LAJMI I FUNDIT:

Ndahet nga jeta maestro Alqi Kareco

Ndahet nga jeta maestro Alqi Kareco

Është ndarë nga jeta në moshën 79 vjeçare artisti i njohur Alqi Kareco, njëri nga themeluesit e Estradës së Varietese së Tiranës.

Zemra e dirigjentit dhe orkestruesit të më shumë se 5000 këngëve të muzikës së lehtë shqiptare, pushoi mbrëmjen e së shtunës më 25 qershor.

Pjesëmarrës në Festivalet e Këngës në RTSH që nga krijimi i tij, ai ka dhënë një kontribut të çmuar dhe të rëndësishëm në muzikën shqiptare.

Maestro Alqi Kareco humbi betejën me sëmundjen e rëndë, për të cilën nuk kishte gjetur shërim as në spitalet e Turqisë. Vetëm pak ditë më parë ishte kthyer nga Turqia për t’u ngopur për herë të fundit me ajrin e atdheut.


Homazhet në nder të artistit do të mbahen në orën 13.00-14.00 në hollin e Teatrit te Metropolit.

Drejtuesit dhe aktorët e Teatrit të Metropolit shprehën ngushëllimet e rastit për humbjen e këtij artisti të çmuar, i cili me karrierën e tij 40-vjeçare do të mbetet një nga figurat e rëndësishme të muzikës se lehtë shqiptare, raportoi BW./Telegrafi/