LAJMI I FUNDIT:

Maqedonia me emërtime antike!?

Maqedonia me emërtime antike!?

Pushteti, i cili po punon në ridefinim e identitetit dhe kulturës maqedonase, ka në plan të ndërrojë emrat e komunave dhe të qyteteve.

Si qytete dhe komuna, të cilat më së shumti përmenden për emra të rinj, janë komunat “Qendër”, “Aerodrom” dhe “Kisella Voda”.

Njëri nga emrat që më së shumti përmendet në opinion është Aleksandrija, ndërsa këtë e përmend edhe Todor Petrov, i cili është i afërt me udhëheqësinë aktuale të pushtetit, shkruan portali Sky, duke u thirrur në burime të afërta me qeverinë.

“Komuna Qendër duhet të emërohet në Aleksandrija. Nuk është e rastësishme që Filipi i Dytë dhe Aleksandri i Tretë, kreatorë të shtetit të Maqedonisë, janë në qendër të Shkupit”, shkruan ndër të tjera Todor Petrov, i cili llogaritet si pjesë ekstreme e krahut të djathtë të VMRO-DPMNE-së.


Petrov është kryetar i Kongresit Botëror Maqedonas, por edhe i punësuar në njërën prej komunave të Shkupit. Burimet jozyrtare të afërta me pushtetin thonë se një strategji e këtillë përgatitet, nëse Samiti i NATO-s i prillit nuk është i “suksesshëm për vendin”.

Deklarata të ngjashme kishte edhe para Samitit të NATO-s në Bukuresht, kur njëra nga televizionet proqeveritare publikoi planin për “lashtësinë”, në rast të mossuksesit të pushtetit që ta shtyjë Maqedoninë drejt NATO-s. Atëherë flitej për riemërimin e aeroporteve dhe rrugëve, që për shumë njohës të këtyre çështjeve ishte gjëja që e “ndezi” Greqinë për ta bllokuar Maqedoninë.

Disa janë të bindur se përderisa Maqedonia nuk do t’i emëronte aeroportet dhe rrugët me emra antik, Maqedonia do të kishte rrugë të reja me para evropiane, ndërsa njëkohësisht do të ishte edhe anëtare e NATO-s. /Telegrafi/