LAJMI I FUNDIT:

Lala: I kaluam parashikimet, por Malta është testi ynë

Lala: I kaluam parashikimet, por Malta është testi ynë

Nuk kërkon të bëhet euforik, sepse Shqipëria nuk e ka atë luks, por për kapitenin e kombëtares, Altin Lala, ekipi kuqezi i kaloi të gjitha parashikimet me rezultatet e arritura në katër ndeshjet e para të Grupit të parë eliminator.

Në një intervistë për “Sportin shqiptar”, mesfushori “veteran” ka folur për ecurinë e kombëtares, të ardhmen e saj dhe veten. Aktualisht Lala është 33 vjeç dhe kërkon që të heqë dorë nga futbolli i luajtur pas dy vjetësh.

“E kam vendosur, karrierën do ta mbyll te Hanoveri, ndërkohë që me shumë mundësi ky edicion është i fundit me kombëtaren”- konfirmon ai.

Gjithashtu, në këtë intervistë, shtatshkurtri i kuqezinjve tregon edhe për Hanoverin, surprizën që i bënë tifozët dhe rikthimin si titullar, pas disa ndeshjeve në stol. Për këto, por jo vetëm, ja si u shpreh kapiteni i Shqipërisë:


Altin, pas katër ndeshjeve të para, kombëtarja arriti pesë pikë, aq më tepër një barazim historik në Portugali. Cili është komenti juaj?

Mendoj se i kemi kaluar të gjitha parashikimet para fillimit të eliminatoreve. Ishim koshientë se bënim pjesë në një grup shumë të fortë, por besoj se kemi arritur diçka shumë të mirë, për të mos thënë të jashtëzakonshme. Humbja me Hungarinë është i vetmi peng.

Një ndeshje, që e kujtoj edhe sot e kësaj dite, pasi kurrsesi nuk duhet ta kishim humbur, ndaj një ekipi që në pjesën e parë nuk shkoi një herë te porta jonë. Kishim mundësi të mëdha, pasi në fund të fundit, edhe një barazim do të ishte shumë mirë për ne, por ja që futbolli i pranon të gjitha. Kjo humbje mendoj se ishte më shumë një “aksident”.

Për një ekip si Shqipëria, ndoshta sfidat më të mëdha janë ato të radhës, ndeshjet me Maltën dhe Hungarinë. Si mendoni?

Natyrisht që po. Për aq vite sa kam unë pjesë e ekipit kombëtar, këto dy ndeshje mund t’i cilësoj si më të rëndësishmet. Synimi ynë kryesor duhet të jetë përqendrimi i madh te ndeshja me Maltën, e cila besoj se do të jetë shumë e vështirë. Kam folur edhe me shokun e ekipit, Husti, i cili më tregoi që Hungaria hasi vështirësi të jashtëzakonshme në Maltë. Ne kërkojmë fitoren dhe nuk do të jetë një ndeshje e thjeshtë.

Pasi këtyre katër ndeshjeve, sipas jush, cili duhet të jetë objektivi real i kombëtares në Grupin e parë?

Nëse kalojmë me sukses dy ndeshjet e radhës, çka nënkuptohet me arritjen e pikëve të plota, do të ishte diçka shumë e madhe për Shqipërinë. Tani çdo gjë ndodh në futboll dhe nëse ndodh ajo që thashë më lart, pse jo, duhet të pretendojmë edhe vendin e dytë në grup.

Përshtypja e opinionit sportiv në Shqipëri është se kombëtarja ka arritur rezultate, por nuk ka prodhuar lojë…?

Atë që mendojnë kështu nuk flasin realitetin. Jemi Shqipëria, një ekip “i vogël” dhe nuk duhet të fluturojmë. Kaq janë mundësitë tona dhe gjithnjë do ta kemi të vështirë, edhe me kundërshtarë si Malta. Nuk na falet humbja në Hungari, por në ndeshjen me Portugalinë nuk kishim çfarë të jepnim më tepër. Luanim përballë lojtarëve më të mirë në botë dhe me një lojtar më pak.

Në radhë të parë, ne duhet të dimë kush jemi, pasi të gjykojmë se çfarë mundësish kemi. Sipas kësaj teorie, i bie që lojtarët e Portugalisë duhet të burgoseshin apo pushkatoheshin që nuk fituan me Shqipërinë. Ja pra, që ne shqiptarët duhet të jemi realistë dhe të mos marrim kot.

Pas kthimit nga kombëtarja në Gjermani, çfarë përshtypjeje pati rezultati i Shqipërisë me Portugalinë?

Një impakt vërtet të madh. Sapo mbërrita, të gjithë më pyetën se si është e mundur që barazuam me Portugalinë, madje edhe me 10 lojtarë në fushë. Këtu kisha çfarë t’u tregoja, ndërsa nga ana tjetër habiteshin se si nuk arritëm një rezultat pozitiv me Hungarinë. Kur më pyesnin për këtë ndeshje, nuk kisha çfarë t’u thoja.

Duke lënë pas kombëtaren, të kalojmë te Hanoveri, ku u bëtë 10 vite që luani. Pas disa ndeshjesh në stol, u kthyet titullar…?

Ishte shumë pozitive për mua, pasi përkoi që fituam me Hamburgun dhe unë mbaja shiritin e kapitenit. Skuadra nuk ka qenë mirë dhe na duhej një fitore. Jam shumë i kënaqur, sepse erdhi në një moment kur kisha disa ndeshja që nuk po luaja. Trajneri nuk ma ka bërë të lehtë, edhe pse jam stërvitur shumë mirë.

Në ndeshjen me Hofenhaimin, tifozët ju bënë një surprizë, me pankartat që shkruanin “10 vitet e zemërluftëtarit”. Çfarë mund të na thoni për këtë?

Ishte pa dyshim një kompliment i madh, që tregon nderin dhe respektin që kanë tifozët për mua. Nuk e prisja, për vetë natyrën që kanë gjermanët, pasi janë një popull i rëndë. Por nëse ata të futin në zemër, zor se të harrojnë. Në këto 10 vite, besoj se edhe unë ua kam shpërblyer me atë çfarë kam dhënë për Hanoverin.

Çfarë planesh keni për të ardhmen? Do ta rinovoni kontratën me Hannoverin?

Faktikisht ka ardhur koha për të biseduar me presidentin. Paraprakisht kemi rënë dakord që të rinovoj kontratën edhe dy vite të tjera me Hanoverin. Këtë gjë besoj se do ta zyrtarizoj para muajit dhjetor. Dëshira ime më e madhe është që të luaj futboll edhe këto dy vjet. Pasi të shkoj 35 vjeç do ta lë futbollin. Do të ishte gjëja më e bukur për mua. Në karrierën time jam munduar të jap gjithçka, kudo që kam luajtur.

Po me kombëtaren çfarë do të bëni?

Me shumë mundësi, ky do të jetë edicioni i fundit me fanellën kuqezi. Në këtë mënyrë u hapim rrugën edhe të rinjve. Megjithatë, shpresoj shumë që t’i mbyll pozitivisht këto eliminatore.

Në trend Sport

Më shumë
Franco Foda publikon listën e Kosovës për ndeshjet ndaj Rumanisë dhe Lituanisë - një emër i ri dhe një rikthim

Franco Foda publikon listën e Kosovës për ndeshjet ndaj Rumanisë dhe Lituanisë - një emër i ri dhe një rikthim

Përfaqësuesja e Kosovës
Barcelona është në prag të nënshkrimit të

Barcelona është në prag të nënshkrimit të "kontratës më të mirë në botën e futbollit"

La Liga
Florentino Perez planifikon t'i tronditë të gjithë me transferimin e janarit

Florentino Perez planifikon t'i tronditë të gjithë me transferimin e janarit

La Liga
Ancelotti konfirmon se po mendon pensionimin

Ancelotti konfirmon se po mendon pensionimin

La Liga
E humbi vendin startues tek Chelsea – top ylli futet në listën e dëshirave të Barcelonës

E humbi vendin startues tek Chelsea – top ylli futet në listën e dëshirave të Barcelonës

La Liga
Carlo Ancelotti zbulon gabimin më të rëndë që ka bërë si trajner i Real Madridit

Carlo Ancelotti zbulon gabimin më të rëndë që ka bërë si trajner i Real Madridit

Ndërkombëtare
Kalo në kategori