LAJMI I FUNDIT:

Mitrovicë: Arrestohet një serb për dhunë në familje

Mitrovicë: Arrestohet një serb për dhunë në familje

Një i dyshuar, 55 vjeçar, i përkatësisë etnike serbe, është arrestuar nga policia e Kosovës në veri të Mitrovicës, për dhunë në familje të shkaktuar ndaj bashkëshortes së tij.

Ankuesja 52 vjeçare, ka njoftuar Policinë e Kosovës, për kërcënim dhe sulm fizik ndaj saj nga bashkëshorti i cili besohej të ishte nën ndikim të alkoolit, bëhet e ditur në kumtesë.

Policia ka regjistruar ankesën në të cilën thuhej se i dyshuari kishte vënë në përdorim tri thika të kuzhinës për të goditur bashkëshorten e tij pas një kërcënimi verbal, por fatmirësisht asnjë nga thikat e hedhura nuk ka goditur viktimën.

“Të tri thikat e hedhura në drejtim të ankueses kanë përfunduar në derë, ndërsa i dyshuari më pas, thuhet të ketë përdorur një sasi të tabletave qetësuese bashkë me gjysmë litre pije alkoolike”, bëhet e ditur në komunikatë.


Njësia patrulluese e cila ka reaguar në banesën e të dyshuarit në rrugën “Llolle Ribara”, ka takuar të dyshuarin i cili nuk i është bindur urdhrave gojore të dhëna nga policët intervenues, ndërsa i njëjti ka hedhur ujë në drejtim të policit të parë intervenues.

I dyshuari është vënë nën kontroll të arrestit policor dhe i njëjti është dërguar në lokalet policore për regjistrim të rastit.

Ndaj të njëjtit është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, ndërsa deklarata e tij rreth rastit nuk është siguruar për shkak të gjendjes së tij të intoksikuar me alkool. Rasti është regjistruar si vepër penale “kanosje” në kuadër të dhunës në familje. /Telegrafi/