LAJMI I FUNDIT:

Kërcënojnë Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova

Kërcënojnë Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova

Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova po shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare, dhe tashmë janë kandidate potenciale për t’u kualifikuar në Olimpiadën e Brazilit. Por, xhudistet pejane paralajmërojnë se në Rio de Janeiro mund ta përfaqësojnë ndonjërin prej shteteve që u kanë bërë oferta joshëse, e jo Kosovën.

Vetëm në katër muajt e fundit, këto vasha ia sollën Kosovës tri medalje nga dy gara shumë të rëndësishme ndërkombëtare. Në nëntor, Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian U-23, derisa Distria Krasniqi u stolis me medaljen e bronztë.

Kurse, të shtunën që lamë pas, Kelmendi e fitoi medaljen e argjendtë në njërin prej turneve më të mëdhenj të xhudos, në ‘Grand Slam’, që u mbajt në Paris, ku u paraqit edhe Nora Gjakova.

“Deri më tani kam refuzuar shumë oferta për Kosovë. Kam sakrifikuar shumë për shtetin tim. Por, shteti im nuk po bën asgjë për mua, si sportiste kulmore që jam, gjë që nuk ndodh në asnjë vend tjetër. Andaj, tash do t’i shqyrtoj shumë seriozisht dy oferta joshëse që na kanë bërë mua dhe Norës dy shtete, emrat e të cilave tash për tash nuk dua t’i publikoj, gjatë pjesëmarrjes sonë në garën e Parisit”, deklaroi Kelmendi për Express.


“Nuk po ia vlen që për centët e Kosovës t’i anashkaloj ndoshta milionat. Unë po bëj shumë për shtetin tim, por Kosova asgjë për mua. Familja ime nuk qëndron mirë financiarisht, andaj ajo varet shumë nga unë. Kështu që seriozisht do ta rishikoj të ardhmen time. Nuk dua të bëhem si i respektuari nga ana ime, Aziz Salihu, i cili vazhdimisht ankohet, por një gjë e tillë po më imponohet”, theksoi Kelmendi.

Ndërsa, edhe Nora Gjakova deri në prill mund të vendosë për ta lënë Kosovën, thotë trajneri i saj dhe i Kelmendit, Driton Kuka. Ky i fundit, nuk ka planifikon të dalë jashtë vendit, derisa thotë se nuk e ka ndërmend që të bëjë përpjekje për t’i mbajtur në Kosovë dy xhudistet pejane.

“Deri më tani, unë ndikoja te Majlinda e Nora që t’i refuzonin ofertat joshëse që ua bënin shtetet e tjera. Në Paris ato i morën dy oferta të tjera tepër joshëse. Unë jam dorëzuar, bile u thashë të dyjave vendosni me familjet tuaja rreth së ardhmes suaj. Kjo pasi unë nuk po mund t’u them vazhdoni me Kosovën, kur institucionet tona nuk po i kryejnë obligimet ndaj tyre”, deklaroi trajneri i tyre, Driton Kuka, për Express.

Kuka thotë se sipas Ligjit, për medaljet e fituara në Kampionatin Evropian, Majlinda, Distria dhe vetë ai është dashtë të shpërblehemi me rreth 15 mijë euro.

“Kjo ende nuk ka ndodhur, e madje askush ende nuk na ka thënë se do t’ua kryejmë obligimet, por ju lusim të prisni. Fajtor për këtë është Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), të cilit i takon ta verifikojë rezultatin, e pastaj t’i thotë Qeverisë ta kryejë obligimin ndaj nesh, nëpërmjet Ministrisë së Sportit. Kjo është absurde”, përfundoi Kuka./Telegrafi/