LAJMI I FUNDIT:

Gjykata e Shkodrës jep masat për prishësit e zgjedhjeve

Gjykata e Shkodrës jep masat për prishësit e zgjedhjeve

Gjykata e Shkodrës dha të mërkurën masën e arrestit për pesë shtetasit e arrestuar për pengim të zgjedhjeve të pjesshme më 31 korrik në Komunën Shalë, të Shkodrës.

Tre nga të arrestuarit morën nga 10 ditë burg, përkatësisht Petrit Coli 39 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, komuna Rrethina Shkodër, i dënuar më parë, për veprën penale ” Vrasje me dashje në bashkëpunim”, Pëllumb Mollzati 38 vjeç dhe Mirash Rrethatori, 33 vjeç, banues në fshatin Gimaj, komuna Shalë, Shkodër, i dënuar më parë për veprën penale ” Armëbajtje pa leje”. Ndërsa për shtetasit Prek Kodra, 35 vjeç, Kol Gjergji, 29 vjeç gjykata dha vendimin me detyrim paraqitjeje, raportoi Panorama.

Arrestimi i këtyre shtetasve erdhi pasi ditën e zgjedhjeve të pjesshme, në momentin kur materialet zgjedhore kanë mbërritur me helikopter, në vendin e quajtur Breg Lumi, të Komunës Shalë, grupe të ndryshme personash, (ku mes tyre jane identifikuar dhe 5 shtetasit e arrestuar), janë vërsulur në drejtim të Komisionerëve, duke bërë kështu bllokimin e komisionerëve dhe të rrugë-kalimeve për tek qendra e votimit, pasi nuk ishin dakord me komisionerët e caktuar për zgjedhjet vendore në komunën Shalë, Shkodër./Telegrafi/