LAJMI I FUNDIT:

“Gërdeci”, Pinari për kontratën e demontimit

“Gërdeci”, Pinari për kontratën e demontimit

Kontrata mes Meiko-s dhe kompanisë amerikane SAC, për demontimin në Gërdec është firmosur para se të dilte urdhri i ministrit të Mbrojtjes. Kjo është deklaruar në seancën e së premtes të procesit për tragjedinë e Gërdecit nga ish-drejtori i Meiko-s Ylli Pinari, i cili tha se kontrata ishte paraprake dhe këtë ia kishte sugjeruar këshilltari juridik i ministrit të Mbrojtjes Plarent Ruka, ndërsa pasi kishte dalë urdhri i ministrit ishte firmosur një kontrate e re.

“Po është e vërtetë që kam firmosur një kontratë me kompaninë SAC para se të dilte urdhri 550 i ministrit të Mbrojtjes. Kjo ka ndodhur ne datën 19 prill të vitit 2007. Ndërsa urdhri i Ministrit ka dalë në 25 prill kontratën e kam firmosur me porosi të këshilltarit juridik të ministrit të Mbrojtjes. Kjo ishte një kontrate paraprake për të parë nëse Patriku kishte apo jo interes për projektin, para se të dilte urdhri i ministrit. Ndërsa kontratën e dyte, e cila nuk kishte ndryshim me të parën, e kemi firmosur në 6 qershor, pasi ky urdhër kishte dalë”, deklaroi Ylli Pinari.

Ndërsa në lidhje me përcaktimin e Gërdecit si vend për demontimin e municioneve, Pinari tha se këtë e kishte mësuar në draft-kontratën e dërguar nga Patrik Henri. “Në 18 prill të vitit 2007 Herri me dërgoi një draft-kontrate ku ishte përcaktuar se demontimi do të kryhej në Gërdec. Ndërkohë që me sa kam parë më vonë Gërdeci ekzistonte dhe në projekt-urdhrin e ministrit të Mbrojtjes dalë në 13 prill të vitit 2007”./Telegrafi/