do të vendoset në të mirë të futbollit të Kosovës. /Telegrafi/