LAJMI I FUNDIT:

Durrës, dy mjekë të arrestuar për mjekim të pakujdesshëm

Durrës, dy mjekë të arrestuar për mjekim të pakujdesshëm

Vdekja e volejbollistit durrsak, ka ardhur nga mjekimi i pakujdesshëm që solli pasoja të rënda dhe për këtë, përgjegjës janë dy mjekë, një kirurg dhe një reanimator. Pohimin e ka bërë policia e drejtorisë rajonale në Durrës.

Policia ka njoftuar se në vijim të punës intensive të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Durrës mbi hetimin e ngjarjes së ndodhur më datë 13 shtator 2011 për identifikimin e autorëve të plagosjes dhe shkaqeve që çuan në vdekjen e këtij shtetasi.

Gjykata e Rrethit Durrës, me vendime penale të ditës së mërkurë, përcaktoi masën e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj dy mjekëve, Dalip Çela, 54 vjeç, banues në Durrës, mjek kirurg pranë Spitalit Rajonal Durrës dhe Nuri Qyra, 51 vjeç, banues në Durrës, mjek reanimator pranë Spitalit Rajonal Durrës.

NOA njofton se këta mjekë akuzohen për veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm pasi dyshohet se më datë 13 shtator 2011, si pasojë e neglizhencës në detyrë dhe mjekimit të pakujdesshëm, i kanë shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin 24 vjeçarit Juxhin Guza, i cili ka humbur jetën pas disa orësh në këtë spital.


Guza u qëllua me thikë në hyrje të pallatit ku banonte, në lagien numër 5 të Durrësit, dhe pas 18 orë qëndrimi në spital, ai humbi jetën.