LAJMI I FUNDIT:

Curri: Pësuam nga gabimet tona

Curri: Pësuam nga gabimet tona

Debatik Curri thotë se Shqipëria pësoi disfatë nga Bosnja e Hercegovina jo për shkak të aftësive në sulm të kundërshtarit, por pikërisht për shkak të lëshimeve të mbrojtjes tonë.

Kuqezinjtë u mposhtën me rezultat 2-0 në Zenicë, një disfatë që iu dha një goditje shpresave të Shqipërisë për një kualifikim në Euro 2012.

“Goli i parë që pësuam erdhi për shkak të një gabimi fatal. Loriku sapo e largoi topin na bëri shenjë që të dilnim, por për fat të keq Vangjeli mbeti prapa dhe e mbajti në lojë shënuesin e golit. Pësuam një gol që në asnjë mënyrë nuk duhej ta kishim pësuar”.

“Ndërsa për golin e dytë nuk mund të flitet më për gabime, sepse ne ishim të gjithë në sulm. Ishte minuta e fundit dhe luajtëm për gjithçka. Duhet ta harrojmë sa më shpejt këtë ndeshje dhe të mendojmë për takimet e ardhshme për të grumbulluar sa më shumë pikë”.


“Ne normalisht mund edhe ta humbnim ndeshjen dhe mund të ishte diçka normale, por kur e humbet për gabimet e tua të vjen shumë keq. Ne në fakt kishim dy raste të mira për të shënuar, por të mos harrojmë që Bosnja kishte më shumë raste të tilla”, ka thënë Curri pas ndeshjes.

Shqipëria tash zbret një pozitë, në të katërtën me tetë pikë, prapa Francës (13 pikë), Bjellorusisë (12 pikë) dhe Bosnjës (10 pikë). /Sporti Shqiptar/Telegrafi/