LAJMI I FUNDIT:

Zveqan: Vdekje e dyshimtë

Zveqan: Vdekje e dyshimtë

Një grua 24 vjeçare ka vdekur si pasojë plagëve të marra nga armë zjarri. Rasti iniciohet si vdekje nën rrethana të dyshimta me elemente të vetëvrasjes.

Në njoftimin për media thuhet se Policia e Kosovës në Zveqan, ka pranuar një informatë lidhur me një rast të vetëvrasjes së raportuar të ketë ndodhur në një banesë në rrugën “Mbreti Petër” në Zveqan.

Rasti është raportuar nga anëtarët e familjes së të ndjerës, të cilët e kishin takuar viktimën të shtrirë për dysheme me plagë nga armë zjarri në banesën e saj.

“Njësitë e para reaguese të policisë, në vend të ngjarjes kanë takuar trupin e pajetë të një femre, të identifikuar si; I. Aksoviq 24vjeçe, të përkatësisë etnike serbe, në pozicion të shtrirë, me një plagë hyrëse, në anën e djathtë të kokës, të shkaktuar nga armë zjarri.
Mjeku kujdestar në vend të ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.


Marrë parasysh rrethanat në të cilat është regjistruar rasti, policia ka njoftuar prokurorin publik të prokurorisë së qarkut në Mitrovicë i cili ka autorizuar hetuesit e policisë së Kosovës së bashku ne teknikët e kriminalistikës, dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, të bëjnë ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe inicimin e hetimit të rastit për të sqaruar rrethanat e rastit të paraqitur.

Bazuar në raportet e para të hetuesve policor, në vend të ngjarjes nuk janë identifikuar elemente të cilat do të karakterizonin rastin si vepër penale.

Në vendngjarje, hetuesit policor kanë gjetur dhe marrë si pjesë të provave materiale; një gëzhojë dhe revolen e kalibrit 6.35mm “Ekoltuna”, e cila besohet të ishte përfshirë në rast, ndërsa do të procedohet për ekzaminim të mëtejmë.

Rasti është kualifikuar si vdekje e dyshimtë me elemente të vetëvrasjes klasike të parapërgatitur nga viktima.

Një letër lamtumirëse, e cila besohet të ketë qenë e shkruar nga vetë viktima para aktit të kryer, është gjetur dhe marrë si pjesë e provave gjithashtu.

Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës, hedh poshtë disa nga shkrimet në portalet dhe agjencitë e lajmeve për motivin e mundshëm të vetëvrasjes së 24 vjeçares. Sipas disa agjencive të lajmeve, thuhet se “vetëvrasja ishte kryer pasi e njëjta ishte përdhunuar paraprakisht nga grupet kriminele”.

Ndërkaq, sipas vlerësimeve të hetuesve policor, motivi i mundshëm i vetëvrasjes lidhet me pakënaqësitë e të ndjerës me mënyrën e jetesës së saj, gjë që edhe është specifikuar në letrën lamtumirëse nga vet e ndjera. /Telegrafi/