LAJMI I FUNDIT:

Policia merr masat për ndeshjen Shqipëri-Slloveni

Policia merr masat për ndeshjen Shqipëri-Slloveni

Policia e Tiranës ka marrë masat organizative për të siguruar rendin dhe qetësinë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes miqësore Shqipëri – Slloveni.

Policia ka bërë të ditur se do të ndalohet parkimi i të gjitha automjeteve përreth stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa" duke filluar nga ora 13.00 deri në orën 23.00. Do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve duke filluar nga ora 15.00 deri në përfundim të aktivitetit sportiv ne Sheshin "Italia" dhe sheshin"Nënë Tereza".

Po ashtu, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në rrugët që të dërgojnë në stadium ashtu dhe përreth tij, si: rrugën "Lek Dukagjini", "Dervish Hima", "Asim Zeneli" dhe "Perlat Rexhepi" nga ora 15.00 deri në orën 23.00. Gjatë hyrjes së tifozëve në stadium, policia do të ushtrojë kontroll të detajuar për të parandaluar futjen në stadium të mjeteve dhe sendeve të forta, fishekzjarrëve, shishe, kapsolla, flamuj me shkopinj, parulla me mbishkrime jo të përshtatshme.

Policia u ka kërkuar tifozëve të respektojnë me rigorozitet rregullat e vendosura dhe kodin e sjelljes si para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes. /Telegrafi/